Zhvlerësimi i euros; humbin kursimtarët, fitojnë kredimarrësit

Ekonomi

Zhvlerësimi i euros ndaj lekut nuk ka goditur vetëm eksportet, por edhe nje pjesë të kursimeve të qytetarëve.

Familjet shqiptare mbajnë një pjesë të konsiderueshme të pasurisë në asete financiare në valutë, ku instrumenti më i preferuar është ai i depozitave në euro. 

Sipas të dhënave zyrtare nga banka e shqipërisë, në fund të muajit janar, depozitat e familjeve shqiptare në euro llogariteshin në 497 miliardë lekë. Por në fund të majit shifra zbriti në 483 miliardë lekë.  Rënia me 14 miliardë lekë nuk ka ardhur se individët kanë tërhequr depozitat nga bankat, por në pjesën më të madhe ajo është pasojë e zhvlerësimit të euros. 
Sipas bankës së Shqipërisë, për periudhën janar qershor euro është zhvlerësuar me 2.4 për qind ndaj lekut. Më saktësisht nëse në muajin janar një euro u këmbye mesatarisht me 136.57 lekë, në qershor monedha europiane është konvertuar me 133.2 lekë.  Kjo bën që vlera e depozitave në euro të ulet duke gërryer pasurinë që familjet kanë ruajtur në monedhën europiane. Por nga lëvizjet në kursin e këmbimit nuk ka vetëm të humbur.  Një kategori tjetër po kaq e madhe individësh kanë përfituar nga zhvlerësimi i euros. Këtu bëhet fjalë kryesisht për ata që kanë detyrime në euro, veccanërisht kredi, pasi për të paguar këstet e tyre tani u duhet të këmbëjne më pak lekë se më parë.