Shqipëria, me sasinë më të ulët të plehrave për frymë në Europë

Aktualitet

Shqipëria e ka kryesuar këtë herë renditjen europiane për prodhimin e plehrave për frymë me sasinë më të ulët.

Nga agregimi i dhënave të INSTAT dhe Eurostat, Shqipëria prodhon 367 kilogramë plehra për frymë në një vit, ndërsa mesatarja e BE-së është 1806 kilogramë.

Ndër shtetet e BE-së, Estonia prodhon sasinë më të madhe të mbetjeve për frymë me 9500 kilogramë mbi katër herë më shumë se mesatarja BE-së, më pas në radhë vjen Belgjika, me mbi 4900 kilogramë për frymë.

Prodhimi i plehrave për frymë është një tregues i mungesës së zhvillimit, pasi prodhuesi më i madh i mbetjeve është sektori i industrisë.

Teksa shohim renditjen e Eurostat, shihet se vendet me përqendrim të lartë të industrisë kanë edhe prodhimin më të madh të mbetjeve për frymë.

Por Shqipëria, edhe pse me këta tregues ka në plan të zhvillojë përpunimin e mbetjeve nëpërmjet metodës me incinerator.

Politikat e BE-së për menaxhimin e mbetjeve synojnë të ulin ndikimet mjedisore dhe shëndetësore të mbetjeve dhe të përmirësojnë efikasitetin e burimeve të Europës. Qëllimi afatgjatë është kthimi i Europës në një shoqëri riciklimi, duke shmangur mbeturinat dhe duke përdorur mbeturinat e pashmangshme si një burim kudo që të jetë e mundur. Qëllimi është të arrihen nivele shumë më të larta të riciklimit dhe të minimizohet nxjerrja e burimeve shtesë natyrore. Menaxhimi i duhur i mbeturinave është një element kyç për të siguruar efikasitetin e burimeve dhe rritjen e qëndrueshme të ekonomive europiane.

Prandaj, Direktiva e Rishikuar e Kuadrit të Mbetjeve 2008 paraqiti një hierarki të mbetjeve me pesë hapa, ku parandalimi është alternativa më e mirë, e ndjekur nga ripërdorimi, riciklimi dhe forma të tjera të rimëkëmbjes, me asgjësimin si deponia si mjet i fundit.