Skandali: Abuzim i dyfishtë me bukën e përditshme, kush përgjigjet?

52

Asnjë institucion nuk kontrollon peshën e bukës! Pas vjedhjes për rreth dy dekada të energjisë elektrike, vjedhja në peshë e bukës është e patolerueshme.

Në Shqipëri, sipas të dhënave zyrtare, një buke e freskët 500 gramshe kushton 0,50 euro. Ky është çmimi më i lartë i bukës në rajon, Në Europë e njëjta bukë kushton nga 0,32 Euro deri në 0,64 euro. Ndërsa në Prishtinë, të njëjtën masë buke mund ta blesh për vetëm 0.29 Euro. Në Beograd, 500 gramë bukë e bardhë kushton 0.40 euro, etj. Fakt i njohur është që Shqipëria është shteti që shpenzon më shumë për bukë dhe drithëra në Europë. Sipas të dhëna nga Instituti Europian i Statistikave (Eurostat), shpenzimet nominale për bukë dhe drithëra, si përqindje e Prodhimit të Brendshëm Bruto (GDP) janë saktësisht 4.9%, më të lartat në Europë.
Sipas specialistëve dukshëm vihet re se biznesi i prodhimit të bukës na vjedh dy herë.
Së pari, nëpërmjet çmimit të subvencionuar të energjisë elektrike, energji që paguhet nga shqiptarët me synimin që të ruhet një çmim social.
Së dyti, me peshën e bukës. Kush e kontrollon këtë të fundit? AKU nuk është përgjegjëse për peshën. Drejtoria e Metrologjisë dhe Kalibrimit nuk merret me peshën, por me pajisjet peshëmatëse. Drejtoria e Mbrojtjes së Konsumatorit kontrollon vetëm peshën e produkteve të paketuara! Buka nuk është e paketuar në Shqipëri. Kush është përgjegjësi?
Radio Televizioni Shqiptar e ka ndjekur në vijimësi këtë problem që krijon ky biznes që numëron më shumë se 3000 njësi në rang republike. Nuk ka qënë e mundur të mësojmë nga asnjë prej institucioneve publike, që paguhen me paratë e taksapaguesve shqiptare se kush bën çfarë në kontrollin e produktit më të nevojshëm të shqiptarëve që është buka.
Ekspertë të pavarur jashtë mikrofonit të RTSH theksojnë se edhe tabelat e miratuara që lidhin peshën e bukës me çmimin e saj janë të tejkaluara dhe jo konform strandardeve të Bashkimit Europian. Këto çmime kanë të bëjnë me bukën masive, bukën e konsumit të përditshëm. Sot pothuajse në të gjitha qytetet kryesore të vendit as që prodhohet buka masive, sikundër njihet nga standardi shqiptar. Nomenklatura e produkteve dhe nënprodukteve të grurit, theksit, miellit etj, është aq e shumëllojshme sa vështirë se gjen në tabelat e produkteve të furrave të bukës të gjithë gamën e tregtimit të tyre. Dhe kjo është një tjetër mundësi për abuzim e vjedhje në peshë, që duhet ta vërtetojnë veçanërisht inspektorët e Inspektoratit të Mbikqyrjes së tregut në Shqipëri. Deri sa të ndodhë kjo shqiptarët do të vijojnë të vidhen, sikundër ndodh sot e gjithë ditën!