Të papunët humbasin besimin te zyrat e punës, bien me 25% deklarimet

Kryesore Sociale

Numri i punëkërkuesve të papunë të regjistruar në tremujorin e tretë 2016 është 24,6% më i ulët se sa në të njëjtin tremujor të vitit pararendës. Në krahasim me tremujorin e dytë 2016, ky tregues paraqitet me një ulje prej 8,0%.

Sipas përcaktimeve të INSTAT, punëkërkues të papunë të regjistruar janë të gjithë personat në moshë pune që janë të papunë dhe të disponueshëm për punësim, të cilët paraqiten periodikisht në zyrën përkatëse të punësimit.

Numri mesatar i personave të regjistruar si punëkërkues të papunë gjatë tremujorit të tretë 2016 është 114.532. Qarqet e Tiranës, Fierit, Elbasanit dhe Vlorës kanë numrin më të madh të punëkërkuesve të papunë të regjistruar. Pas një dyndje në zyrat e punës vitin e kaluar si rezultat i riformatimit të tyre dhe vënies në funksion, duket se interesi është zbehur sërish, pasi të papunët e regjistruar nuk ia kanë dalë të punësohen.

Në tremujorin e tretë 2016, 4,5% e punëkërkuesve të papunë të regjistruar përfituan pagesë papunësie. Përqindja e punëkërkuesve të papunë të regjistruar në skemën e pagesës së papunësisë është më e lartë në Prefekturën e Dibrës (7,1 %) dhe më e ulët në Prefekturën e Fierit (2,0%)

Krahasuar me tremujorin e mëparshëm, në tremujorin e tretë të vitit 2016, numri i punëkërkuesve të papunë të regjistruar në skemën e pagesës së papunësisë është ulur me 730 persona. Krahasuar me tremujorin e tretë të vitit pararendës, numri i punëkërkuesve të papunë në skemën e pagesës së papunësisë është ulur me 779 persona. Shkalla e papunësisë së regjistruar për tremujorin e tretë 2016 është 9,8%./Monitor/