Patriotizmi është Atdhedashuria i shqiptarëve këtej dhe andej Mëmëdheut!

304

Nga Artur Nura

Personalisht besoj se para së gjithash duhet sqaruar se çfarë do të thotë realisht patriotizëm! Kjo fjalë me një koncept krejt të qartë në vetë-vete përdoret me një inflacion të panevojshëm midis nesh dhe nga ne dhe kudo duke përcjell edhe konfuzion. Padyshim që një gjë e tillë tregon se edhe karshi këtij fenomeni nuk jemi racional!

Koncepti i Patriotizmit rrjedh nga koncepti i Patria-s ose Atdheut dhe mund të përkthehet dhe përdoret më thjesht dhe më shqip si Atdhedashuri. Kjo do të bënte që të gjithë ne të dinim ta respektonim më shumë këtë fenomen nacional-kulturor për të cilin ka nevojë cdo shtet. Besoj se të gjithë jemi të ndërgjegjshëm që ky binom fjalë-koncept shfaqet me një inflacion të pashëmbullt si në shtypin e shkruar edhe në ekranet tona të shumtë.

Shteti ynë ka më shumë nevojë se të tjerët për Atdhetarë të cilët nuk janë emocionalë dhe partiakë, por racional dhe të vullnetshëm për të ndihmuar funksionimin më të mirë të istituciove shtetërore të cilat janë ndërtuar në favor të të gjithë shtetasve!

Personalisht jam i bindur se fillimisht për të arritur atu ku nevojitet duhet nisur me bojkotimim e fjalëve të huazura patriotizem dhe patriot dhe të përdorim vetëm fjalët shqipe: atdhedashuri dhe atdhetarë për të qënë të mirëkuptuar deri nga shtetari i fundit i cili mund të jetojë në Vermosh apo Konispol.

Kështu do të mund të fillonim të kuptonim të gjithë se Atdheu nuk duhet konceptuar në mënyrë abstrakte, por ka aryet e veta racionale të cilat të bëjnë ta duash, respektosh dhe ndihmosh atë për aq sa mundesh…

Atdhedashuria Shqiptare ne Ballkan

Besoj se dimensionet e atdhetarisë midis Shqiptarëve në Ballkan janë të ndryshme. Ato të Shqiptarëve në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, janë krejt të ndryshme nga ato tonat këtu në shtetin Amë.

Dimensionet e Atdhetarisë të Shqiptarëve në Greqi (të vjetërve si Arvanitasit dhe Camët Ortodoksë dhe të rinjve emigrantë) janë akoma më të ndryshme nga të dyja grupet e sipër përmëndura dhe kjo ka padyshim arsyet e veta historike dhe politike.

Në Shqipëri gjatë viteve të gjata të diktaturës Atdhedashuria limitizohej vetëm në dimensionet një partiake dhe shumica e shoqërisë ishte nën sundimin e asaj pakice partiake e cila drejtonte shtetin dhe shoqërinë në mënyrë të dhunshme.

Në atë kohë udhëheqësi dhe partia ishte Atdheu dhe prona, ishte shtëpia dhe trashigimia, ishte kultura dhe, të gjithë ishim të shtetëzuar deri në dimensionet shpirtërore duke humbur thellë vetëvetes konceptet e mirëfillta mbi Atdheun dhe pronën.

Në atë kohë askush nuk mendonte se Atdheu duhet konsideruar si një Shtëpi e madhe dhe pronë e të gjithëve. Askush nuk kishte shtëpi nën pronësi dhe shteti komunist ishte pronar i gjithshkaje deri martesave të cilat nuk mund të zgjidheshin pa lejen e Sekretarit të Partisë!

Padyshim që kjo ekspereincë e gjatë dhe e dhunshme do të kishte rezultatet e saja negative karshi dimensionit njerëzor të Atdhedashurisë të shtetasve të cilët realizuan jo rastësisht në vitet 1990 eksodin më të paimagjinueshëm duke kërkuar të mohojnë edhe prejardhjen Shqiptare.

Atdhedashuria e Shqiptarëve jashtë Shqipërisë

Sic dihet organizimi politik shtetëror në ish Jugoslavi, pavarësisht liberalizimit më të madh të saj, ka qënë i ngjashëm me atë të Shqipërisë Komuniste. Por, duke qënë se instrumentat e dhunshëm të administratave përkatëse kanë qënë dominuar nga etnitë e tjera jo Shqiptare, Shqiptarët si në Kosovë, Maqedoni apo Mal të Zi ka mundur të ndajnë dimensionin partiak nga ai Atdhetar.

Për më tepër liberalizimi Jugoslav nuk u mori atyre të drejtat e pronësisë dhe të shtëpive, sic në fakt ndodhi në Shqipëri. Jo rastësisht në Kosovë, Maqedoni apo Mal të Zi harta e pronësive është e zgjidhur në pjesën më të madhe të tij, ndërsa në Shqipëri…

Kjo ka bërë ata të jenë më Atdhetarë dhe shumë më të ndjeshëm ndaj cështjes Kombëtare e cila mirëfilli lidhet me konceptet e pronës, shtëpisë dhe ligjeve të cilat rregullojnë mardhëniet midis tyre dhe tyre me pronën dhe Atdheun.

Mesa duket të njëjtat arsye dhe koncepte racionale kanë bërë që Shqiptarët e Greqisë të jenë më pak të ndjeshëm ndaj Atdhedashurisë e cila në rastin e tyre ka qënë nën sundimin e një shteti tjetër.

Kjo ka padyshim shkaqet e saja konkrete të cilat lidhen me faktin se Greqia ka qënë gjithomnë me fat në historinë gjeopolitike të Ballkanit. Fakti që ajo u bë pjesë e Perëndimit pas luftës së Dytë Botërore me vullnetin e padiskutueshëm dhe të vendosur Britanik e cila e ka patur nën kujdesin e vet domethënës që më herët, ka bërë që Shqiptarët atje të gëzojnë të drejtat e pronësisë si gjithë Grekët e tjërë, por kurrë si pakica kombëtare!

Këtu sigurisht përjashtohet rasti I Camëve dhe Shqiptarëve të tjerë të cilët fati i keq i solli të jetojnë në Shqipëri dhe cështja e tyre është akoma e pazgjidhur, por pjesa tjetër është krejtësisht e paorganizuar dhe kjo duhet të ketë arsyet e veta të cilat lidhen edhe me faktin se gëzojnë të drejta të padisktueshme.

Emigrantët Shqiptarë

Besoj se kjo pjesë e kombit tonë ka të njëjtën hartë konceptimi sipas orgijinës së tyre, por për të mos lodhur durimin e lexuesit më duhet të kujtoj aktorin e famshëm Shqiptar James Belushi i cili përcaktimit për të si Shqiptar nga Ardit Gjebrea, ju përgjigj: Unë jam Amerikan!. Babai im ka qënë Shqiptar.

Atdhedashuria për të ishte Amerika që I ka ofruar karrierë, shtëpi, prona, të ardhura dhe stabilitet! Nga kjo duhet të mësojmë të gjithë ne për të qenë atdhetarë të dobishëm këtu që nesër këtë deklaratë të mos e bëjnë edhe të tjerë…