Shqipëria në Samitin e Triestes pa asnjë projekt

Aktualitet

Teksa në 12 korrik do të zhvillohet në Trieste Samiti i Ballkanit Perëndimor, Shqipëria nuk ka këtë vit projekte në infrastrukturë. Këtë fakt e përmendi ambasadori Italian në Shqipëri Z. Alberto Cutillo gjatë një takimi në Rezidencën e Ambasadës, ku u prezantua informacion lidhur me Forumin e Biznesit, që do të mbahet në këtë samit. “Nuk ka projekte konkrete për Shqipërinë në infrastrukturë, ndryshe nga ai i mëparshmi ku ishte projekti i hekurudhës Tiranë-Durrës’, tha ai. “Shpresojmë që në edicionin e ardhshëm të ketë projekte”. Gjithsesi, samiti është i rëndësishëm pasi mund të identifikohen projekte për të cilat mund të hidhen hapa për për zhvillimin e mëtejshëm.

Në 12 korrik do të mbahet në Trieste Samiti i Ballkanit Perëndimor, një nismë ndërqeveritare e krijuar në vitin 2014 për të nxitur një integrim më të madh mes vendeve të rajonit. Aktualisht janë anëtarë të Procesit të Ballkanit gjashtë vende të BE-së (Italia, Gjermania, Franca, Austria, Kroacia, Sllovenia) dhe gjashtë vende të Ballkanit (Bosnjë Hercegovina, Serbia, Mali i Zi, Kosova, Maqedonia, Shqipëria. Në fushën e ekonomisë, samiti do të ketë fokus në zgjerimin e rrjeteve ballkanike të infrastrukturës dhe lidhjen me atë europiane; energjia; rritja e SME-ve; risia dhe zhvillimi; tregu i përbashkët.

Me rastin e samitit, Presidenca Italiane do të organizojë një ofrum biznesi për të promovuar bashkëpunimin ekonomik mes sipërmarrjeve italiane dhe atyre të 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor. Cutillo tha se është e rëndësishme që vendet e Ballkanit Perëndimor të afrohen me Europën. “Në Shqipëri për shkak të afersisë, marrëdheniet me Italinë janë shumë të ngushta”. Ai shtoi se përmes forumit të biznesit do i drejtohemi sipërmarrjeve. Theksi do të jetë tek ndërmarrjet e mesme dhe të vogla, pasi SME-tëi përshtaten më shumë modelit të sipërmarrjeve të Ballkanit.  Sfida është krijimi i një linje ekonomike uniforme. Ka një entuziazëm, shtoi ambasadori, nga vendet që nuk janë anëtare të Bashkimit Europian dhe ky është një element i rëndësishëm për të balancuar pesimizmin që vjen nga vendet e BE.

Serafino Stajano, sekretar i parë i ambasadës dhe përgjegjës për zyrën tregtare tha se forumi i biznesit do të mbahet në 12 korrik dhe do të ketë një sesion institucional të ndarë në katër panele sektoriale: instrumentet financiarë; energjia dhe ambienti; infrastruktura; novacioni. Në fund do të ketë një sesion final, ku do të marrë pjesë edhe ministri i zhvillimit ekonomik të Italisë, Carlo Calenda. Më pas, gjatë pasdites do të ketë takimi biznesi mes sipërmarrjeve italiane dhe atyre nga rajoni. Në total do të jenë 500 kompani italiane dhe nga rajoni që do të marrin pjesë në këtë forum.