Bordi Ndërkombëtar i Kontrollit të Drogës “rrëzon” Ramën: Kanabisi u rrit, trafiku po ashtu, zgjeruat rrugët e trafikut

Politika

Bordi Ndërkombëtar i Kontrollit Të Narkotikëve ka publikuar raportin më të fundit lidhur me situatën e drogës në botë.

Raporti përgatitet në përputhje me traktatet ndërkombëtare të kontrollit të drogës.

INCB shqyrton situatën globale të kontrollit të drogës dhe i bën rekomandime qeverive.

Në kapitullin e tretë dedikuar kontinentit europian për vitin 2017, raporti përmend Shqipërinë dhe thekson se pavarësisht ndihmës nga EMCDDA dhe bashkëpunimit aktiv, kanabisi dhe grupet kriminale vijojnë të zaptojnë Evropën.

Sipas raportit grupet kriminale shqiptare janë të lidhur me grupet në Itali, Kosovë, Mal i Zi dhe Serbi.

“Grupet kriminale shqiptare bashkëpunojnë ngushtë me grupet kriminale në Greqi, Itali, Kosovë, Mal të Zi, Serbi, ish Republika Jugosllave e Maqedonisë dhe Turqi. EMCDDA ka vazhduar bashkëpunimin e saj aktiv me të gjithë kandidatët aktualë dhe kandidatët e mundshëm të Bashkimit Evropian. Për shembull, duke ndihmuar Shqipërinë, Bosnjën dhe Hercegovinën, Serbinë.”-shkruhet në raport në kapitullin për Evropën.

Raporti rrëzon hapur pretendimet e qeverisë shqiptare për kultivimin e kanabisit. Kryeministri Rama gjithmonë është shprehur se nuk është rritur sasia e kultivuar por transparenca e shifrave. INCB shpreh se në vitin 2016, Shqipëria arriti të bëhej burimi kryesor i kanabisit në Evropë duke ndikuar dhe në uljen e çmimit në treg.

“Kanabisi që përdoret në Bashkimin Evropian kultivohet në vend për t’u trafikuar nga rajonet e tjera. Shqipëria mbetet burimi kryesor i kanabis të trafikuar në Bashkimin Evropian. Në vitin 2016 në Shqipëri, gjatë vitit 2016 gjendja e kanabisit u karakterizua nga një rritje  e kanabisit të kultivuar në vend, të lidhura me një zgjerim të trafikut detar, dhe të rrugëve dhe përpjekjeve nëpërmjet rrugëve ajrore. Në vitin 2016, për shkak të rritjes në furnizim, në Shqipëri ra niveli i çmimit të shitjes me pakicë, në një nivel nga 100 euro deri në 400 euro për kilogramë.”-thuhet në raport.

Më tej në raportin e Bordit Ndërkombëtar të Kontrollit të Narkotive, flitet për trafikun e heroinës ku sërish përmendet Shqipëria si një nga vendet që ruan heroinën e trafikuar.

Raporti shpreh “çudinë” se pavarësisht rritjes me 55% të konfiskimit të heroinës nga ana e agjencive ligjzbatuese (shifra nga qeveria), çmimi nuk ka pësuar ndryshim.

Trafikimi i heroinës kryesisht përdor transportin rrugor për të sjellë heroinën në tregje në Qendrore dhe Perëndimore Evropë, duke përdorur kamionë, autobusë dhe automjete private. Greqi dhe Italia janë destinacionet kryesore për heroinën e trafikuar. Gjithnjë e më shumë, disa prej heroinave të trafikuara kanë qenë ruajtur në Shqipëri për konsumatorët lokalë.”, thekson INCB.

Sipas Statistikave të qeverisë, konfiskimi i heroinës në vitin 2016 tregoi një rritje në sasinë e heroinës së sekuestruar në 57.3 kg (një rritje prej 55 përqind) krahasuar me 36.7 kg në 2015.

“Çmimet me shumicë dhe çmimet e shitjes me pakicë kanë mbetur pothuajse identike me vitin paraprak. Çmimi për 1 kg heroine shkon nga 16,000 euro në 18,000 euro. Në vitin 2016, në tregun e rrugës, çmimi mesatar për 1 gram heroinë ishte 22 euro.”-përfundon raporti./Fax News/