Nga Londra Kujtim VANI
Çfarë nuk po dëgjojmë këto ditë! Një pjesë e mirë e komentatorëve sillen sikur janë pjesë e ndonjë stafi politik ndërkombëtar, ndërkohë që thelbi i problemit mbetet i paprekur. Ironia është se unë vetë nuk jam pjesë e këtij samiti – nuk kam marrë asnjë ftesë. Dhe megjithatë, nga sa kuptohet, ky ishte një aktivitet pa ftesa formale: mjaftonte të shpenzoje disa sekonda dhe bëheshe pjesë e listës.
Por ajo që të lë shije të hidhur është diçka shumë më e rëndësishme: mungesa totale e zërit për problemet reale të diasporës. Askush nuk ngre shqetësimet tona. Askush nuk kërkon që samite të tilla të organizohen nga vetë diaspora, në vendet ku shqiptarët jetojnë dhe kontribuojnë më shumë. Askush nuk pyet pse nuk janë përfshirë ata që kanë arritur suksese të jashtëzakonshme – ata që kanë marrë grada shkencore në vendet ku jetojnë, apo ata që kanë rrezikuar jetën për të shpëtuar të tjerët në tragjedi të ndryshme, qoftë në Greqi, në Mbretërinë e Bashkuar apo në Itali.
Ne shqiptarët shpesh kemi prirjen të mbivlerësojmë veten dhe njëkohësisht të heshtim përballë realitetit. Ndërkohë, politika vazhdon të prodhojë spektakël, ndërsa vendi ynë mbetet në vështirësi të thella.
A e pyeti ndonjëherë dikush veten për mijëra shqiptarë që jetojnë dhe punojnë jashtë pa dokumenta? Për ata që nuk kanë pasur mundësi të përqafojnë familjet e tyre për vite me radhë? Sot i shpëton teknologjia – rrjetet sociale – përndryshe do të rrezikonin të harronin edhe fytyrat e fëmijëve të tyre. Dhe është e padrejtë që pikërisht këta njerëz të gjykohen, ndërkohë që shumë prej nesh nuk kemi kaluar asnjëherë kufirin në mënyrë të paligjshme, por nuk duhet të harrojmë se rrugët e jetës nuk janë njësoj për të gjithë.
A kemi menduar ndonjëherë fuqinë që kemi si komunitet? Vetëm 1 euro në muaj nga secili prej nesh do të mjaftonte për të ndërtuar qendrat më të mëdha kulturore shqiptare në vendet ku jetojmë. Atëherë jo vetëm që shteti do të interesohej, por politika do të detyrohej të përkulej përpara forcës së organizimit tonë.
Ndërkohë, një brez i tërë fëmijësh shqiptarë po rritet jashtë vendit pa ditur të flasin shqip, pa njohur historinë dhe traditat e tyre. Ky është një alarm që nuk mund të injorohet më.
Është koha të fillojmë nga vetja. Të kërkojmë të drejta elementare për bashkëkombësit tanë – për ata burra dhe gra që punojnë, kontribuojnë në ekonomitë e vendeve ku jetojnë, por mbeten të padukshëm, të kufizuar, të privuar nga e drejta më bazike: lëvizja e lirë.
Unë personalisht nuk kam kaluar asnjëherë kufirin në mënyrë ilegale. Por kjo nuk më ndalon – përkundrazi, më obligon – të ngre zërin për ata që nuk kanë pasur të njëjtat mundësi. Nuk do të resht së kërkuari që ata të kenë të njëjtat të drejta, të njëjtin dinjitet, të njëjtën mundësi për një jetë normale.
Mjaft më me retorikë boshe dhe vetëlavdërime.
Të bashkohemi. Të kërkojmë të drejtat e mërgimtarëve. Të ndërtojmë forcën tonë si diasporë. Dhe mbi të gjitha, të kontribuojmë realisht për ndryshimin e Shqipërisë – duke filluar nga politika e vjetëruar dhe deri tek një shtet që sot, fatkeqësisht, shpesh duket si prej kartoni.


