Fatjona Mejdini / Edi Rama hapi një ekspozitë me punët e tij në Hong Kong, por ndërsa disa thonë se ekspozitat e tij tërheqin vëmendje të mirë për Shqipërinë, të tjerë mendojnë se ai po abuzon me pozicionin e tij për të promovuar veten. Kryeministri shqiptar, Edi Rama, hapi një ekspozitë personale me vizatimet e tij pas vizitës zyrtare të mërkurën në Hong Kong. Ekspozita, e quajtur “Calendar Blossoms”, u mbajt në galerinë JaoTsung dhe paraqet dhjetëra punë të Ramës, të pikturuara në tavolinën e tij të zyrës dhe ndonjëherë mbi dokumente të punës. Kjo është hera e tretë këtë vit që Rama, një piktor me profesion, ka hapur një ekspozitë personale jashtë shtetit pasi ka përfunduar axhendën e tij zyrtare. Dy të parat u hapën në Berlin në prill dhe në Mynih në shtator, kur ai prezantoi mbi 100 piktura në secilën ekspozitë. Kryeministri e ka ndarë lajmin për to në median sociale, duke theksuar interesin e madh që ka treguar media lokale për veprat e tij të artit. Disa media shqiptare supozuan se gjatë ekspozitave në Gjermani, Rama shiti disa nga grafikat e tij për 1,000 euro copa.
Kur u pyet për fitime te tij, kryeministri Rama tha se do të zbulonte fitimet e ekspozitave në deklarimin vjetor të pasurisë që do të publikohet në fillim të 2016.Kjo nuk është hera e parë që Rama ka fituar para nga hobet e tij. Në vitin 2014, ai deklaroi rreth 15,000 euro fitime nga libri i tij “Kurban”, shkruar kur ishte lider i socialistëve në opozitë.
Fate Velaj, këshilltari i kryeministrit për Diplomacinë dhe Kulturën Europiane, tha për BIRN se pavarësisht se është kryeministër, Rama merr rregullisht ftesa për të prezantuar punën e tij jashtë shtetit.
“Nuk duhet të harrojmë se Rama është një artist dhe në thellësi të ndërgjegjjes së tij ai do të mbetet i tillë dhe të zgjidhë problemet në mënyrën më artistike të mundshme,” tha ai.
Velaj, edhe vetë një artist, beson se statusi i tij si kryeministër dhe si një artist hedh një dritë pozitive mbi Shqipërinë dhe i bën njerëzit më të interesuar për “një vend për të cilin nuk dinë shumë”.
Por jo të gjithë artistët mendojnë njëlloj. Ardian Isufi, një artist dhe profesor në Universitetin e Arteve në Tiranë, tha për BIRN se Rama nuk po i bën favore Shqipërisë, por “ka përdorur pushtetin për fitime personale” dhe ka tërhequr vëmendje si artist vetëm për shkak se është kryeministër.
“Në vend që të promovojë artin shqiptar në botë, ai gjen mënyra për të promovuar punët e tij,” tha ai.
Isufi tha se qeveria shqiptare nuk ka një vizion të qartë për artin dhe se artistët nuk kanë mundësi për të prezantuar punët e tyre në galeri të rëndësishme dhe në forume jashtë vendit.
“Ne jemi të përjashtuar nga sistemi global i artit dhe asnjë artist tjetër shqiptar përveç Ramës nuk po mban ekspozita në qendra të rëndësishme si Lodër, Berlin dhe Nju Jork,” vazhdoi ai. Kryeministri në të shkuarën ka qenë një profesor në Akademinë e Arteve në Tiranë dhe ka hapur disa ekspozita pikture në vitet 1990 kur jetonte jashtë shtetit.
Fatjona Mejdini është gazetare e Balkan Insight për lajmet nga Shqipëria.