Historikisht çdo periudhë parazgjedhore në dy dekadat e fundit është shoqëruar me një rritje të parasë jashtë bankave, teksa intensifikohen shpenzimet (zyrtare dhe jo zyrtare) për fushatat e partive politike.
Ndonëse ky vit nuk ka qenë normal dhe fushata zyrtarisht ka nisur vetëm javën e fundit, pasi Edi Rama dhe Lulzim Basha arritën që marrëveshje ku Partia Demokratike pranoi të hynte në zgjedhje, sërish tendenca e rritjes së parave jashtë banke është konstatuar që në prill.
Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, paraja jashtë sistemit bankar (korporatave depozituese) në muajin prill shënoi një rritje me gati 2 miliardë lekë në prill (13 milionë euro), për herë të parë përgjatë këtij viti, duke arritur në 246 miliardë lekë, apo gati 1.8 miliardë euro.
Dy periudhat kur tradicionalisht ka rritje të parasë në qarkullim jashtë bankave janë në korrik-gusht kur vijnë emigrantët dhe turistët dhe dhjetor, kur sërish ka prurje nga emigrantë, ndërsa gjatë muajve të tjerë përgjithësisht ky tregues shënon rënie.
Përjashtim kanë bërë vetëm periudhat para zgjedhore, kur paraja jashtë bankave shënon rritje të pazakontë. P.sh. në maj-qershor 2015, para zgjedhjeve vendore, ky tregues u rrit me gati 10 miliardë lekë. Në prill -maj 2013, për zgjedhjet e përgjithshme paraja jashtë bankave shënoi rritje me rreth 9 miliardë lekë, sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë. Në prill qershor 2009, ky indikator u zgjerua me rreth 6.6 miliardë lekë.
Periudhat para zgjedhore tradicionalisht shoqërohen me rritje të inflacionit (për shkak të rritjes së parasë në qarkullim) dhe zhvlerësim të monedhës vendase. Por këtë vit, aktorët e tregut valutor kanë konstatuar një rritje të pazakontë të përdorimit të euros këtë prag fushate, që ata e cilësojnë dhe si një ndër arsyet e zhvlerësimit të fortë të monedhës europiane në tregun vendas.
Gjatë ditës së djeshme, euro arriti një tjetër rekord në tregun vendas, duke u këmbyer me 134.14 lekë, niveli më i ulët që nga shtatori 2009. Teksa euro në bursa vijon të mbetet relativisht e fortë, në 1.11 USD, larg nivelit prej 1.05USD ku zbriti në dhjetor të vitit të kaluar, oferta e lartë e brendshme për valutë mbetet arsyeja kryesore që po forcon lekun në vend./monitor.al/