SPAK e akuzoi për licensimin e inceneratorit të Fierit, arrestohet sapo shkel në Rinas Etleva Kondi

Aktualitet

Policia ka arrestuar Etleva Kondin menjëherë pasi ka shkelur në tokën shqiptare në Rinas.

Emri i 50-vjeçares ishte pjesë e listës me 9 persona për të cilët SPAK lëshoi urdhër arreste në kuadër të aferës së inceneratorëve.

Nëntë urdhër arrestet e SPAK u ekzekutuan mëngjesin e 29 marsit në qytete të ndryshme të vendit. Një ndër qytetet më të goditura ishte Fieri për shkak të aferës me inceneratorin atje. Policia nuk e gjeti Kondin në shtëpi mëngjesin e 29 marsit pasi ndodhej për kurim në Itali. Mësohet se ajo është arrestuar dje sapo ka zbritur në Rinas. Kondi akuzohet për “shpërdorim detyre” pasi rezulton se ka qenë pjesë e komisionit për miratimin e licencave të inceneratorëve. GJKKO ka dhënë për të masën e sigurisë “arrest shtëpiak”. Pritet rikonfirmimi i masës dhe dërgimi i Kondit në shtëpi ku pritet të qendrojë deri në përfundim të gjykimit nga GJKKO mbi aferën e inceneratorëve. Në lidhje me këtë u arrestua sëfundmi edhe deputeti i PS Alqi Bllako, i cili ishte Sekretar i Ministrisë së Mjedisit në periudhën kur u miratuan lejet për inceneratorët. Më herët, në pranga ra edhe ish-ministri i Mjedisit Lefter Koka.