Kur Moskës i duhet Shkupi

Kryesore Opinion

Azem PARLLAKU /  Rusia së fundmi reagoi edhe ndaj krizës politike në Maqedoni. “Vëmë re me shqetësim se kriza politike në Maqedoni e provokuar nga ndërhyrja e jashtme në punët e brendshme të vendit po përkeqësohet. Përpjekjet, të cilat janë mbështetur në mënyrë aktive nga udhëheqësit e BE-së dhe NATO-s janë duke u bërë për që maqedonasit të pranojnë “platformë shqiptare” të projektuar në Tiranë në Zyrën e Kryeministrit, bazuar në hartën e të ashtuquajturës “Shqipëri të Madhe”, e cila ilustron pretendime territoriale të mëdha ndaj vendeve fqinje në Malin e Zi, Serbi, Maqedoni dhe Greqi. Shqetësim të veçantë përbën përfshirja e autoriteteve të Kosovës, vend i cili ka shpallur pavarësinë në mënyrë të njëanshme. Ne besojmë se kjo linjë është shumë e rrezikshme dhe ajo mund të çojë në shkatërrimin e shtetit të Maqedonisë dhe destabilizimin e të gjithë Ballkanit”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Jashtme të Rusisë. Reagimi i Rusisë erdhi në të njëjtën ditë kur shefja e BE për politikën e jashtme dhe sigurinë, Federica Mogherini lëshoi një ultimatum ndaj presidentit Ivanov që deri të hënën të mandatojë Zoran Zaev për të formuar qeverinë.

Duke marrë parasysh rolin e Bashkimit Europian si një lojtar kyç në kontekstin gjeopolitik rrënjësisht të ndryshuar, po kështu e shtyrë dhe nga rëndësia në rritje e Kinës dhe e Turqisë si lojtarë emergjentë në rajon, Moska gjithësesi, nuk është dashamirëse e zhvillimit të një strategjie konsistente të Brukselit ndaj Ballkanit. Deklarata e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, është një dëshmi që, qartësisht shpreh sesi Rusia e ruan ndjenjën e saj të krenarisë, si një fuqi e cila detyrimisht obligohet në modelimin e sistemit të mardhënieve ndërkombëtare.

Ashtu si presidenti Ivanov edhe Moska zyrtare nënvizon se, platforma shqiptare cënon kushtetutën e vendit. Në deklaratë thuhet gjithashtu se ndërhyrjet nga jashtë janë destruktive dhe vetëm do ta përkeqësojnë situatën. “Ne duam të theksojmë se zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbajtura në Maqedoni më 11 dhjetor 2016 me këmbënguljen e Shteteve të Bashkuara të BE-së u fituan nga partia në pushtet e udhëhequr nga Nikolla Gruevski. Tani Perëndimi po përpiqet të përfitojë nga pakica shqiptare që të vendosë në pushtet opozitën humbëse, e cila ka pranuar kërkesat e shqiptarëve, të cilat tingëllojnë më shumë si një ultimatum dhe që çojnë në prishjen e bazës kushtetuese të vendit. Tentativat e vazhdueshme destruktive për të imponuar nga jashtë skemat që janë në kundërshtim me votuesit maqedonas vetëm mund ta përkeqësojnë situatën. Ndërhyrjet e jashtme në punët e brendshme të Maqedonisë duhet të ndalej edhe e drejta e popullit maqedonas për të vendosur mbi të ardhmen e tij sipas vullnetit të tij dhe në përputhje me parimet themelore demokratike duhet të trajtohet me respekt” thotë Moska në deklaratën e saj.

Në të njejtën gjatësi vale ka qenë edhe ish-kryeministri Gruevski, kur pas fitores të Trump, filloi të shprehë ankesa për atë që e sheh si mbështetje e SHBA-së për forcat e opozitës. Zyrtarët e VMRO DPMNE shpresojnë se presidenca e Trump do të sjellë një ndryshim të madh në politikën e SHBA-së ndaj Maqedonisë. Gjatë kohëve të fundit ata kanë kanë kritikuar administratën Obama, si dhe organizatat joqeveritare të financuara nga miliarderi amerikan George Soros për atë që e quajnë komplot kundër Maqedonisë dhe qeverisë maqedonase. Ndërkohë, kjo klimë në Maqedoni është një nxitës për moralin me objektiva në politikën e brendshme, me synimin e gjallërimit të mbështetësve të VMRO DPMNE në një kohë kur partia është përballur me skandale korrupsioni dhe nuk mundi dot, të krijojë  qeverinë pas zgjedhjeve të fundit.

Duke u deklaruar hapur në lidhje me situatën politike në Maqedoni, është Moska ajo që e shpreh hapur avancimin gjeopolitik të Rusisë në rajonin e Ballkanit. Sot investitorët më të mëdhenj rusë në rajon janë kompani të bazuara në resurset natyrore, me kompani të sektorit të naftës e gazit (të tilla si Gazprom, Lukoil, Itera, Yukos dhe Rosneft) që janë dominues. Serbia është një rast shembullor i fuqive dhe i dobësive të kësaj tendence biznesore. Rusia pandërprerë ka riafirmuar mbështetjen e saj për Serbinë lidhur me çështjen e Kosovës, teksa përfaqësues rusë dhe serbë shpesh flasin rreth vëllazërisë së tyre sllave dhe ortodokse. Qëllimet e politikës ruse në Ballkan dalin fare qartë nga një dokument i hartuar për Presidentin Putin prej Këshillit për marrëdhëniet me Jashtë në Moskë. Sipas këtij dokumenti thuhet se nuk mund të mjaftohet vetëm me investime në disa kompani në këtë rajon, i cili tradicionalisht është i lidhur ngushtë me Rusinë, por duhet investuar financiarisht edhe në infrastrukturë si edhe për nevojat e popullsisë, e cila e konsideron Moskën si një alternativë kundrejt fuqive perëndimore. Në Malin e Zi, Rusia është investitori kryesor i huaj, ku rusët kontrollojnë tashmë një të tretën e të gjitha kompanive në të gjithë vendin. Duke u nisur nga kjo, investimet ruse e kanë përmirësuar dukshëm perspektivën e rajoneve të cilat u dëmtuan rëndë prej bombardimeve të NATO-s në vitin 1999. Kur në deklaratën në fjalë rusët flasin për “Shqipërinë e Madhe”, sigurisht që kërkojnë të frymëzojnë popujt sllavë, me shpresën se këto vende do të ndikojnë për avancimin e interesimit strategjik të Kremlinit kundrejt vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Në rastin e Maqedonisë, Rusia po shpreh se i mbron VMRO-DPMNE-në, pasi shpreson që qeverisja nga ky spektër i politikës maqedonase, mbrohen interesat ruse në Maqedoni si dhe realizohen planet ruse në përgjithësi në Ballkan. Përfshirja e Rusisë në situatën politike të Maqedonisë, përbën një temë sfiduese kërkimore, nga njëra anë, dhe një proces emocionues të hetimit për të zgjeruar të kuptuarit e politikës botërore nga ana tjetër. Një ndikim dhe implikim i tillë, është një kërcënim që mund të rezultojë në një shkelje të paqes dhe sigurisë rajonale. Pushtimi i Krimesë nga Rusia dhe kriza e Ukrainës ka angazhuar NATO-n në mbrojtjen e sigurisë së vendeve anëtare pranë zonave të konfliktit, e në këto kushte e vetmja gjë që i mbetet Putinit të bëjë, është të gjejë ose të krijojë vatra të reja konflikti larg Rusisë, për të detyruar SHBA-të dhe BE-në të shpërqendrohen nga kriza ukrainase dhe të zbusin presionin mbi kufijtë e saj. Në këtë situatë Rusia kthen sytë nga Ballkani Perëndimor.

Bazuar në taktikat e nxitjes së konflikteve që ka realizuar Moska deri më sot, Maqedonia plotëson kushtet ideale për të krijuar një vatër të re destabilizimi në rajon. E nëse kjo mund të ndodhë, shqiptarët duhet të jenë unik rreth objektivave strategjike të shtruara në deklaratën e përbashkët të partive shqiptare të Maqedonisë. Krahas unitetit të nevojshëm vigjilenca është e domosdoshme, sepse të gjithë ata që kanë interes që në Maqedoni të ndizen gjakrat, çojnë ujin në mullirin e WMRO-së, e cila është forca politike përfaqësuese e urrejtjes ndërnacionale, dhe tashmë e mbështetur hapur nga Moska zyrtare.