Koncesionet do të shkojnë 140 mln euro, dyfish nga mandati 1

90

Nga Neritan Gjergo / 

Buxheti afatmesëm/ Në 2018-n, buxheti i shtetit do paguajë 70 milionë euro për kontratat koncesionare, ndërsa 3 vite më pas, 140 milionë euro. Si po rëndohen taksapaguesit shqiptarë nga PPP-të

Kontratat koncesionare dhe PPP-të do t’i kushtojnë qytetarëve shqiptarë rreth 70 milionë euro ose 9.4 miliardë lekë për vitin 2018, ndërsa kosto e tyre do të rritet nga viti në vit për t’u dyfishuar në vitin 2021, në 18.1 miliardë lekë. Në programin buxhetor afatmesëm për vitet 2019-2021, periudhë e kufizuar brenda mandatit të qeverisë Rama, në rubrikën për parashikimin e ecurisë së projekteve koncesionare, vihet re se si fryhet flluska e investimeve nga privati, interesat e të cilëve do të paguhen nga buxheti i shtetit, dhe jo deri në vitin 2021, por edhe përtej këtij viti.

Aktualisht janë 12 kontrata koncesionare të cilat financohen krejtësisht ose pjesërisht nga buxheti i shtetit, ndërsa parashikohen që për 4 të tjera, ofrimi i shërbimeve laboratorike spitalore dhe ndërtimi i 3 rrugëve nga projekti “1 miliard euro”, të nisë shlyerja e pagesave nga viti 2020. Megjithë riskun e lartë që paraqesin për rritjen e borxhit publik, për shkak edhe të mungesës së thelluar për kosto-përfitimet, qeveria shkruan në dokumentin e buxhetit afatmesëm se, shuma e përgjithshme e pagesave vjetore neto, që kryhen nga njësitë e qeverisjes së përgjithshme, të cilat rezultojnë nga kontrata koncesionare apo partneriteti publik privat, si rregull, nuk duhet të tejkalojnë kufirin prej 5 për qind të të ardhurave tatimore faktike të vitit paraardhës buxhetor”. Dhe në periudhën 3-vjeçare në fjalë, qeveria shkruan se pragu respektohet.

Kontratat

Katër kontratat e koncesioneve në shëndetësi, me kosto totale rreth 300 milionë euro, zënë peshën më të lartë në buxhetin e vendit. Ato vlerësohen në mbi 40 për qind të kostos totale vjetore të koncesioneve. Kontrata janë kontrollit bazë i qytetarëve (check-up); shërbimi i hemodializës; sterilizmi i pajisjeve kirurgjikale dhe shërbimi i laboratorëve spitalore. Tre koncesionet të inceneratorëve të Fierit, Elbasanit dhe Tiranës, të cilat janë të përqendruara në një pronar, do të kushtojnë në total rreth 236 milionë euro-PPP e inceneratorit të Elbasanit me kohëzgjatje 7 vjet ka kosto prej 28 milionë euro dhe zbatohet nga kompania Albtek Energy; PPP e inceneratorit të Fierit me kohëzgjatje 6 vjet, me kosto 28 milionë euro dhe zbatohet nga Integrated Technology Ëaste Treatment Fier; PPP e inceneratorit të Tiranës me kohëzgjatje 30 vjet, me kosto totale 180 milionë euro do të zbatohet nga Integrated Energy B.V shpk. Koncesionet e ndërtimit të shkollave nga Bashkia Tiranë me kohëzgjatje 8 vjet kap vlerën e 60 milionë euro.

Koncesioni ka filluar në vitin 2017 dhe do të përfundojë më vitin 2024. Dy koncesionet në rrugë, ajo e Rrugës së Arbrit, dhe ajo e Autostradës Milot-Morinë kanë filluar këtë vit  me kosto të përbashkët të tyre të vlerësuar rreth 260 milionë euro—ndërtimi i rrugës së Arbrit do ketë kosto 240 milionë euro për 30 vjet dhe do të ndërtohet nga kompania Gjoka shpk; ndërsa autostrada Milot-Morinë me kosto 20 milionë euro dhe kohëzgjatja koncesioni për 30 vjet do të ndërtohet nga një konsoricum mes firmave Salillari sh.p.k dhe Kastrati sh.p.k. Kontrata koncesionare e ndërtimit të HEC-it mbi Devoll është një kontratë që ka një kosto prej 70 milionë euro për buxhetin publik, me kohëzgjatje 5 vjet, ndërtuar nga shoqëria Devoll Hydropower shpk. Shërbimi i Skanimit në Dogana (Rapiscan), kontratë koncësionare me vlerë 276 milionë euro, me kohëzgjatje 15 vjet. Kompania koncesionare është S2 Albania. Shifrat tregojnë se PPP-të në janë plotësisht një barrë mbi pasurinë e publikut.

Pagesat

Shqiptarët paguan mbi 78 milionë euro gjatë vitit të kaluar vetëm për 3 kompani koncesionare, që kryejnë shërbime monopol të mbrojtura me kontrata qeveritare. Të dhënat zyrtare nga bilancet e dorëzuara në QKR tregojnë se, koncesioni i Aeroportit të Rinasit, ai i Pasaportave dhe Skanimi në dogana faturuan në total 9.8 miliardë lekë për 2017-n, duke realizuar norma fitimi neto që shkojnë deri në 38 për qind. Sipas bilanceve, lista kryesohet nga koncesioni i Aeroportit të Rinasit. Për vitin e kaluar, kompania “Tirana International Airport” arkëtoi rreth 6 miliardë lekë të ardhura nga tarifat aeroportuale, nga të cilat rreth 2.3 miliardë lekë ishin fitim neto. Pas aeroportit, në vendin e dytë renditet koncesioni i pasaportave.

“Aleat shpk” arkëtoi vjet rreth 2.3 miliardë lekë nga shitja e pasaportave dhe kartave të identitetit te qytetarët shqiptarë, përmes kontratës monopol që i ka dhënë qeveria. Edhe kjo kompani ka një normë fitimi dyshifrore, saktësisht mbi 25 për qind, duke realizuar mbi 642 milionë lekë fitime për vitin e kaluar. “S2 Albania”, kompania që ka koncesionin e skanimit renditet në vendin e tretë. Kjo kompani arkëtoi 1.56 miliardë lekë nga tarifat e skanimit për vitin e kaluar, duke pasur një fitim neto prej 207 milionë lekësh. Koncesionet monopol vazhdojnë të prodhojnë fitime të majme nga tarifat e vendosura mbi qytetarët, por edhe ato që paguhen nga buxheti i shtetit. Këto janë vetëm 3 kompanitë që kanë dorëzuar bilancet për vitin 2017. Por, numri i koncesioneve dhe fatura që paguajnë qytetarët për to është disa herë më e lartë sesa kaq.

PD: 3.7 miliardë euro të vjedhura nga koncesionet

Partia Demokratike deklaroi sot se “skema korruptive e koncesioneve dhe PPP-ve ka dëmtuar buxhetin e shtetit me 3.7 miliardë euro”. Përmes një deklarate për shtyp, deputeti i PD-së, Agron Shehaj u shpreh se “nga mbi 200 partneritete që qeveria Rama ka bërë, pothuajse asnjë prej nuk është nga një kompani perëndimore”. “Nëse me tender rrugët ndërtoheshin me 1 milionë euro për çdo km, me partnerët e Ramës ato do kushtojnë 10 milion euro për km. Nga korrupsioni i qeverisë, çdonjërës prej 800 mijë familjeve shqiptare i është vjedhur mesatarisht 5 mijë euro”, u shpreh Shehaj. Kjo qeveri, tha Shehaj, nuk përdor tenderët për të ndërtuar infrastrukturën, si këshillojnë të gjitha institucionet ndërkombëtare, por partneritetet. “Në këtë mënyrë thela bëhet më e majme, vidhet me shume dhe për një kohë të gjatë”, tha ai. Deputeti i PD-së theksoi se “projekti 1 miliardë është shumë i mirë për Ramën dhe partnerët e tij, por jo për shqiptarët”. “Anulimi i të gjitha koncesioneve korruptive do të jetë akti i parë që Partia Demokratike do bëjë kur të marrë votëbesimin e shqiptarëve”, shtoi Shehaj.