Edi, mos i fry zjarrit të luftës civile në Shqipëri…!

43

Nga Artur ZHEJI  / Shqipëria nuk është prej shumë kohësh, një vend i lumtur për shumicën e shqiptarëve. Ka patur një vazhdimësi dramatike qeverisjesh dhe një banditizëm grabitqar të parrëfyer. Në të vërtetë, po kështu ankohen edhe italianët, grekët apo rusët, për qeverisjet e tyre tmerrsisht të korruptuara.
Deri këtu asgjë e re.
Sado problematike kanë qenë qeverisjet shqiptare në këto pothuajse 30 vite, pas vitit 1997, kur Berisha eksperimentoi të mbante në një dorë të hekurt të gjitha pushtetet, edhe me bekimin amerikan të asaj kohe, zjarri dhe pothuaj lufta civile e asaj kohe i tmerroi shqiptarët.
Sepse në vitin 1997, por mendoj se edhe sot 21 vite më pas, shqiptarët nuk janë të gatshëm të pranojnë, diktaturën e një personi të vetëm, verior apo jugor qoftë ai, socialist apo demokrat, aventurier apo pasionant, piktor apo doktor qoftë!

Kulti i individit, marrëzia e madhështisë dhe e dashurisë me vetveten, prodhon pashmangshmërisht ndarjen e papajtueshme të shoqërisë, dhe unë e di, që Rama e ka lexuar nëpër disa libra këtë, ndonëse sot në politikëbërje po zhbën krejt kulturën e vet të dikurshme me prirje antidespotike.
Shqipëria sot, me turrin e krisur të kryeministrit për të kapur të gjitha pushtetet, egzekutivin, drejtësinë

Akuzën dhe Gjygjsorin, shërbimet inteligjente, sistemin banker, por pa lënë mënjanë edhe bandat e mëdha të rrugës, në këtë turr hakmarrës, me një vrer që të ntrashur dhe vdekjeprurës që ka mbushur mëlçinë dhe zemrën, po e fut vendin në paradhomën e sigurtë të një lufte të afërt civile.
Duke ushtruar një shtypje të njëanshme pushteti dhe persekutimi, për mëkate të barabarta, të gjykuara dhe shpejt të ndëshkuara në mënyrë të pabarabartë.
Se çfarë po bën kryeminstri ynë shpirt-helmuar?
Nuk i ngop syrin më asgjë.
As pushteti që ka me të tepërt, as bythëlëpirësit e burratkurva që e rrethojnë me shumicë duke ju nënshtruar turpshëm, as adhuruesit e sinqertë, as skuadroni i oligarkëve të pangopur, që kërcejnë si ketra nga një pushtet në tjetrin, e që e shërbejnë me favore në çdo hap të vetin, që nuk është këtu vendi e ti rreshtojmë se cilat janë…
Pasi në konkurencën e xhunglës, kur me tallje dhe padrejtësisht kundërshtarët e vet, e mbiquanin një lepurush frikacak, Rama doli mundës dhe përdori mjeshtërisht këmbimin e “llokmave” që prodhonin para të madhe, me llokma pushteti, duke grumbulluar, si dikur spanjollët me indianët e Amerikës, gjithë arin e pushtetit në këmbim të pasqyrave…
Mirëpo “lepuri”, sot luani i xhunglës politike, kërkon që, si në filmat e Walt Disney-t, në bashkëpunim me të gjitha hienat e pyllit dhe të Shqipërisë pra, të shpallet mbret dhe të thotë si 3 shekuj më parë Luigji i XIV: Ligji jam unë!
Dhe kërkon tani, në emër të një drejtësie njëngjyrëshe, të burgosë dhe të persekutojë, për mëkate të barabarta që edhe ai dhe të vetët që e rrethojnë kanë po ashtu, kundërshtarët e vet politikë, por jo vetëm.
Rama, në të transformim që nuk njihet më se kush ka qenë më parë, kërkon në thelb, hiç më pak se luftën civile, si betejën e tij të fundit shfarosëse, të atyre që nuk i janë nënshtruar, ose që nuk i binden.
O Ed, unë e di që ashtu si më ke shkruar me marrazëm, herën e fundit, do ti lexosh edhe këto rradhë, më pas do të organizohet edhe grupi i posaçëm i sharësve, sipas variantit “rrobt ktij plerës”, e të tjera si këto…
Por nuk e kam fjalën këtu, ke akoma të gjitha mundësitë të mos e çosh vendin që të rriti mirë dhe të mban sot në pëllëmbë të dorës, si pakkush në Planet, që tja kursesh luftën.
Dikur në të ritë e tua politike, kur analizoje ndër grupe deputetësh socialist konfliktin Nano-Meta që po shkatrronte PS-në, sipas teje dhe që ti e frymëzoje sa në një krah në tjetrin, për të krijuar, ashtu si e krijove, hapësirën tënde të nesërme, në ato kohëra rrëfeje përrallën e atij plakut që këshillonte partizanët.
Partizanët po bënin planin për të zënë në çark gjermanët që megjithëse pushtues, ishin edhe ata trima në luftë thuhej, po plaku i përrallës-parabolë që u rrëfeje deputetëve të palexuar që të ndiqnin gojëhapur, një dy thoshte: “Po shtegu? Shtegu nga do ikin gjermanët nga është?”
Partizanët kujtonin se plaku po pirdhte nga mendtë, tek fliste për “shtegun”, ndërkohë që ata flisnin për “Çarkun”, por sëfundmi i dhanë llafin dhe plaku tha: O djema, duhet ti lini gjermanëve një shteg për tu tërhequr, se po e panë veten pa shpëtim, rrezikojnë të na mundin fare…”
Dhe kështu e gjykoje asokohe Metën, që duke mos i lënë asnjë shteg Fatos Nanos, e detyroi të fillonte betejën për Katharsis në Ps… e të tjera e të tjera…
Tani o Ed, po ta kujtoj këtë parabolë, dëgjuar sëpari nga goja jote, që të dish ta zbatosh edhe në rastin e qeverisjes tënde.
Jo se më dhimbsen kundërshtarët e tu, që ua ushqeve dobësitë dhe i munde në xhungël me zotësinë tënde dhe të miqve të tu të panjohur.
Tani ajo iku.
Kujdes për vendin, se kësaj rruge që po ndërmerr, po e shtyn në një qorrosokak pa rrugëdalje, drejt edhe në prehërin e një lufte civile, pa kuptim dhe pa një epërsi morale. Mjafton të hedhësh një sy, te pasuria maramendëse e ministrave të tu, që ti edhe e di, edhe se di…
Kaq për sot!

/360grade.al/