Media – Intelektualët dhe Emigracioni

Kryesore Opinion

Nga Prof.Doc.  Fane S.Tarifa /

Lexova një thirrje të Dom Gjergj Metës dhe në mbështetje të tij desha të shtoj disa mendime.

Së pari çfarë roli po luan media jone në lidhje me braktisjen e vendit dhe tendencen për emigrim?

Me sa i kam ndjekur shumica e mediave i fryjnë zjarrit për braktisjen e atdheut, sikur atdheu qenka vetëm e vetëm i disa politikanëve të veshur me pushtet. Në vend të reklamimit të resurseve tona të mundësive e potencialeve tona të zhvillimit me shumë nxihet çdo gjë e bëjnë thirrje pesimiste dhe reklamojnë vrasjen e shpresës sidomos tek brezi i ri. Duke përjashtuar emisionin “Histori Shqiptare” dhe disa programe të tjera si “Shqiptarët për Shqiptarët” e ndonjë tjetër në tërësi, duke mallkuar qeverinë ekzistuese, disa tellallë gazetarë i mëshojnë largimit të të rinjve duke ndihmuar planet famëkeqe të boshatisjes së vendit, plane këto antishqiptare.

Së dyti edhe inteligjenca progresive shqipëtare është e topitur, tulatet në mantelin brenda saj dhe zëri saj ose është i mekur, ose nuk ndihet fare. E ashtuquajtura inteligjence e re në shumicën e saj ose është krijuar artificialisht me veprime e dokumente të manipuluara. Ose nuk ka fare aftësinë për t’u përfaqësuar si e tillë. Zëri i intelektualeve të vërtetë pengohet me njëmijë mënyra. Ata janë të privuar si ekonomikisht ashtu dhe në jetën sociale dhe edhe ndonjë zë i leshuar mbytet nga mediat e shitura.

Ai që e do atdheun e kupton se guri rëndon në vend të vet. Ata intelektualë që kanë emigruar e kanë parë se jeta në emigracion nuk është fushë me lule. Juristi, ekonomisti agronomi, mësuesi, bile edhe mjeku duhet të kalojnë një periudhe kohe që nuk dihet sa zgjatë, duhet të përvetësojnë shumë mirë gjuhen e atij vendi pa të arrijnë të punojnë në profesionin e vet.

Së treti emigracioni është një dukuri globale jo vetëm shqipëtare. Dihet se vendet me një demokraci më të zhvilluar me standart të lartë jetese me shtete e shoqëri të konsoliduar me teknike e teknologji të avancuar gjenerojnë të ardhura më të mira .

Po jap një shembull nga jeta ime.

Në moshën 62 vjec shkoj emigrant. Gjuhën e huaj nuk e kisha problem. Duke kërkuar punë njihem me një bizesmen, i cili më çoi të punoja në një supermarket (publix) në sektorin e mirëmbajtjes. Menaxheri kryesor më pyeti për arsimimin tim dhe kur mori vesh se isha doktor shkencash, pakëz i befasuar më thote: “Tek ne çdo punë është e nderuar. Këtu filloi edhe përmbysja e koncepteve të mëpareshme të miat për punen dhe emigracionin. Këtë e them se mbrëmë degjova një djalë në Durrës që kur i tha kryeministri që pse rri në kafe kur pune ka në ndertim ai u përgjigj: po unë kam mbaruar shkollën e lartë.

Thashë me vete : O sa keq. Si është e mundur që të rinjtë tanë më parë preferojnë të rrinë nëpër kafe pa punë, se u vjen turp të bëjnë një punë tjetër. Eshtë e vërtetë që emigrantët duke punuar në vënde të ndryshme marrin e mësojnë atje në punë e nëpërmjet punës teknika të reja përvoja biznesesh etj. Tashmë mbas një farë kohe nuk do jenë të paktë ata që me ato njohuri me atë përvojë të fituar do kthehen të hapin bizneset e tyre në atdhe. Unë u them të rinjve. Më shume besim tek e ardhmja brenda atdheut tuaj, sepe këtu keni aq shumë resurse, aq shumë mundësi sa nuk mund t’i gjeni askund tjetër.

Së fundmi : Ju media e intelektuale: Kujdes ! Mos ja vrisni shpresën brezit të ri. E ardhmja e tyre është në Shqipëri se nuk ka më prodhimtarë më ekonomike më të bukur dhe me të dashur se Shqipëria…!