Shpenzimet për mbrojtjen, Shqipëria e fundit

Kryesore

 

 

Azem PARLLAKU  /  Kanë kaluar më shumë se tre vjet, kur Ministrja e Mbrojtjes në detyrë Mimi Kodheli, problemet në Ushtri i lidhte pashmangshmërisht me menaxhimin e financave.

Në takimet e saj si ministre, Kodheli gjithnjë e më shumë artikulon frazën; “Mënyra sesi menaxhoheshin Forcat e Armatosura, për ne, që vinim nga opozita, ishte e qartë. Reparte ushtarake që përdoreshin për kërkime thesarësh, helikopterë ushtarakë që fluturonin për video muzikore. Aparate përgjimi që kushtonin miliona euro e përgjonin politikanë të opozitës e diplomatë të huaj. Koncerte që kushtonin më shumë se çdo paketë modernizimi luftarak, etj”. 16 milion euro ishte borxhi i akumuluar në Ministrinë e Mbrojtjes, ku po sipas Kodhelit; “Shpenzohej për çdo gjë, por nuk punohej mbi asnjë projekt të qartë modernizimi. Çdo gjë i duhej paguar sistemit të korruptuar të ngritur nga bashkëpunimi i politikanëve me disa ushtarakë të padenjë për uniformën që mbanin. Dhe ato vlerat që ne përmendim shpesh si ndershmëria e patriotizmi, tek elita drejtuese, ishin shndërruar në rryshfet për vende pune, marrjen e gradës së radhës, si dhe për të shkuar në mision jashtë vendit. Paguhej për çdo gjë, si në një shoqëri orientale të Mesjetës, ku bakshishi e ryshfeti lubrifikonin administratën në krye të një Force të Armatosur të një vendi anëtar të NATO-s”.

Për ata që nuk i njohin sa e si duhet çështjet që kanë të bëjnë me mbrojtjen, duket se zonja Kodheli ka të drejtë, teksa në fakt situata është krejt ndryshe, për të mos thënë, më keq se tre vjet më parë. Nëse tre vjet më parë kishte një paketë të modernizimit të flotës së helikopterëve, sot kemi dy helikopterë më pak, të cilët Forca Ajrore, i humbi “në misionet rutinë”, kurse ende nuk janë zbardhur hetimet për aksidentet ajrore në fjalë, në të cilat janë shënuar dhe viktima. Ashtu siç tre vjet më parë edhe sot, Ministria e Mbrojtjes organizon koncerte pa kurrëfarë impakti, duke paguar salla, e honorare për këngëtare e muzikantë. Vetëm me 4 dhjetor fatura e “Koncertit të Lirisë” ishte dhjetra mijë euro. “Ushtarakët e padenjë të uniformës”, të cilët përmend Kodheli, janë i njejti ekip i gjeneralëve komandantë dhe dhjetra kolonelët e Shtabit të Përgjithshëm, të cilët kanë lëshuar rrënjë në detyrat që mbajnë, e zyrat që menaxhojnë, ç’ka do të thotë se drejtuesit e lartë propozues dhe të vendimarrjes ushtarake, janë, të njejtët e para tre viteve. Ata dyqind ushtarë profesionist të dy kompanive të misioneve, janë të njejtët, që marrin dhe i dorëzojnë stafetën njëri-tjetrit, ku 70% e tyre, kanë lidhje të ngushta me drejtuesit e lartë civilë e ushtarakë të Ministrisë së Mbrojtjes.

Sot në vitin 2016, Instituti Bruegel i cili, ka si mision përmirësimin e cilësisë së politikave ekonomike, me hulumtime, analiza dhe fakte të bazuara në debat, nëpërmjet një raporti të publikuar këto ditë, ka renditur Shqipërinë, si e fundit anëtare e NATO-s, që ka ulur GDP-në e shpenzimeve të saj ushtarake. Në vitin 2017, thuhet në raport shpenzimet për mbrojtjen në Shqipëri do të janë 0,75 e GDP-së, përkundrejt 1,5% të GDP-së në vitin 2009. Në ekspertizën e Bruegel, nënvizohet me forcë se; Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka bërë deklarata kritike rreth shpenzimeve të ulëta të mbrojtjes evropiane gjatë fushatës zgjedhore, një sinjal për Europën e cila duhet të kontribuojë më shumë për koston e sigurisë së saj. Në të vërtetë, Trump ka bërë thirrje për një rishikim të shpenzimeve të mbrojtjes të anëtarëve në NATO, teksa ka artikuluar se SHBA-të, shpenzojnë (paguajnë) pjesën e luanit. Anëtarësimi në NATO vjen dhe me detyrimet financiare. Anëtarët duhet të kontribuojnë në buxhetin bazë të organizatës (llogaritjet mbështeten në të ardhurat kombëtare bruto). Më e rëndësishmja, është përmbushuja e objektivt të shpenzimeve të mbrojtjes prej 2% të GDP-së, por shumica e anëtarëve të NATO-s kanë dështuar për të përmbushur këtë nivel, Kroacia lë pas Shqipërinë si e fundit.

 

“Pesë përqind e njerëzve në uniformë marrin pjesë në misione ushtarake jashtë vendit, nga Afganistani në Kosovë, nga Letonia në Mali, nga Bosnja në Detin Egje. Mbi 300 burra e gra punojnë çdo ditë në shtabet dhe komandat e Aleancës, duke kryer detyra nga më të ndryshmet”, është shprehur Kodheli gjatë një takimi me ushtarakët këtë fundviti. Lind pyetja çfarë bëjnë 95% e njerëzve në uniformë (?!). Ironikisht në tabelën e punonjësve, numri i personelit të Ministrisë së Mbrojtjes për vitin 2017 është parashikuar 8.860, pra ka një rritje me 360 vetë? Ndërkohë që numri limit i personelit është atribut i Parlamentit. Në rastin konkretet, në Rishikimin Strategjik të Mbrojtjes, Strategjinë Ushtarake, dhe Planin Afatgjate të Zhvillimit të FA 2016-2025, numri limit i miratuar me ligj nga Kuvendi është përcaktuar në 8.500 brenda vitit 2015? Këshilltari ushtarak i Presidentit nëpermjet një qëndrimi publik, theksonte se; “Buxheti i Mbrojtjes për vitin 2017 është afërsisht 2.8 herë më i ulët se niveli 2% GDP-së, një synim kombëtar i konfirmuar në NATO dhe angazhim i nënshkruar nga 28 Kryetarët e Shteteve të NATO-s në Samitin e Wellsit, në 2014, dhe të Varshavës, në Korrik 2016. Parë kështu, gjykoj se ky buxhet nuk reflekton shqetësimin e ngritur në mënyrë konstante nga aleatët strategjikë (SHBA) si dhe nuk adreson qëndrimet e Presidentit të zgjedhur Donald Trump, i cili parimin e “ndarjes së barrës” dhe specifikisht këtë shifër (2%) i ka artikuluar si standarde detyruese për vendet anëtare të NATO-s”.

Në vitin 2017, thotë Kodheli; “Ministria e Mbrojtjes Italiane do të na dhurojë 5 mijë pushkë automatike të standardeve të NATO-s, duke plotësuar kështu njëherë e mirë nevojën për armatim perëndimor. Jemi vendi i parë lindor që do të heqë dorë përfundimisht nga kallashnikovi i Luftës së Ftohtë. Edhe një sasi e konsiderueshme mjetesh të blinduara do të vijnë që në fillim të vitit që po vjen nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për të plotësuar nevojën për transport luftarak për trupat që ne kemi në misione jashtë vendit”. Rrjedhimisht nëse duhet modernizuar sistemet dhe pajisjet luftarake; Përse struktura e shpenzimeve të mbrojtjes do të gjendet shumë larg standardeve të NATO-s? Në vitin 2017 Ministria e Mbrojtjes pothuaj 90% të shpenzimeve i ka parashikuar si shpenzime “korente”, teksa vetëm 10% e tyre, do të vihen në dispozicion për modernizimin.