Nismës së bashkisë së Tiranës për reduktimin e përdorimit të qeseve plastike i janë bashkuar dhe 7 supermarkete në Tiranë, që kanë nënshkruar një marrëveshje mirëkuptimi me bashkinë e Tiranës.
Në sajë të kësaj marrëveshje, angazhohen për të marrë masa për uljen deri në ndalimin e plotë të përdorimit të qeseve plastike në pikat e tyre të shitjeve.
“Kemi probleme të panumërta në një qytet që është ndërtuar për 200 mijë banorë dhe sot ka 1 milionë banorë; shpesh kanalizimet bllokohen, po ashtu edhe impiantet e grumbullimit të mbetjeve, kazanët, gjithashtu në sheshpushimet e lagjeve, në këndet e lodrave shohim katastrofa mjedisore nga papërgjegjshmëria. Ndaj, është e rëndësishme që këto rrjete supermarketesh të bashkuara në këtë nismë me Bashkinë e Tiranës, të garantojnë një qytet më të pastër”, theksoi Veliaj.
Veliaj e cilësoi si të suksesshme javën e parë të zbatimit të nismës, duke shtuar se këtë javë u reduktua ndjeshëm përdorimi i qeseve plastike nga qytetarët.
Prej një jave, në disa nga supermarketet që nënshkruan të parat marrëveshjen me Bashkinë e Tiranës, nisma për reduktimin e qeseve po zbatohet me sukses, ku qytetarët të dekurajuar nga pagesa prej 3 dhe 5 lekësh kanë nisur të përdorin trastat e rrobës.