Nishani homazhe në Kosovë, kujton masakrën e Raçakut

981

Presidenti i Republikës së Shqipërisë Bujar Nishani dhe delegacioni që e shoqëron gjatë vizitës shtetërore në Kosovë, ka zhvilluar homazhe te varri i Presidentit historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova.

Gjithashtu bëhet e ditur se Nishani ka bërë homazhe edhe te shtatorja e Komandantit Zahir Pajaziti si dhe te Monumenti i Lisisë në Raçak.

“Masakra e Raçakut i tregoi botës dhe e sensibilizoi opinionin ndërkombëtar për krimet që po kryente Serbia mbi popullsinë dhe qytetarët e thjeshtë të Kosovës. Raçaku duhet të jetë një vend pelegrinazhi për të gjithë shqiptarët kudo që janë, për të mos harruar asnjëherë të shkuarën tonë të dhimbshme dhe për të ndërtuar një të ardhme sa më të mirë”, ka thënë Kreu i Shtetit Shqiptar përpara të pranishmëve të cilët kishin dalë për ta mikpritur.

Sipas një njoftimi për shtyp, gjatë vizitës së tij, Nishani ka vizituar edhe Kompleksin Memorial “Adem Jashari”, ku ka vendosur edhe një kurorë me lule në shenjë nderimi dhe respekti.

Presidenti Nishani ka vizituar edhe familjen Haradinaj, ku ka vlerësuar me Dekoratën “Nder i Kombit”  heronjtë e lavdishëm të luftës çlirimtare: luftëtarët e orëve të para për lirinë e Kosovës, organizatorët, prijësit dhe frymëzuesit në rrugën e lirisë së Kosovës, Luan dhe Shkëlzen Haradinaj.




Këtë e pëlqejnë %d blogues: