Zgjedhjet në Turqi, rezultatet paraprake nxjerrin fitues Erdoganin

Bota

Sipas rezultateve paraprake, në Turqi ka një garë të ngushtë në zgjedhjet presidenciale, mes presidentit aktual, Recep Tayyip Erdogan, dhe liderit opozitar, Kemal Kilicdaroglu.

Sipas medias shtetërore, Anadolu, me 44 për qind të votave, Erdogan prin me 52.4 për qind të votave, ndërkaq Kilicdaroglu ka fituar 41.7 për qind.

Megjithatë, Anka, një agjenci private e lajmeve, që njihet se ka afërsi me opozitën, ka raportuar se Kilicdaroglu është në epërsi me 47.4 për qind të votave, bazuar në 31.3 për qind të votave të numëruara. Sipas kësaj agjencie, Erdogan ka fituar 46.8 për qind të votave.

Pas publikimit të rezultateve paraprake nga Anadolu Agency, lideri i opozitës turke, Kemal Kilicdaroglu shkroi në Twitter se ai është duke kryesuar në garën presidenciale.

“Ne jemi përpara”, shkroi ai në Twitter.

Ndërkaq, një zëdhënës i Partisë Popullore Republikane (CHP) të Kilicdaroglut, tha se sipas të dhënave të brendshme, opozita ka shënuar rezultate “pozitive”.

“Ne po shohim një pamje pozitive, bazuar në të dhënat tona”, tha zëdhënësi i CHP-së, Fail Oztrak.

Më 14 maj, Turqia mbajti zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare, që po konsiderohen si votimet më të rëndësishme në historinë moderne 100-vjeçare të shtetit.

Kjo, pasi votimet e 14 majit ose mund ta rrëzojnë nga pushteti presidentin Recep Tayyip Erdogan dhe t’i japin fund rrugës gjithnjë e më autoritare të Qeverisë së tij, ose do t’i mundësojnë që të hyjë në dekadën e tretë në pushtet.

Këto zgjedhje jo vetëm që do të përcaktojnë se kush do ta udhëheqë Turqinë – shtetin anëtar të NATO-s me 85 milionë banorë – por edhe si do të udhëhiqet shteti, cilin drejtim do të marrë ekonomia e cila është goditur nga kriza e kostos së jetesës, dhe do të formësojë politikën e jashtme.

Sondazhet i kanë dhënë kundërkandidatit kryesor të Erdoganit, Kemal Kilicdaroglut, avantazh të lehtë. Ai është kandidat i aleancës të përbërë nga gjashtë parti opozitare. Megjithatë, nëse asnjëri kandidat nuk arrin të fitojë mbi 50 për qind të votave, rundi i balotazhit për zgjedhjet presidenciale do të mbahet më 28 maj.

Në garë për president ishte edhe ultra-nacionalisti Sinan Ogan, ndërkaq ish-bashkëpartiaku i Kilicdaroglut nga partia e qendrës së majtë, Muharrem Ince, u tërhoq nga gara disa ditë para votimeve.

Pas votimit, presidenti Erdogan shprehu bindjen se rezultati i këtyre zgjedhjeve do të jetë “i mirë për të ardhmen e shtetit”, por nuk u deklarua nëse mendon se do të fitojë.

“Do Zoti që pas numërimit të votave mbrëmjen e sotme, rezultati të jetë i mirë për të ardhmen e shtetit tonë, për demokracinë turke”, tha ai.

Erdogan, pas votimit udhëtoi për në Ankara, pavarësisht se kishte thënë se do t’i monitoronte zgjedhjet nga Stambolli.

Ndërkaq, Kilicdarogu u zotua se do të rivendosë demokracinë.

“Të gjithëve na kishte munguar demokracia”, tha ai për gazetarët. “Do ta shihni, do Zoti, pranvera do të vijë për këtë shtet”, shtoi Kilicdaroglu.

Votuesit në Turqi po ashtu votuan për përbërjen e re të Parlamentit prej 600 ulësesh. Gara për Parlament pritet të jetë mes koalicionit Aleanca e Popullit që përbëhet nga partia konservatore e Erdoganit, Partia për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) dhe parti të tjera nacionaliste, dhe aleancës opozitare të Kicidaroglut, Aleanca Kombëtare. Në krahun opozitar bën pjesë partia sekulariste, Partia Popullore Republikane (CHP), që ishte krijuar nga themeluesi i Turqisë, Mustafa Kemal Ataturk.

Vendvotimet janë hapur në orën 08:00 dhe janë mbyllur në orën 17:00, sipas kohës lokale. Sipas ligjit në Turqi, publikimi i çdo rezultati është i ndaluar deri në orën 21:00. Në orët e vona të së dielës mund të ketë indikacione të qarta nëse do të ketë rund balotazhi për zgjedhjet presidenciale.

Votimet janë monitoruar nga një mision i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë. Ky mision tha se do të publikojë të hënën deklaratën preliminare lidhur me gjetjet sa i përket zgjedhjeve.

Në Dijarbakir, qytet të banuar kryesisht me kurdë që u goditë nga tërmetet shkatërruese të shkurtit, disa banorë kanë thënë se do të votojnë për opozitën dhe jo për Erdoganin.

“Nevojitet një ndryshim për shtetin tonë”, tha Nuri Can, 26 vjeç, i cili përmendi krizën ekonomike si një prej arsyeve që ka zgjedhur që të votojë për Kilicdaroglun.

Por, Hayati Arslan, 51 vjeç, tha se ai do të vazhdojë për Erdoganin dhe partinë e tij.

“Situata ekonomike e shtetit nuk është e mirë, por unë ende besoj se Erdogan mund ta rregullojë gjendjen. Prestigji i Turqisë jashtë ka arritur në një pikë shumë të mirë me Erdoganin dhe unë dua që kjo të vazhdojë”, tha ai, raporton Reuters.

Shumë nga provincat që u goditën nga tërmetet, që lanë të vrarë mbi 50.000 persona, kanë shprehur zemërim lidhur me përgjigjen e Qeverisë.

Votuesit kurdë, që janë diku 15-20 për qind e elektoratit, është paraparë se kanë rol kyç në zgjedhje dhe ka të ngjarë që aleanca opozitare nuk do të mund të fitojë e vetme shumicën parlamentare.

Partia pro-kurde, Partia Demokratike Popullore (HDP) nuk është pjesë e bllokut opozitar, por ky subjekt kundërshton fuqishëm Erdoganin, pas përndjekjes së anëtarëve të kësaj partie që kanë bërë autoritetet për vite me radhë.

Erdogan, 69 vjeç, po përballet me testin më të madh politik. Ai gëzon mbështetjen e turqve të cilët nuk duan një Turqi sekulare dhe ai i ka mbijetuar një sërë skandalesh korrupsioni dhe tentimin për grusht-shtet të vitit 2016.

Megjithatë, nëse turqit e rrëzojnë nga pushteti Erdoganin, kjo pritet të bëhet për shkak se ata duan prosperitet, barazi dhe gjëra elementare përballë krizës ekonomike, me inflacionin që arriti në 85 për qind tetorin e kaluar dhe me kolapsimin e lirës turke.

Kilicdaroglu, 74 vjeç, ka premtuar se ai do të ndryshojë drejtimin e ekonomisë nëse fiton zgjedhjet. Ai po ashtu dëshiron të ndryshojë sistemin politik dhe ta kthejë shtetin në sistem parlamentar. Kilicdaroglu po ashtu ka premtuar se do të rivendosë pavarësinë e gjyqësorit.

Mbi 64 milionë persona, përfshirë edhe 3.2 milionë pjesëtarë të diasporës turke, kanë të drejtë vote në zgjedhjet e 14 majit. Mbi 1.6 milion persona veçse kanë votuar jashtë vendit. Tradicionalisht, dalja në zgjedhjet turke është e lartë. REL