VRAU GRUAN NË GREQI – BURG PËRJETË PËR SHQIPTARIN

Greqi

Gjykata e Athinës ka dënuar me burgim të përjetshëm 39-vjeçarin shqiptar, Kastriot Cenko. Ai akuzohet për vrasjen e bashkëshortes së tij 32-vjeçare dhe nënës së fëmijëve të tyre, Alba Cenko. Përveç kësaj, ai u dënua me dy vjet e gjashtë muaj burg për armëmbajtje dhe përdorim të armëve, ndërsa nuk u njohën rrethana lehtësuese.

Kastriot Cenko u shpall fajtor për vrasje me dashje, me shumicë votash të trupës gjykuese. Një prej anëtarëve tha se krimi mund të ishte kryer në rrethanat e një shoku emocional, por kjo nuk u pranua nga anëtarët e tjerë të jurisë. Ndaj, 6 prej tyre votuan pro burgimit të përjetshëm të tij, ndërsa njëri prej tyre votoi kundër.

39-vjeçari kishte goditur gruan e tij me çekiç, i kishte mbështjellë një kabllo karikuesi rreth qafës dhe kishte fshehur trupin e saj për një javë në dollap.

Ngjarja e rëndë ndodhi në 29 nëntorin e vitit 2024 në Ampelokipi, ku 42-vjeçari vrau me çekiç gruan dhe fshehu trupin fillimisht në dollap dhe më pas në papafingon e shtëpisë. Në momentin e ngjarjes, dy fëmijët e çiftit ishin duke fjetur. Autori kishte dyshime të forta se bashkëshortja e tradhtonte me një të njohurin e tij, por në Gjykatë e ka mohuar, duke thënë se nuk kishin probleme të tilla, vetëm se donte të shmangtte ndarjen dhe marrjen e dy fëmijëve nga gruaja.

I akuzuari kishte njoftuar policinë rreth një javë pas krimit. Nëna e 32-vjeçares, e cila dëshmoi në gjykatë gjatë seancës së mëparshme dëgjimore, tha se derisa ai telefonoi policinë, vrasësi bashkëshortor i kishte mashtruar të afërmit e saj me mesazhe qetësuese që u kishte dërguar nga telefoni i saj celular.