Turqi: Tetë të vdekur nga zjarret në pyje

Rajoni

Të paktën tetë persona janë vrarë në zjarret pyjore në brigjet jugore të Turqisë, ndërsa zjarrfikësit po luftojnë për ditën e pestë për të shuar zjarrin pranë vendpushimeve bregdetare.

Dy persona të tjerë vdiqën sot në qytetin Manavgat, njoftoi Ministri i Shëndetësisë Fahrettin Koca, ndërsa dhjetë u dërguan në spitalet lokale për trajtim.

Sipas autoriteteve, më shumë se 100 zjarre që kanë shpërthyer në Turqi në pesë ditët e fundit janë vënë nën kontroll. Megjithatë, zjarret janë ende duke ndezur në Manavgat, Marmaris dhe qytetin Milas, sipas ministrit të Bujqësisë dhe Pyjeve Bekir Pakdemirli.

Në Alikarnaso një grup turistësh dhe një staf i hotelit u evakuan me anije ndërsa flakët u përhapën dhe tymi i dendur mbuloi qiellin.

Në ditët e mëparshme, zjarret vranë pesë persona në Manavgat dhe një tjetër në Marmaris. Po bëhen përpjekje për të shuar gjashtë zjarre ende të furishëm, sipas Ministrisë së Pyjeve. Që nga e Mërkura, mijëra njerëz janë evakuuar nga shtëpitë e tyre. Rusia, Ukraina, Irani dhe Azerbajxhani kanë dërguar ndihmë për të mbështetur zjarrfikësit vendas. Qeveria turke ka premtuar rindërtimin e shtëpive të dëmtuara dhe kompensimin e banorëve