Kryeministri Rama ishte në Kretë ku takoi shqiptarët. Rama foli me patos dhe entuziazëm se jemi në rrugën e duhur për tu pranuar në BE dhe në vitin 2027 mbyllin krejt procesin e negociatave tona me Brukselin.
Ai e nis me “Ky vend ku historia ka parë jashtëzakonisht shumë dhe ka lënë shënim shumë gjëra me shumë rëndësi jo thjeshtë për Greqinë por për të gjithë Europën. Këtu në Kretë, Zeusi rrëmbeu princeshën që më pas e çoi diku tjetër, dhe emri i saj ishte Europa. Ndaj Kreta konsiderohet djepi i qytetërimit evropian”, tha Rama.
Arvanitasit janë të njohur këtu për faktin se për vite të tëra ishin mbrojtësit e Kretës.
Kryeministri e vuri theksin tek komuniteti shqiptar në Greqi, duke kujtuar historinë e tyre të vështirë, ku shumë shqiptarë erdhën në këtë vend krejtësisht të varfër, por që sot janë pjesë e pandarë e krenarisë kombëtare. Ai apeloi për të mos lënë të shuhet shpresa për anëtarësimin në BE dhe për të u bashkuar më 11 maj për këtë kauzë të rëndësishme.
“Jemi këtu për të shkruar një copëz historie që fati ka dashur të na jepet ne mundësia ta shkruajmë bashkë. Për të ardhur deri këtu shumë të tjerë para nesh e ëndërruan: Historinë e Shqipërisë të pandarë nga Europa. Mua nuk më pëlqen termi diasporë, por shqiptarët e botës dhe Europës e që u regjistruan më 11 maj ti japin një shans faktit që Shqipëria të bashkohet një herë e mirë me Europën duke u bërë pjesë e BE.
Janë 65 mijë ndër ta që janë këtu, në Greqi, janë ata dhe pasardhësit e atyre që kaluan kufirin krejtësisht të varfër, të pa përkrahur dhe të vetëm duke i hyrë detit në këmbë në kuptimin e vërtetë të fjalës e që sot janë pjesë e pandarë të gjerdanit të krenarisë të kombit tonë, gjerdan i përbërë nga komunitetet e shqiptarëve në botë, ku pjesa e Greqisë ka hequr më shumë nga të gjithë dhe ia ka dalë të pranohet e integrohet duke punuar si askush tjetër. Të mos e lëmë të shuhet rrezja e yllit për të hyrë në BE por të bëhemi bashkë më 11 maj”, shtoi kryeministri.
Me tej Edi Rama tha: “Në 11 maj të votojmë bashkë aty ku gjendet forca e duhur në kohën dhe vendin e duhur që atë pasaportën që mund t’ju duhet edhe 10-15 vite ta merrni nga shteti grek, ta merrni nga shteti shqiptar si pasaportë e Bashkimit Europian.
Kijeni parasysh që pasaporta shqiptare e BE është njësoj, si ajo greke, spanjolle, gjermane. Me pasaportën shqiptare mund të qëndroni këtu, të punoni, ta transferoni këtu çdo të ardhur nga pensioni atje, dhe shteti këtu duhet dhe ju njeh që në momentin që merrni pasaportën për punën që keni bërë këtu. Me pasaportën shqiptare të BE jeni njësoj jo vetëm në realitetin e përditshëm por edhe në atë të ligjit, qytetarë europiane të barabartë me të njëjtat lirie të drejta.
Pavarësisht se një nga ju e ka pasaportën apo dokumentet, momentin që të gjithë bashkë keni pasaportën shqiptare të BE bëheni jo vetëm të barabartë në të gjitha, por edhe po aq sa edhe grekët e çdo europian tjetër subjekt i të gjitha shërbimeve që ky vend dhe çdo tjetër i BE i jep shtetasve të tij. Ka vetëm një përgjgije, është në dorën tuaj,. Është vota e11 majit që Shqipëria deri në vitin 2027 të mbyllë negociatat dhe brenda vitit 20230 të bëhet anëtare me të drejta të plota në BE”.
Gjithashtu kryeministri foli edhe për gjuhën shqipe. Ai tha se “Kreta është historikisht një ishull kokëfortësie, njerëzit më kokëfortë të historisë së këtij vendi kanë dalë këtu në Kretë. Por edhe ju duhet të jeni nga shqiptarët më kokëfortë që keni ardhur këtu, keni rezistuar dhe keni triumfuar këtu. Prandaj dua t’ju them se si sot 1 vit këtu do të jetë në dispozicionin tuaj konsullata e Shqipërisë. Ju nuk do të keni nevojë të shkoni në Athinë, njësoj siç vlonjatët apo shkodranët e kanë tmerr kur ju thua shkoni në Tiranë dhe unë e di që e keni tmerr kur ju thoni shkoni në Athinë. Shtetin shqiptar do t’ua sjellim këtu në Kretë”, u shpreh Rama.
Kreu i qeverisë foli edhe për programin e gjuhës shqipe duke theksuar se ai do të zgjerohet me mësues por edhe për një aplikacioni i cili do të jetë në celularin e çdo emigranti.
“Kemi mbi 50 mësues për mësimin e gjuhës shqipe në Greqi, 8 prej tyre janë këtu në Kretë. Programi i mësimit të shqipes do të zgjerohet qoftë me mësues këtu, qoftë me aplikacion që është thuajse gati. Do ta tregojmë javët në vijim. Një aplikacion që kushdo do ta ketë në telefonin e vet për t’i mësuar fëmijëve gjuhën shqipe në një mënyrë shumë miqësore dhe tërheqëse. Ne duam që fëmijët e Shqipërisë të zgjedhin ku të duan, por ama çdo herë kur të dëgjojnë shqip të dinë se çfarë thuhet dhe të dinë se çfarë thonë”.