Kuvendi i Kosovës nisi seancën e jashtëzakonshme, ku po diskutohet për ndalimin e ish kryeministrit dhe kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, nga policia franceze.
Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Pal Lekaj ka prezantuar para deputetëve të kuvendit kërkesën dhe arsyetimin për mbajtjen e kësaj seance, të iniciuar nga deputeti i AAK-së dhe e përkrahur nga 44 deputetë të tjerë. Sipas Lekajt ndalimi i kryetarit të AAK-së është i papranueshëm dhe sulm ndaj shtetit të Kosovës. “Akuzat ndaj Haradinajt nuk kanë asnjë bazë ligjore”, tha Lekaj.
“Është i papranueshëm ekstradimi i Haradinajt në Serbi, pasi ka dëshmuar dy herë edhe në Hagë. Vendimi për të mbajtur në paragburgim është i papranueshëm. Ne nuk kemi dalë këtu me rekomandime, por në fund do të dal me rekomandime”, u shprej Lekaj. Qeveria e Kosovës ka deklaruar se “urdhër arresti për Haradinajn është i motivuar politikisht dhe armiqësisht nga Beogradi” dhe se “do të vazhdojë angazhimin e gjithanshëm që aktakuzat e paligjshme, të padrejta dhe tendencioze të Serbisë ndaj personaliteteve kosovare, sa më parë të shpallen të pavlefshme”.
Ramush Haradinaj është ndaluar më 4 janar në aeroportin e Baselit nga policia franceze, në bazë të një urdhër arresti të lëshuar në vitin 2004 nga Serbia. Për kryetarin e AAK-së, Haradinaj, për të cilin të enjten pritet vendimi i gjykatës, arrestimi në Francë është i dyti, pas të parit në Slloveni, brenda dy viteve me të njëjtën aktakuzë. Në 17 qershor 2015, Haradinaj u ndalua në Aeroportin e Lubjanës dhe u lirua më vonë, por duhej të qëndronte në Slloveni deri sa të përfundonin procedurat për verifikimin e urdhërarrestit. Para 12 vitesh, menjëherë pasi ishte njoftuar për ngritjen e aktakuzës, Ramush Haradinaj është dorëzuar vullnetarisht në Tribunalin e Hagës në 9 mars 2005, pasi një ditë më parë kishte dhënë dorëheqje nga funksioni i kryeministrit të Kosovës, derisa ishte afër të mbushë 100 ditëshin e parë nga zgjedhja në 3 dhjetor 2004.
Nga Tribunali i Hagës Haradinaj u shpall i pafajshëm për të gjitha pikat e akuzës, në 29 nëntor 2012.
“Më në fund, pas shtatë viteve të gjata, dhe dy gjykimeve të gjata, kjo Gjykatë ka sjellë drejtësi për Ramush Haradinajn dhe për popullin e Kosovës”, theksonte deklarata e Ben Emmerson në emër të ekipit mbrojtës./Kosovapress/