MES DY BOTËVE: TË JETOSH PA U KRAHASUAR – POR PËR T’U KUPTUAR.

Aktualitet Opinion
Nga LINDITA KULLA
Në ditët e fundit, pas reflektimeve që solli samiti i katërt i diasporës në Tiranë, ndjeva nevojën të shpreh një ndjesi që e mbaj prej shumë vitesh brenda vetes ,një ndjesi që nuk është vetëm e imja, por e shumë shqiptarëve që jetojnë në Greqi.
Prej 35 vitesh jetoj në Athinë.
Kam ndërtuar jetën time këtu me punë, sakrifica dhe përpjekje të vazhdueshme për të ruajtur identitetin tim. Kam mësuar të përshtatem, të respektoj dhe të jetoj në një shoqëri tjetër, pa harruar asnjëherë kush jam dhe nga vij.
Por, pavarësisht kësaj, ekziston një ndjenjë që na shoqëron shpesh: ndjenja se jemi në mes dy botëve.
Nga njëra anë, në sytë e një pjese të shoqërisë greke, vazhdojmë të shihemi si “të huaj”, si njerëz që duhet të dëshmojnë veten më shumë se të tjerët.
Nga ana tjetër, në sytë e disa bashkëkombësve tanë, ndonjëherë shihemi si “grekë”, sikur kemi humbur lidhjen me rrënjët tona.
Dhe kjo… na prek.
Na lodh.
Na plagos në heshtje.
Kjo nuk është ankesë dhe nuk është kundërshti.
Është thjesht një realitet i përjetuar, një ndjenjë e sinqertë që shumë prej nesh e mbartin prej vitesh.
Sepse askush nuk dëshiron të krahasohet për të parë nëse vlen më pak apo më shumë.
Çdo njeri ka historinë e vet, rrugën e vet, dinjitetin e vet.
Ne nuk jemi as më pak shqiptarë, as më shumë grekë.
Ne jemi njerëz që kemi ndërtuar jetën mes dy kulturave, duke ruajtur gjuhën, traditën dhe vlerat tona, ndërkohë që respektojmë vendin ku jetojmë.
Kjo ndjesi nuk i përket vetëm brezit tonë.
Ajo vazhdon edhe tek të rinjtë, tek fëmijët tanë, që rriten me dy gjuhë dhe me dy kultura, shpesh duke pyetur veten: “Ku i përkas?”
Ndoshta është koha të mos vendosim më etiketa.
Të mos kërkojmë ndarje aty ku ka përzierje.
Të mos krahasojmë, por të kuptojmë.
Sepse nuk është gabim të jetosh mes dy botëve.
Gabim është vetëm kur kjo përjetohet si përjashtim.
Ne nuk kërkojmë më shumë se sa të dëgjohemi me respekt.
Të pranohemi ashtu siç jemi.
Të mos shihemi përmes paragjykimeve.
Sepse në fund, identiteti nuk është një zgjedhje mes dy anëve.
Është një urë që lidh.
Dhe një urë nuk kërkon të zgjedhë anë ,ajo ekziston për të bashkuar.