Rregulli i ri i Bashkimit Europian: Ja si parashikohet lehtësimi i lëvizjes së njerëzve

Shendeti

Vendet e Bashkimit Europian do të përdorin rregulla të reja për udhëtimet. Shtetet anëtare janë këshilluar të heqin të gjitha masat anti-covid që janë bazuar në incidencën e shtetit nga nisen udhëtarët dhe t’i zëvendësojnë ato me kufizime bazuar në gjendjen e individit.

Këshilli i BE i aprovoi rekomandimet e reja disa ditë më parë, në përpjekje për të lehtësuar lëvizjen e lirë dhe për ta bërë atë të sigurtë. Sipas vendimit, të gjitha kufizimet duhet të hiqen për udhëtarët që zotërojnë një Certifikatë Digjitale Europiane për Covid-19, që vërteton vaksinimin me të paktën dy doza në 270 ditët e fundit, certifikatë shërimi të lëshuar në 180 ditët e fundit, ose një test negativ të kryer në 72 orët e fundit nëse është PCR, në 24 orët e fundit nëse është rapid test.

Ata udhëtarë që nuk kanë një Pasaportën Europiane Imuniteti duhet të kryejnë një test për Covid-19, 24 orë përpara mbërritjes. Këto rregulla të reja nuk janë detyruese për vendet e BE-së që t’i zbatojnë, por vijnë në formën e një rekomandimi. Nga ana tjetër, situata me shifrat e pandemisë mbetet problematike në Europë. Kjo bëri që masat të ashpërsohen. Austria nisi me zbatimin e vaksinimit të detyruar për të gjithë të rriturit pa përjashtim. Ata që refuzojnë do të gjobiten me shuma të majme.

Ndërkohë, edhe Italia ashpërsoi kufizimet për personat e pavaksinuar ndaj Covid-19 duke u limituar qasjen në shërbime dhe hapësira të tjera. Qytetarët për të hyrë në zyra shtetërore, banka, librari, qendra tregtare dhe shumë shërbime të tjera duhet të paraqesin pasaportën e imunitetit.