Ushtria e madhe në numër, e vogël në fuqi zjarri

Opinion

ushtria ne focus-1

Azem PARLLAKU  /  104 vjet më parë, me 4 dhjetor, vetëm 6 ditë pas Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë u krijua Ushtria Kombëtare. Zyrtarisht kjo datë njihet dhe si Dita e Forcave të Armatosura. Për herë të parë, u krijua Ministria e Mbrojtjes Kombëtare (Ministria e Luftës) dhe Shtabi i Përgjithshëm. Strukturat kryesore përbërëse të saj ishin forcat aktive, xhandarmëria dhe vullnetarët.

Arti i të luftuarit është një mjeshtëri e vjetër e njerëzimit. Në këtë kontekst, studiuesit e fushës së Mbrojtjes, kanë artikuluar se; Ushtritë ilire ishin disa nga ushtritë më të shquara të kohës. Organizimet ushtarake ilire ishin strukturuar dhe funksiononin si në kohën e paqes dhe të luftës. Rreth shekujve VI- IV para Krishtit, sistemi i detyrueshëm përfshinte meshkujt  që kishin arritur moshën 17 deri 20 vjeç, ndërsa në rast lufte ky detyrim përfshinte të gjithë meshkujt e aftë për luftë deri në moshën 60 vjeç. Ushtritë ilire kishin në përbërjen e tyre, për shkak të pozicionit gjeografik, përveç komponentit tokësor edhe atë detar. Tradita ushtarake u pasurua më tej në shekujt që pasuan, për të shënuar zhvillime të rëndësishme në periudhën e pushtimit të vendit nga Perandoria Osmane. Zhvillimet e kësaj periudhe arritën kulmin në vitet 1443-1468, kohë gjatë së cilës në krye të luftëtarëve shqiptarë ishte Gjergj Kastrioti (Skënderbeu). Më 2 mars 1444, Skënderbeu thirri Lidhjen e Lezhës, me pjesëmarrjen e te gjithë princave shqiptarë, ku një nga arritjet e saj ishte edhe krijimi i një ushtrie e cila ishte e vogël por cilësore, që për 25 vjet rresht u bë pengesa kryesore për ushtritë e panumërta te perandorisë më të fuqishme të kohës, jo vetem në mbrojtjen e vendit, por edhe të civilizimit Europian.

Gjatë viteve 1771- 1832, që është periudha e organizimit të vendit mbi bazën e pashallëqeve edhe ushtritë u organizuan e u përdorën nga udhëheqësit e këtyre pashallëqeve. Në përpjekjet e tyre për t’u ndarë me Portën e Lartë dhe krijimin e vendeve të pavarura, ata arritën nivelet e një pozite të rregullt të Forcave të Armatosura, duke patur pothuajse të njëjtin organizim ushtarak (Divizion, Regjiment, Batalion) me ushtritë moderne të kohës.

 

Duke qenë se në rrezik ishte ekzistenca e vendit, Lidhja e Prizrenit krijoi një ushtri vullnetare bazuar në parimin, një burrë për shtëpi. Ajo u drejtua nga Komiteti Ushtarak Qendror nën vartësinë e të cilit ishin Komisionet e Mbrojtjes Rajonale si edhe Korpuset. Ushtria e bashkuar duhej të kishte 380 batalione në Veri të Shqipërisë dhe 100 batalione në Jug të Shqipërisë. Përveç atyre  u krijua grupi logjistik që përbehej nga elementë mjekësor, transporti dhe skuadrat e ruajtjes.

Në tetor 1913, me vendim të konferencës së ambasadorëve në Londër, një grup ushtarakësh hollandez ndihmuan në ristrukturimin dhe përgatitjen e xhandarmërisë. Vitet që pasuan shënuan zhvillime të tjera të rëndësishme. Kështu për herë të parë, Forcat e Armatosura u ndanë në Forca Tokësore, Detare dhe Forca Ajrore.

Gjatë periudhës së sundimit monarkik kjo ndarje ekzistoi, por vetë forcat kaluan ndryshime të brendshme të vlerësuara pozitive për kohën. Gjithashtu, gjatë kësaj periudhe edhe rritja e buxhetit për ushtrinë ishte e konsiderueshme.

Gjithçka shteti shqiptar dhe Forcat e tij të Armatosura, kishin arritur deri në fillimin e Luftës së Dytë Botërore do të shuhej në ditën e agresionit fashist ndaj vendit tonë, më 7 prill 1939. Shteti u bë inekzistent dhe për pasojë edhe Forcat e tij të Armatosura.

Në këto rrethana lindën Forca të reja të Armatosura që u përkisnin grupimeve të ndryshme politike të kohës dhe që u përballën me pushtuesit.

Forca më e madhe me një skemë organizative, me një Shtab të Përgjithshëm, ishte Ushtria Antifashiste Vullnetare Nacional Çlirimtare.

Pas çlirimit të vendit, ajo ju nënshtrua një procesi reduktimi dhe riorganizimi, duke u transformuar në një ushtri të rregullt të kohës së paqes. Struktura organizative e saj përbëhej nga Ministria e Mbrojtjes, Shtabi i Përgjithshëm, Forcat Tokësore, Detare, Ajrore, ato në Rezervë dhe Territoriale. Në vitin 1951, ushtria krijoi për herë të parë aviacionin ushtarak, në vitin 1953 armën e Kimisë, shërbimin e Komunikimit, Zbulimin etj. Forcat Detare, tanket, artileria, transporti, logjistika dhe disa shërbime të tjera u riorganizuan.

 

Shqipëria ishte anëtare e Traktatit të Varshavës nga vitet 1950 deri 1968. Ushtria shqiptare gjatë kësaj periudhe, u pajis me armatim dhe teknikë nga Bashkimi Sovjetik.

Në vitin 1966, sipas udhëzimeve të PPSH me qëllimin e bërjes së ushtrisë më pak të kushtueshme dhe të lidhur me popullin për mos lejimin e krijimit të kastës ushtarake, u realizua nxjerrja e ushtrisë nga kazermat, heqja e sistemit të gradave dhe shpërndarja e saj në çdo pjesë të territorit të vendit. Komisari politik u vendos për të përfaqësuar vijën e partisë në komandat e të gjitha niveleve të Forcave të Armatosura.

Bazuar në konceptin e mbrojtjes, pëllëmbë për pëllëmbë, ushtria u shpërnda në 2200 pika në të gjithë vendin dhe fortifikimi u kthye në qëllim më vete. Për herë të parë në historinë ushtarake botërore, Shkollat e Lira Ushtarake filluan në Shqipëri.

 

Në vitet 90, me ndryshimin e sistemit politik edhe ushtria u bë pjesë e këtyre ndryshimeve. Reforma në Forcat e Armatosura filloi me vendosjen e kontrollit civil, heqjen e simboleve komuniste nga uniformat ushtarake, zëvendësimi i tyre me simbolet kombëtare, vendosjen e gradave dhe departizimin. Në bazë të koncepteve të reja për përdorimin e FA, u bë ristrukturimi e riorganizimi i tyre me tendencë kryesore zvogëlimin e sasisë dhe rritjen e cilësisë. Në vitin 1992, Shqipëria shpalli publikisht dëshirën e saj për t’u bërë anëtare e NATO, dëshirë e cila u pasua me ndërmarrjen e hapave, që çuan në anëtarësimin e Shqipërisë në këtë Aleancë në Prill të vitit 2009.

 

Sot, 104 vjet më pas në ç’gjendje janë Forcat e Armatosura? Fakti që Shqipëria është anëtare e NATO-s, jo për meritë të saj, por si rrjedhojë e zhvillimeve në shkallë globale, e grish shpesh vëmendjen e opinionit publik, për t’u fokusuar edhe në zhvillimin e Forcave të Armatosura, si instrument i rëndësishëm për Sigurinë Kombëtare. Profesionet më të njohura civile e kanë origjinën që nga mesjeta dhe ekzistojnë në formën e zhvillimit më të lartë, me fillimin e shekullit të tetëmbëdhjetë. Profesioni i ushtarakut profesionist dhe atij të karrierës, është thelbësisht produkt i shekullit të nëntëmbëdhjetë, e në të vërtetë është një nga krijimet më të rëndësishme institucionale të atij shekulli. E ndërsa pjesa më e madhe e personelit të Forcave të Armatosura janë ushtarakët profesionistë, ende nuk është mundur, që ata të zhvillojnë normat, vlerat dhe unitetin organizativ, si një tip social, si një karakteristikë unike e shoqërisë moderne. Praktikisht trupa e ushtarakëve profesionistë, paraqitet e arsimuar relativisht, por mungesa relative joshëse e profesionit dhe karrierës ushtarake e kanë bërë të pamundur sigurimin e cilësisë së profesionistëve të mirëfilltë ushtarakë.

 

Ajo ç’ka konsiderohet si resursi njerëzor i Forcave të Armatosura, e ka të domosdoshme zhvillimin e etikës profesionale, për të krijuar bindjen e arsyeshme në shoqëri për tipin e ri të ushtarakut dhe institucionet e reja në këtë fushë. Realisht, korpusi aktual i ushtarakëve shqiptarë gjendet përbri hendekut të përgatitjes speciale, që i imponon atij një përgjegjësi të veçantë shoqërore. Profesioni i ushtarakut është monopol i shtetit, dhe aftësia e njerëzive nën uniformë është drejtimi i forcës ushtarake dhe sigurimi ushtarak i klientit të tij, i shoqërisë. Marrja e kësaj përgjegjësie kërkon zotërimin e përgatitjes që bën të nevojshme e të mundur pranimin e përgjegjësisë. Për fatin e keq, trupa ushtarake shqiptare nuk mundet dot të rrisë cilësinë e përgatitjes profesionale në kushtet, kur arsimimi i mirëfilltë ushtarak, është joefiçent, dhe kur motivimi për profesionin nuk është në shkallën e duhur.

 

Pse ndodh kështu?! Ka disa arsye që lidhen me mospatjen e vizionit të ngritjes, ringritjes dhe mbajtjes së strukturave të mbrojtjes, në të cilat rekrutohet një personel arsimimi i të cilit është relativisht i dobët, e përtej kësaj Forcat e Armatosura, janë shndërruar në një “treg pune”, ç’ka i shkon përshtat klimës politike. Personeli i Forcave të Armatosura, kryesisht ushtarë profesionistë, punonjës civilë dhe ushtarakë të gradave të larta, nuk e demonstron kohezionin e një Ushtrie të mirëfilltë dhe me standarte. Gradat e larta gjithnjë e më tepër u janë larguar trupave ushtarake, teksa këto të fundit u qëndrojnë larg poligoneve të stërvitjes. Një numër i kufizuar personeli i cili merr pjesë në operacionet e NATO-s, nuk mundet dot, të marrë përsipër veçse detyrat e rëndomta të rojes. Kjo nuk duhet të na bëj krenarë aspak.

 

Nga një vështrim më i thelluar i Tabelave të Organizimit dhe Pajisjeve (TOP), lehtësisht evidentohet se, Forcat tona të Armatosura në strukturën e tyre organizative, kanë me tepri, njësi, reparte e nënreparte të cilat nuk e justifikojnë misionin për të cilin janë ngritur. Ndonëse thuhet, që për përmirësimet strukturore dhe formulimin e misioneve dhe listëdetyrave të strukturave, merret në konsideratë konsulenca e ekspertëve të NATO-s, duhet pranuar që vendimarrjet definitive mbeten në dorën tonë.

 

Sot, kur Forcat e Armatosura kremtojnë 104-vjetorin e tyre, ironikisht “fuqia e zjarrit luftarak” të tyre, është më e vogël se në vitin 1912. Armatimi, teknika dhe pajisjet mbështetëse, që administrohen nga struktura ushtarake shqiptare, nuk janë ato që e kërkojnë standartet, për një instuticion të Sigurisë Kombëtare. Në buxhetet për mbrojtjen vazhdimisht janë planifikuar shifra marramendëse për riparimin dhe mirëmbajtjen e pajisjeve dhe nevojave të furnizimit me karburant-lubrifikante, për t’i lëvizur mjetet dhe teknikën e vjetër ushtarake. Kërkesat për modernizimin e sistemeve dhe pajisjeve të luftimit, një rutinë kjo e përvitshme, nuk ka mundur dot të kalojë as në sekretarinë e Shtabit të Përgjithshëm, për faktin se, mbi këto kërkesa kanë fituar terren investimet për fasada dhe pajisje zyrash. Ndodh që pas çdo shiu të ngrihet zëri për lëvizjet në buxhet, me justifikimin e përfshirjes së Forcave të Armatosura në operacionet e mbështetjes së komunitetit. Mirëpo, as edhe në këtë përfshirje nuk ka rezultat, përpos vendosjes në kolonë të disa mjeteve ushtarake dhe parkimit të tyre përbri rrugëve në periferi të Tiranës, sa për të bërë self-image Ministrja dhe vartësit e saj.

 

Kremtimet për Forcat e Armatosura në këtë 104-vjetor, do të jenë të njejtat retorika, i njejti protokoll, tribunës i është shtuar dhe një gjeneral, self-image do të bëhet si zakonisht në Bunkart-3 (Muzeu i Forcave të Armatosura).