“Rusia të ndalojë menjëherë”, Xhaçka reagon pas vendimit të Gjykatës së Hagës

Politika

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka ka reaguar lidhur me vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila urdhëron Rusinë që të ndalë menjëherë sulmet në Ukrainë.

Xhaçka theksoi se Shqipëria e mbështet urdhrin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, ndërsa i bëri thirrje Rusisë që t’i bindet këtij vendimi.

“Mirëpritëm vendimin e sotëm të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, për masat e përkohshme për pezullimin e menjëhershëm të operacioneve ushtarake nga Rusia ose nga ndonjë organizatë apo individ. Shqipëria mbështet plotësisht vënien para përgjegjësisë për çdo krim të kryer në Ukrainë dhe i bën thirrje Rusisë që t’i bindet urdhrit të Gjykatës”, u shpreh ministrja Xhaçka.

Sipas vendimit, të dyja palët duhet të përmbahen nga çdo veprim që mund të rëndojë, ose zgjerojë mosmarrëveshjen përpara Gjykatës, ose ta bëjë më të vështirë zgjidhjen e saj.