Mes kujtesave të dridhshme dhe kufijve të dy popujve: Grekëve dhe shqiptarëve

255

Nga Josif Papagjoni

Pas romanit  “Nata me dy hëna” (2012) si dhe dhjetë librave me publicistikë letrare, romani i ri i Thanas Dinos “Shenja e shenjtë” sjell lëndën e një jete mes kujtesave të dridhshme etnologjike, historisë, miteve, zakoneve të njerëzve që shkojnë e vijnë kufijve të dy vendeve e popujve: Greqisë e grekëve me Shqipërinë dhe shqiptarët. Një temë vërtet interesante, e pa kapur më herët në letrat shqipe në formën e një romani të plotë, një mozaik bëmash e gjëmash, njerëzish e karakteresh, sjelljesh e zakonesh, historish të vërteta dhe historish të tretura në memorien kolektive në formë baladash, mitesh, legjendash, këngësh, letërsi orale. Roman që synon të veçantat e një bashkësie etnike njerëzish: ajo çka është bulbore, e ëndërrt madje, e kthyer në materie prej shpirti lëndonjës, sa dhe në rrëfime fatesh njerëzore konkrete, në histori familjesh e fshatrash të njohura të minoritetit grek në Shqipëri, ndryshimet religjioze dhe marrëdhënia e dy etnive me besime të ndryshme, të krishterë e myslimanë. Një roman me disa linja, disa hapësira veprimi, disa breza njerëzore e në disa kohë, ku vibron shpirti përbashkues i etnisë, gjaku i ëmbël dhe gjaku i thartë, në pohimin e rrënjëve dhe vetjakësisë, në kërkim të ekzistencës dhe ardhmërisë, më në fund në kërkim të dashurisë dhe domosdosë për bashkëjetesë e mirëkuptim mes etnive, popujve, kombeve.

Njeriu është më së pari njeri. Kjo është megashenja e tij, ajo çka e bashkon me gjithë sivëllezërit, përtej kombit dhe ngjyrës së lëkurës, përtej racës dhe dallimeve fetare, përtej ideve, përkatësive politike, klasore, moshore, gjinore, pasurore etj. Mençuria e pohon këtë, siç e ka pohuar me linjat e historive dhe subjektit të vet edhe romani i Th. Dinos. Por, nga ana tjetër, ndonëse “po i njëjti”, njeriu bashkohet në një fis, etni, komb, popull, duke shprehur e ruajtur diçka thellësisht të “tijën”, përveçuese, atë që shkrimtari e quan në mënyrë metaforike “shenja e shenjtë”, nënkupto identitetin etnik. Një shumësi ngjarjesh në një shumësi personazhesh, sa dramatike, sa komike, që kanë aromën e tyre dhe duken shpesh të papërsëritshme, të habitshme, që të bëjnë edhe të qeshësh, edhe të trishtohesh, edhe të mendohesh thellë. Mëpastaj në roman përshkruhen rituale të shumta fetare e sociale, dasma e festa, dashuri të fshehta e dashuri që sfidojnë statuset morale dhe tradicionale… Më tutje vijnë drithërimat nga lufta italo-greke, Lufta e Dytë Botërore, tmerret e saj, lëvizjet e njerëzve për t’i shpëtuar vdekjes, betejat dhe heroizmi, vdekja dhe përtëritja e jetës breznive…

Romani “Shenja e shenjtë” nis në formën e një kronike nën titullin “Zjarri i vjetër, familja me ikonë”, ku rrënjëzohen fillesat e fisit dhe aradhet e gjakut; duket sikur lexon diçka nga pergamenat dhe kronikat mesjetare: të sakta e të vërteta. Rrëfimi është bërë enkas i tillë dhe më tutje, në nyjat e shumta, herë pas here autori sikur kujtohet për këtë mënyrë dhe e rimerr në forma të tjera, duke risjellë në vëmendje “pluhurin” e dosjeve dhe kronikave të rrjedhës së fisit dhe bëmave të njerëzve të tij.  Historia nis në mesin e shekullit XIX, ecën mes viteve të turbullta të fundit të pushtimit turk, vjen në çastin e madh të formimit të shtetit shqiptar me gjithë rrëmujën dhe rrëmetin e Luftës Ballkanike dhe asaj botërore, epohet më tej me ndryshime marrëdhëniesh, përzierje gjaku, raportin me tokën, cubëritë, martesat, puna dhe zejet, vendosja e kufijve dhe lëvizja e tyre duke ndarë bashkësi njerëzish sa nga njëra anë në tjetrën, rrjedhimisht, duke sjellë probleme, brenga, dasi, halle, ndarje. Lëngu i gjithë kësaj historie shpesh të hidhur bëhet i ëmbël nga malli, dashuria, ndjeshmëria dhe estetika e shkrimtarit.

“Shenja e shenjtë” është identiteti, ylli që nuk shuhet teksa “kozmosi” shkundet nga përplasjet dhe gjëmimet; është ajo që në mendësinë e folklorit quhet “ylli në ballë”. Është pra diçka e brendësuar, gjeni i paracaktuar, shiriti kromozonik ku regjistrohet historia e njerëzve që të përkasin, e fisit, fshatit, etnisë, ajrit që thith, e historive dhe bëmave, e nostalgjive dhe lotit, e dashurive dhe fatit, diçka që nuk zëvendësohet me asgjë e askurrë, sepse është thelbi i thelbit: vetjakësia. Ky rrëfim drithërues që na jep Thanas Dino me romanin e tij për grekët “ndërkufitarë” është pikërisht marrja dhe rimarrja e identitetit që rrugëton sa andej-këndej sinorëve, nga njëri atdhe në tjetrin, nga njëra hapësirë e mjedis etnik në tjetrin.

Është kujtesa që lëviz në kohë dhe bartet nga aradhet e pasme të fisit, etnisë; është kultura, trashëgimia, antropologjia që bartet nga Greqia në Shqipëri, në një hapësirë ndërkufitare, ku dallimet dhe përbashkësitë ndërthuren në një ritëm jete sa të dallueshme e kontradiktore, aq dhe të socializuara e koherente. Janë dy në një e një në dy, siç janë edhe personazhet e romanit, subjekti i të cilit lëviz pikërisht në këtë dyzim, sa fatal a fatkeq aq dhe fatlum e i mirëpritur prej një fisi njerëzish ardhur dikur nga fshatrat kufitare greke drejt Shqipërisë, në një bashkëjetesë sa të vështirë aq dhe të qëndrueshme me shqiptarët, popullin “tjetër”, që Zoti e kishte vënë pranë nëpër mijëra vjet. Kjo marrëdhënie s’është e lehtë, por komplekse, mbushur dëng me keqkuptime, por dhe me mirëkuptime reciproke, drejt një stadi të ri qytetarie, që e tejkalon xhelozinë nacionale, që i mposht paragjykimet dhe urrejtjet, që apelon për mirësi, kuptim, bashkëjetesë, lumturi, dashuri. Kur dashurisë ia shpojnë sytë dhe e verbojnë, atëbotë lind urrejtja, dasia, kundërshtia; kur dashurisë ia çelin sytë, atëbotë lind mirëbesimi, ndërsjellja, pranimi, bashkëjetesa.

Romani është shumështresor, jo i një linje, por i disa syresh, që sjellin shqetësimin e kohës, asaj të djeshmes dhe asaj të sotmes, të një fisi të gjerë grekësh vendosur në fshatrat e Jugut të Shqipërisë, në një lëvizje të ankthshme, shpesh të mbushur me keqkuptime, mëri, fatalitet, sa edhe me mikpritje, bashkëpunim, përzierje jetësh e fatesh të përbashkëta.

Nëse do të artikuloje një mesazh gjithëpërfshirës në romanin “Shenja e shenjtë”, ai s’është veçse thirrja e brendshme për kuptim dhe pranim reciprok midis një kombi dhe pakicave të tij, atyre që zotërojnë dhe atyre që integrohen; midis asaj që është e shumtë, por jo dhunuese dhe asaj që është e pakët, por e respektueshme. Ky raport i një makrobote të përsëritshme në kohë e hapësira të ndryshme, vjen dhe shpërfaqet në fletët e romanit nëpër histori njerëzish dhe familjesh, që të mbledhura fije më fije, krijojnë historinë, ndofta, të marrëdhënieve të kombit me pakicat kombëtare, manipulimin dhe keqpërdorimin e tyre sikundër ofrimin e një dore bashkëjetese, kur ditët bëhen të vështira dhe jeta rrezikohet nga stuhitë e luftërave, gjakut, urrejtjeve.

Vlerë e veçantë e romanit është edhe gjithë ajo mbamendje etnologjike, e derdhur në rrëfime historish të dhimbshme, herë mallëngjyese e herë të vrazhda, e tretur në doke e zakone, në mite e përralla, ku buis shpirti i fisit, i etnisë, i kombit vetë, si një eshtër e madhe prej nga ngjitet trupi dhe marrin formë nostalgjitë prekëse, bujtur sofrave familjare qysh nga mugujt.

Me fjalët e Thanas Dinos, mesazhi i romanit vjen i qartë dhe i artikuluar bukur në fund të romanit, kur shkruhet: “Nga një shtjellë kemi lerë, era e saj e madhe ka marrë, përzier e shpërndarë farën tonë, gjetkë jemi mbjellë e gjetkë korrë. Në këtë shtjellë brenda, edhe jemi afruar e ngjarë, edhe kemi ndryshuar e larguar. Vetëm kur takohemi dhe e pranojmë, e njohim njëri-tjetrin”.