“Si mund të themi se ka siguri ushqimore, kur nuk ka gjurmueshmëri”

Lajme

Alban Zusi, President i Qendrës së Eksporteve Shqiptare në një intervistë për “Shekulli”-n tregon ku ndodhemi me sigurinë ushqimore. Cilat janë standartet e mishit që importojmë? Eksporti i munguar i produkteve me origjinë shtazore po penalizon fermerët

 

Xhensila Demollaj

[email protected]

 

Siguria ushqimore është një ndër çështjet themelore për të cilën edhe vetë interesi i konsumatorëve shqiptarë merr një drejtim më të madh. Por, në çfarë faze jemi aktualisht. A po e mbrojmë veten nga produktet e mishit apo ushqimet e tjera. Presidenti i Qendrës së Eksporteve Shqiptare, Alban Zusi në një intervistë ekskluzivisht për “Shekulli”-n tregon ku ndodhemi me sigurinë ushqimore dhe a po punohet për të.

  1. Zusi, çfarë lloj standardesh kemi ne për produktet që vijnë nga importi. Kemi disa cilësi të përcaktuara për to. Le të përqendrohemi te produkti i mishit, i cili së fundmi u kthye në një debat?

Çështja e sigurisë ushqimore është e konsumuar në disa drejtime, jo thjesht nga importi, por edhe nga prodhimet vendase. Edhe nga përpunimi dhe elementë të tjerë që nuk janë thjesht importe. Por,  përsa i përket importit të mishit, meqenëse këtë ditë ka pasur një vëmendje të shtuar, mund të them se në këtë radhë, alerti që u krijua nuk ishte real për vendin tonë, pasi mishi i viçit, i cili ka pasur probleme në Brazil me një situatë mashtruese etj, nuk është objekt i importeve shqiptare. Përgjithësisht, nuk importojmë mish viçi nga Brazili. Edhe vitin e kaluar është importuar një sasi krejt minimaliste, një ose dy kamionë, jo më tepër, pasi Brazili nuk është i njohur për mishin e viçit. Brazili është lider në botë për mishin e pulës dhe atë të derrit. Ne përgjithësisht importojmë këto dy produkte nga Brazili, ndërsa mishi i viçit kryesisht importohet nga Europa kur është për qëllim industrial, ndërsa mishi i viçit i freskët për konsumatorët vjen kryesisht nga prodhimi vendas dhe importi i kafshëve të gjalla që vijnë nga Maqedonia. Kështu që, kjo është arsyeja që them se nuk ka qenë shqetësim për vendin tonë. Për sa i përket sigurisë ushqimore në përgjithësi, unë do të thosha se importi i mishit është burimi më pak i rrezikuar për konsumatorin shqiptar sepse ne importojmë mish rreth 55 % nga Europa, importojmë nga Amerika rreth 25% dhe nga Brazili 25%. Por, të tre këto vende kanë sisteme shumë të mira të sigurisë ushqimore për sa i përket mishit. Edhe Brazili, pavarësisht kësaj situate që doli, ndodhi që ata e zbuluan vetë mashtrimin, e hetuan vetë dhe i ndëshkuan vetë përgjegjësit e kësaj historie. Nuk është se dikush tjetër e kapi, qoftë nga Europa apo nga vendet e tjera ku ato eksportojnë. Unë mund të them se Brazili përveç se është një ndër liderët kryesorë të prodhimit të mishit është fermentori kryesor i Europës, Rusisë, Kinës me produkte mishi.

Sa e mbrojmë ne konsumatorin, të paktën nga importi?

Ky sistem, praktikisht konsumatorin e lë pa mbrojtje. Ky lloj fragmentarizimi duhet të marrë fund një orë e më parë. Ne nuk mund të themi se qytetari shqiptar tashmë nuk duhet të hajë, sepse mishi është problematik, por ajo çfarë  ne nuk mundemi ta themi është se jo i gjithë zinxhiri është i kontrolluar, është i menaxhuar dhe është i lidhur me njeri-tjetrin. Që nga momenti që vijnë nga jashtë, ose që nga momenti që lindin në fermë, ose që shkon mishi në pjatën e konsumatorit nuk ka një lidhje të vazhduar të sistemit. Janë institucione të ndryshme, të pavarura dhe të palidhura me njeri-tjetrin që ushtrojnë kontroll në momente të caktuara dhe më pas përveçse nuk interferojnë te njeri-tjetri, edhe nuk i raportojnë njeri-tjetrit. Pra, nuk kemi një sistem unik, online, software, që ajo çfarë del si informacion nga njëri prej këtyre institucioneve të shërbejë si hyrje për institucionin tjetër. Pra, nuk kemi një database ku AKU regjistron dhe këtë informacion e ndjek veterinaria dhe më pas veterinaria të bëjë dalje dhe këtë informacion ta ndjekë AKU. Shqetësim tjetër është moszbatimi i masave penale të parashikuara nga ligji, jo vetëm ndaj operatorëve, por ndaj institucioneve dhe punonjësve publikë, të cilët nuk kryejnë detyrën e tyre. Nëse shohim te organi i hetimit, ku mund të shkoni të interesoheni, nëse do të gjeni një kallëzim penal për një inspektor, apo qoftë edhe për një punonjës i cilido hallke të veterinarisë apo AKU që të jetë kallëzuar për moskryerje të detyrës së tij. Ka plot raste të denoncimit nga mediat, ka edhe raste të kapjes nga policia të prodhimeve jashtë standardit, por nuk ka asnjë kallëzim penal. Ka kallëzime penale ndaj operatorëve, po ky operator ku vepron? Nuk ka një inspektor të zonës ku ai vepron, i cili duhet të mbajë edhe ai përgjegjësi për atë që ndodh. Kemi therje ilegale, është fakt, është evidente. Më thoni, sa kallëzime penale janë bërë, megjithëse me ligj janë dy nene që parashikojnë nga dënim me gjobë deri në dënim me burg 10 vite për çdo situatë që krijon pasiguri për ushqimin e qytetarëve. Nga shoqata që ne drejtojmë janë bërë kërkesa ndaj organit të prokurorisë dhe rezulton që në disa qarqe nuk ka fare kallëzim penal dhe në disa qarqe të tjera mund të ketë një ose dy kallëzime penale. Megjithëse nga mediat dhe situatat e raportuara, mund të ishin bërë mbi 20 kallëzime penale. Kjo tregon se ka një mungesë të konceptimit të rëndësisë dhe të ushtrimit të kontrollit dhe funksionit nga organet përkatëse. Mbi të gjitha ka një mungesë totale vizioni nga institucioni politik bërës që duhet dhe është përgjegjës për ndërtimin e një sistemi të sigurisë ushqimore. Është Ministria e Bujqësisë ajo që duhet të prodhojë politika, të bëjë lidhjen e këtyre segmenteve të shkëputura në sigurinë ushqimore dhe që duhet të orientojë edhe të monitorojë organin ligjzbatues që është AKU, në krye të detyrës.

Në momentin që është e bllokuar aktualisht një pjesë e eksportit të mishit që vjen nga Brazili, ju thatë një sasi diku te 25%, çfarë efekti ka kjo te tregu?

Nuk është bllokuar plotësisht importi nga Brazili, por janë shtrënguar masat kontrolluese, madje pak përtej normales. Por, lajmi i mirë është se megjithëse po kontrollohet parti për parti e kontejnerëve që hyjnë në Shqipëri, të gjitha kanë dalë të rregullta dhe nuk ka pasur asnjë lloj shqetësimi. Thjesht është rritur koha e qëndrimit në port deri në momentin që dalin analizat, por nuk është i bllokuar. Mishi që vjen nga Brazili futet në treg, por tashmë nuk kontrollohet mbi bazën e analizës së riskut, por kontrollohet në detaje, gjë e cila sipas mendimit tim është masë e tepruar, përderisa asnjë analizë nuk ka treguar që ka probleme.

Ne përmendëm pak më parë rëndësinë e mishit të vendit dhe atij të importit. Sa të sigurt jemi në këto dy pika?

Unë besoj se më i sigurt është mishi i importit sesa ai i vendit. Sepse ne, pjesën më të madhe rreth 75% të mishit e importojmë nga vende si BE dhe SHBA të cilat kanë një sistem të lartë sigurie, por edhe pjesa që vjen nga Brazili pavarësisht ngjarjeve që ndodhën, sepse ato është e kuptueshme që ndodhin kudo, ne nuk mund të themi se sistemet janë të imunizuara nga ndodhja e ngjarjeve, përsëri, unë mendoj se mishi që vjen nga Brazili për shkak të një sistemi të tërë të ndërtuar me këtë industri është i garantuar, është i sigurt dhe gjithsesi i nënshtrohet një sistemi të sigurisë ushqimore shumë më të besueshëm se ai i Shqipërisë. Mjafton të themi se Brazili është i autorizuar të eksportojë në vendet e BE-së dhe BE përpara se të autorizojë importin, ushtron një inspektim të posaçëm mbi bazën e rregullave të tij në këtë estabiliment dhe Shqipëria ka një rregull shumë të mirë të vendosur prej më shumë se 10 vitesh, që lejon importin  e mishit nga çdo lloj vendi të botës, por vetëm nga stabilimente të certifikura nga Bashkimi Europian. Pra, ne edhe pse importojmë nga Brazili, nuk mund të importojmë nga çdo lloj prodhuesi i Brazilit.

  1. Zusi, a bëjmë ne një lloj orientimi ushqimor për konsumatorin, lidhur me produktet e ndryshme?

Ne nuk kemi asnjë lloj orientimi. Do ishte shumë mirë që të ndodhte, veçanërisht për produktet vendase, në mënyrë që ne të rrisnim shkallën e industrializimit, madje do të thosha se në vend që ne të bënim këtë që ju po sugjeroni, që është shumë e drejtë shpesh ne kemi bërë të kundërtën. Madje, edhe kjo masë e AKU dhe Ministrisë së Bujqësisë për kontrollin e rreptë të mishit ka krijuar një efekt psikologjik relativisht të dëmshëm te konsumatori vendas, gjë e cila është reflektuar në një farë mase edhe në industritë e përpunimit vendas, e cila është një ndër industritë më të mira që kemi në vend.

Aktualisht nga cili produkt rrezikohemi më tepër, i cili respektivisht duhet të ketë edhe më shumë kontroll?

Përgjithësisht, produktet e freskëta janë më të rrezikuara, siç janë qoftet, të pakaluara në trajtim termik. Mishi i freskët që tregtohet në rrugë apo dyqane mishi të paidentifikuara dhe pa brenduar, pasi je duke ngrënë një mish i cili nuk dihet se çfarë origjine ka. Nuk dihet nëse është therur në një thertore apo jo

A duhet më shumë se 4 vite punë për ta organizuar këtë sistem kontrolli?

Ky sistem kontrolli, maksimumi nga moment i fillimit të punës për ta përcaktuar, deri në kthimin e tij në vendimmarrje dhe deri në zbatimin e tij nuk do më shumë se dy vite punë. Pra, nga momenti që të ketë një vullnet politik dhe ne të kemi rezultatet e dukshme dhe të prekshme, të certifikueshme në treg nuk duhen më shumë se dy vite.

Në këtë nivel që jemi, cila është siguria ushqimore që kemi sipas mendimit tuaj?

Një ndër problemet kryesore në sistemin e sigurisë ushqimore është se këtij sistemi i mungon shtylla kurrizore, që është sistemi i gjurmueshmërisë. Nuk ka sens të thuash se kam sistem të sigurisë ushqimore, kur një kafshë lind, rritet, theret, tregtohet, shkon në pjatën e konsumatorit dhe nuk ka një lidhje ndërmjet tyre. Pra, kafsha nuk gjurmohet. Sot, nuk matrikullohen të gjitha kafshët. Por, edhe kur janë të matrikulluara dhe shkojnë i bëhen shërbimet, vaksinimet, analizat, këto nuk dokumentohen. Më pas, kur kafsha shkon në thertore, asnjë veteriner që vë vulën mbi mishin nuk sigurohet që ta ç’regjistrojë nga sistemi këtë kafshë dhe të hedhë një shënim që kafsha ishte e shëndetshme apo e sëmurë. Dhe më pas, mishi kur tregtohet në dyqan, nuk është i shoqëruar me certifikatën që të tregojë se ky mish ka ardhur nga filan fermë e therur në filan thertore. Si mund të themi se ka siguri ushqimore, kur e gjithë kjo gjurmueshmëri nuk ndodh. Shkoni në Maqedoni dhe do shihni në një dyqan mish, qoftë në një sasi të vogël mishi, pranë saj ka një etiketë ku thuhet: mish i ardhur nga filan thertore, madje, shpeshherë ka numrin e matrikullit të kafshës. Dhe thertorja ka certifikatën e lëvizjes së kafshës, të shoqëruar nga veterineri i cili ka ndjekur zhvillimin e kafshës. Ma gjeni një dyqan në Shqipëri që e ka këtë sistem. Ma gjeni një  drejtor veterinarie që regjistron dhe ç’regjistron kafshën nga sistemi informativ, apo që shënon trajtimin e kafshës. Atëherë, për çfarë sigurie flasim?!

 

 

 

 

 

Eksporti i munguar i produkteve me origjinë shtazore po penalizon fermerët

Sipas mendimit tuaj, z. Zusi, a duhet të jetë kjo lidhje varësie mes AKU dhe Ministrisë së Bujqësisë. A duhet që institucioni që prodhon, në këtë rast Ministria e Bujqësisë, edhe të kontrollojë, nëpërmjet AKU?

AKU ka një lloj pavarësie, pasi drejtori i saj emërohet nga kryeministri dhe jo nga ministri, por natyrshëm që duhet të jetë pjesë e institucionit politikbërës, sepse nuk mund të menaxhohet drejtëpërdrejt nga kryeministria. Kështu siç është e konceptuar nuk është e konceptuar gabim, por është Ministria e Bujqësisë ajo që nuk po arrin të ndërtojë një sistem të besueshëm të sigurisë ushqimore. Kur them se nuk po arrin dhe ka dështuar është fakti i thjeshtë se kjo ministri nuk guxon t’i drejtohet Brukselit me kërkesë për eksportin e produkteve me origjinë shtazore. Fakti që nuk guxon t’i drejtohet Brukselit me kërkesë për eksportin e produkteve me origjinë shtazore, pavarësisht se ka kërkesa nga subjektet e biznesit tregon se kjo ministri nuk është e aftë të kapërcejë testet e kërkuara nga Brukseli për një sistem të sigurisë ushqimore të besueshëm.

Në zonën e Dukatit, blegtorët kanë  ruajtur një rracë të vendit, e njohur si Dhia e zezë e Dukatit, e cila është e vlerësuar për vlerat e mëdha ushqimore. Mirëpo, ndonëse e tillë, ndodh që nuk gjen treg në vend. Përse kjo të mos eksportohet?

Pyetja juaj është shumë e drejtë. Pikërisht këtë kisha parasysh kur thashë se kjo mungesë vizioni dhe menaxhuese po penalizon këtë pjesë të fermerëve shqiptare, të cilët mund të kishin një jetë shumë më të mirë dhe shumë më të begatë në qoftë se produktet e tyre do të eksportoheshin. Është diçka të furnizosh një treg për 3 milionësh dhe një treg tjetër prej 300 milionësh. Ne i kemi të gjitha mundësitë me të gjitha produktet, siç është mishi, qumështi, djathi i prodhuar prej tyre, etj. Mjafton të them se djathi i dhisë në vendin tonë shitet maksimumi me 5 euro dhe në Europë fillon të shitet nga 10 euro e sipër. Imagjinoni çfarë përfitimi do të kishte për fermerët shqiptarë nëse ata do i kishin të hapura këto tregje. Por, mund të them se Maqedonia, e cila ka një stok të bagëtive të imëta rreth 3 herë më pak se Shqipëria është duke eksportuar mbi 500 mijë krerë të imëta në vit. Dhe ku i eksporton? I eksporton në Itali. Ne kemi rënë në kontakt me eksportuesit e këtyre produkteve. Janë të gatshëm menjëherë, që pa hequr dorë nga ajo e Maqedonisë të marrin edhe nga Shqipëria, sepse janë duke marrë edhe nga vendet më të largëta të Lindjes. Eksporti i produkteve shqiptare vetëm nga bagëtitë e imëta mund të shkojë deri në 100 milionë euro të ardhura. Por, janë 100 milionë euro që nuk shkojnë në xhepat e 4, 5 kompanive, por të fermerëve, të cilët jetojnë në zona kodrinore, malore. Aktualisht, Ekspertët e Qendrës së Eksporteve Shqiptare janë duke përgatitur një paketë me propozime në lidhje me nevojën e një reforme tërësore të sistemit të sigurisë ushqimore në Shqipëri i cili ka mangësi dhe si pasojë është kthyer në një pengese për eksportet shqiptare në vendet e BE-s.

Meqë jemi te kjo pjesë, do të doja t’ju pyesja, a kemi ne një sistem të organizuar për mishin, siç kemi për frutat dhe perimet?

Dua të sjell në vëmendjen tuaj se para 6-7 vitesh frutat dhe perimet nuk ishin të eksportueshme në nivelin që janë sot. Edhe sistemi i grumbullimit nuk ishte i tillë. Ka qenë pothuajse primitive. Në momentin që eksporti dhe vëmendja filluan të rriteshin, menjëherë nisën edhe investimet për të krijuar qendrat e grumbullimit dhe për t’i bërë produktet të përshtatshme për tregjet e huaj. Përsa i përket bagëtive, për sa kohë nuk ka interes për eksport sepse eksporti është i bllokuar, jo për faj të produktit, por se ne nuk arrijmë ta certifikojmë këtë produkt, nuk do të lindin as këto qendra. Unë ju garantoj se sapo të hapet tregu i eksportit, menjëherë do të lindin edhe bizneset e grumbullimit dhe do të hapen vende pune në këtë sektor. Kërkesa për eksport të bagëtive të imëta është shumë e lartë, aq sa ne nuk e përballojmë dot.