Azem PARLLAKU / “Ka qenë një ngjarje që nuk duhej të ndodhte dhe vetë arsyeja që ndodhi në Kosovë është një fakt që na mërzit më shumë, sepse ne jemi dy shtete mike dhe vëllezërore.
Edhe këtë nuk duhet të harrojmë se marrëdhëniet ndërmjet këtyre dy shteteve janë të mrekullueshme në çdo fushë. Mund të ekzistojnë rrethanat që dëshirojnë t’i cenojnë këto marrëdhënie, por ne e shohim këtë akt si të izoluar”, u shpreh ambasadorja e Turqisë në Kosovë, Kivilcim Kiliç, pas sulmit me gurë dhe gaz molotovi që i’u bë Konsullatës së Përgjithshme të Turqisë në Prizren këtë të hënë në orët e mëngjesit.
Disa orë më vonë, Kryeministri Rama përkrah Kancelares Merkel, do të theksonte midis të tjerave; “Unë nuk ju them asgjë të re, duke nënvizuar edhe sot faktin se kjo situatë e re premtuese në rajon lidhet me fuqinë e madhe tërheqëse që ka Europa për ne, gjë që ju e keni konstatuar dhe nënvizuar vazhdimisht. Por, po ashtu dua të nënvizoj se në këtë situatë shumë pozitive për rajonin tonë, as ne dhe as miqtë dhe partnerët tanë europianë nuk duhet t’a marrin të mirëqenë atë që kemi arritur, sepse në hapësirën tonë rajonale veprojnë dhe aktorë të tretë, të cilët synojnë të shfrytëzojnë çdo lëkundje, çdo paqartësi apo vakum që mund të krijohet në marrëdhënien tonë me Bashkimin Europian”.
Deklarata e kreut të ekzekutivit të Shqipërisë dhe ajo e diplomates së Turqisë, në të njejtin hark kohorë, e dëshmojnë se, për cilin “aktor të tretë” bëhet fjalë. Një aktor që kërkon, të mbushë vakumin gjeopolitik në hapsirën ballkanike. Interesat konfliktuese midis Bashkimit Europian, nga njëra anë, dhe rolit të ri të NATO-s në Europë, veçanërisht pas zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, janë duke e influencuar drejtëpërsëdrejti pozicionin e Turqisë njëherazi në çështjet rajonale dhe në NATO. Presidenti turk Erdogan, i lodhur nga burokracia europiane për zgjerim, këto ditë ka thënë se, është Europa ajo që po na lodh me “një dashuri të pamundur”.
Përtej diskursit të thellësisë strategjike dhe referimit të thellësisë gjeografike dhe historike, kalkulimet e qarta gjeopolitike për pozicionin e Turqisë në Ballkan, po influencojnë në qasjet diplomatike përmes angazhimeve dhe aleancave rajonale. Aktualisht në Ballkan balanca e fuqive rajonale është në proçesin e formimit, ndaj dhe Turqia ka preferuar të qëndrojë aktivisht e pranishme, mbasi rajoni është akoma tejet sensitiv dhe tregon paqëndrueshmëri të madhe sidomos në linjat kritike të gjeopolitikës. Davutoglu një diplomat i spikatur i shtetit turk, më herët ka artikuluar se, “Marrëveshja e Dejtonit, që i dha fund luftës boshnjake, përfaqëson vetëm një zgjidhje të përkohshme dhe nuk i adreson shkaqet e konfliktit. Përderisa edhe çështja shqiptare gjithashtu mbeti e pazgjidhur, Ballkani do të vazhdojë të jetë një zonë interesash konfliktuale dhe lufte fuqish në finalizimin e zonës mbrojtëse dhe të sigurisë evropiane”.
Drejtuesit e shtetit turk në vijmësi i kanë mëshuar idesë se, trashëgimitë më të rëndësishme me ndikim në mardhëniet e fuqive të mëdha me Ballkanin janë; Ai aktiv gjerman në rajon, i zgjeruar nëpërmjet Austrisë dhe Hungarisë deri në Slloveni, Kroaci dhe Detin Adriatik. Ai i traditës sllavo-ortodokso-kristiane, me Rusinë si aktor kryesor, që e zgjeron influencën e saj mbi Bullgari dhe Serbi deri në Greqi, Detin Egje dhe atë Adriatik. Dhe e treta është trashëgmia osmane, e cila mbështetet thellësisht në grupet etnike në Ballkan që e identifikojnë veten ngushtësisht me kulturën osmane. Udhëheqësit e Ankarasë aleatë të fuqishëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, janë të bindur se, Shtetet e Bashkuara nevojitej që të bëheshin me boshnjakët dhe shqiptarët gjatë krizës në Ballkan, në mënyrë që ta zgjeronin influencën e tyre dhe t’a spostonin balancën rajonale në favor të tyre. Dhe kjo është arsyeja se pse është në interesin e Turqisë që ta ndjekë nga afër politikën ballkanike të Shteteve të Bashkuara.
Për të siguruar suksesin e saj në Ballkan dhe politikën botërore të fuqive, Turqisë i duhet që të vendosë një balancë midis kulturës politike të brendshme (nëpërmjet ruajtjes së imazhit të një vendi të moderuar islamik si shembull pozitiv për rajonin dhe i pajtueshëm me të drejtat njerëzore universale, liritë, parimet e demokracisë dhe lirisë) dhe çështjeve të jashtme (kur mbështet qartë opsionin islamik në rajon) Shqiptarët sipas politikbërësve turq, janë një komunitet që e ka ruajtur më së shumti trashëgiminë veçanërisht atë fetare, e gjithnjë e më tepër e ndiejnë veten ekonomikisht dhe kulturalisht të varur nga fuqia dhe influenca e Turqisë në Ballkan. Në këtë kuptim, mbështetja e popullsisë myslimane në Ballkan është imperativ për Turqinë që t’i arrijë objektivat e politikës së jashtme të saj.
Davutoglu një frymëzues i politikës së jashtme të Turqisë, kur merr në analizë konfliktin e armatosur në Kosovë nënvizon qartësisht se, Kosova kishte dhe ka një implikim të rëndësishëm për sigurinë e rajonit. Shqiptarët në Kosovë mbajnë kontakte intensive dhe të ngushta me shqiptarët që jetojnë në Maqedoni, Shqipëri dhe Mal të Zi. Në kundërshtim nga kriza boshnjake që u lokalizua kryesisht në Bosnje dhe Hercegovinë, problemi i shqiptarëve në Ballkan mund të ketë efekte shumë më të mëdha dhe mund të përhapet në të gjithë rajonin. Ai mund të përhapej lehtësisht në Maqedoni dhe të përbënte një problem në Shqipëri gjatë viteve 1998-1999. Në këtë kuptim, për shkak të strukturës së saj tejet sensitive etnike dhe fetare, problemi i Maqedonisë është çështje rajonale gjithashtu e rëndësishme për Turqinë. Fakti që ka një popullsi të madhe shqiptare në Kosovë e Maqedoni mund ta bëjë Serbinë dhe Greqinë tejet të përfshira në krizën lidhur me çështjen shqiptare. Përderisa Serbia, Greqia dhe Bullgaria kanë interesa që janë të kundërta me ato të Turqisë në zgjidhjen e kësaj çështjeje, Turqia duhet t’i mbështesë komunitetet shqiptare në Kosovë e Maqedoni në pretendimin e të drejtave të tyre në rezistimin e presionit nga vendet e sipërpërmendura. “Krijimi i një aleance rajonale më të gjerë antiturke duhet të parandalohet”, shprehet Davutoglu.
Një prej stimuluesve për aktivizmin e Turqisë në Ballkan është padyshim suksesi ekonomik dhe ngjitja e saj si një nga ekonomitë botërore. Për Turqinë, Shqipëria është një nga tregjet e preferuara të eksportit të mallrave, teksa kompani turke kanë realizuar dhe zhvillojnë projekte në sektorin minerar dhe ndërtimtari. Po kështu në Kosovë investimet e drejtpërdrejta turke kryesohen nga sektori bankar dhe minerar. Edhe pse prej vitesh është artikuluar se Turqia është një ndër partnerët strategjikë të Shqipërisë, deri më sot ende nuk ka një dokument që formalizon këtë partneritet. Gjatë vizitës së tij zyrtare në Ankara, ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati në takimin me homologun e tij, Mevlut Cavushoglu, kanë rënë dakord për nënshkrimin sa më të shpejtë të kësaj marrëveshje, si dhe pasimin e saj me një mbledhje të përbashkët të qeverive të të dy vendeve. Turqia është shprehur e gatshme që të rrisë kontributin dhe asistencën në turizëm, energji, mbrojtje, siguri apo edhe bashkëpunim policor.
Dy janë rrymat më të fuqishme politike por edhe ekonomike e kulturore në Turqi, që investojnë në hapsirën shqiptare, njëra kontrollohet nga presidenti Rexhep Taip Erdogan dhe tjetra nga rivali i tij Fetullah Gylen. Për një pjesë të shqiptarëve turqit janë “vëllezër” për nga besimi fetar, ndërsa kritikët investimet turke në Kosovë dhe Shqipëri i shohin si tendencë “ripushtimi”.
Dy rrymat fetare islamike guleniste e erdoganiste janë në garë, të parët kanë investuar kryesisht në arsim, të dytët më së shumti ndërtojnë xhami. Gulenistët anatemohen se po punojnë fort për mjegullimin e kujtesës sonë kombëtare, arsimtarët e medreseve dhe pedagogët e Universitetit të tyre, e shpjegojnë historinë sipas këndshikimit të pushtuesve osmanë. Në zinxhirin arsimor gulenist janë arsimuar mjaftueshëm nxënës e studentë, ku nuk mungojnë qindra prej fëmijëve të politikanëve dhe biznesmenëve shqiptarë. Ndërkaq erdoganistët shënjestrohen se janë ata që më së shumti frymëzojnë xhihad.
Dhjetëra xhami të reja, nëpër Shqipëri dhe Kosovë, si dhe restaurimi i gati të gjitha xhamive e objekteve tjera fetare të ndërtuara në kohën e pushtimit të Perandorisë Osmane, financohen nga donatori kryesor, Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA). Ajo është themeluar nga qeveria turke, dhe në Shqipëri dhe në Kosovë udhëhiqet nga Ambasada turke. Disa hulumtues të vëmendshëm kanë nxjerrë konkluzionin se, në të shumtën e rasteve, TIKA mban fshehtë financat, zyrtarisht nuk ka shifra se sa para investon. Dyshohet se paratë i sjell në mënyrë ilegale dhe jo përmes bankave.
Platforma neootomane e Ankarasë apo nacionalizmi fetar i saj nuk janë më spekullime mediatike, as drafte teorike apo monografi si ato të ish-ministrit të Jashtëm, Davutoglu.
Rrëshqitja që po evidentohet, të shtyn të mendosh, se po luhet “në mënyrë sovrane”, duke ndjekur interesat e lidershipit politik të Tiranës dhe Ankarasë. Çështja është se cilat janë këto interesa? Askush nuk di të thotë gjë për momentin në këtë grumbull lëvizjesh që ngjajnë pa sens dhe në kundërshtim me njëra-tjetrën.