Shqipëria si anije piratësh…

Kryesore Politika

anija ne focus-2Artan FUGA /  Pyetjet që shtrohen me rastin e eksodit masiv të popullsive joeuropiane apo europiane por që jetojnë jashtë BE drejt vendeve të kësaj bashkësie, shtrojnë sot pyetje shumë të rëndësishme; i vendosin ato në rendin e ditës, ndërkohë që natyrshëm kanë ardhur në qendër të arsyetimit tim te libri Shoqëria Periferike. Po kush të dëgjon se ??? Ik o qëroju duket se të thonë, na plasi ne për studimet e tua, a ka ndonjë tender për të kapur a ndonjë korrupsion për të bërë? Shqipëria është mësuar të drejtohet si anije piratësh, me sy, pa instrumente naviguese.

Pyetja e parë : A është e mundur që të zhvillohemi nëpërmjet emigracionit shqiptar në vendet e BE?

Kam pasur rastin të përgjigjem duke thënë : Jo! Ikja e popullsive në emigrim, edhe nëse sjell parà në vend e shkatërron atë vend. Nëse doni ta dini se përse ndodh kështu mund ta shpjegoj, por do shumë kohë. E kam shkruar tashmë te ai libër.

Pyetja e dytë : A mundet qendra, ciladoqoftë ajo, Europa, Gjermania, Qyteti, kryeqyteti të zhvillohet nëse than ekonomikisht periferinë e vet, pra gjithë botën ose hapësirën rurale që kanë rreth tyre?

Përgjigja është : Jo ! Harrojeni. Nëse doni ta dini se përse kështu, ja u shpjegoj por kërkon së paku nja tre muaj mësim.

Pyetja e tretë: A mundet që tanimë të ekzistojë qarkullimi i lirë i mallrave pa qarkullimin e lirë të njerëzve, dhe a mundet që të ekzistojë qarkullimi i lirë i njerëzve në kushtet e pabarazive ekonomike midis zonave të caktuara të një vendi apo kontinenti.

Përgjigja është: Jo! Duhet kohë e gjatë për ta shpjeguar por mua më ra goja duke e përsëritur, por kush e ka mendjen të marri dije. Këta duan arsim, por jo dije. Shihini kur edhe lëvizjen e lirë pa viza ta reduktojnë keq e më keq.

Pyetja e katërt: A është zgjidhje ekonomike dhe zhvilluese që nëpërmjet emigracionit popullsia të mblidhet në një vrimë të vetme, në Gjermani, apo buzë Lanës?

Përgjigja është : Jo! Pëlcisni nga inati apo dëshira, por këtë nuk e luan topi. Po deshët dije mund t’ua mësojmë, por kush dëshiron vetëm diploma dhe jo dije nuk e mëson dot kurrë këtë.

Pyetja e pestë: A ka zgjidhje kriza dhe stagnacioni ynë apo i Europës vetëm me strukturime financiare, vetëm duke përsëritur sloganin neimian se konkurrenca zgjidh vetë gjithçka, apo duke iu përgjigjur krizave me policë, me burg, me represion?

Përgjigja është: Jo! Çfarë të duam të bëjmë, ngri borde prish borde, ngri komisione prish komisione, ligjeve të natyrës dhe shoqërisë nuk ke çfarë u bën.

Kur ligjet juridike bëhen sipas qejfit; atëherë ngrenë krye ligjet e natyrës dhe të shoqërisë.

Nuk e kanë thënë kot se ligjet objektive qëndrojnë mbi ligjet e shtetit, prandaj edhe dija universitare duhet të qëndrojë mbi politikën dhe jo të bëhet shërbëtore e saj.

Çfarë duhet bërë? A ka zgjidhje që zona dhe vendi ynë të zhvillohet? Përgjigja është : PO ! Por, në fillim qytetari duhet ta bindi politikën që ajo të heqë dorë nga drejtimi i vendit sikur të ishte anije pirate, dhe politikani të kërkojë dije dhe jo folklorin e nëpunësve të vet apo gënjeshtrat e lobive private që pasi të grumbullojnë lekë do ta shohin veten të zhytur në borxhe pa shpëtim. Po këtu jemi këtu… Ora e së vërtetës do të vijë sepse sikurse thoshte një me mjekër : E vërteta duhet të jetë e duruar, duhet ta presë historinë që kjo e fundit të ketë nevojë për të.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Burimi : Sot