Teleperfomance: Nuk largohemi nga Shqipëria…

580


Në Shqipëri, sektori do të vihet në vështirësi të mëdha. Nuk do të ketë më asnjë nismë për të hapur kompani të reja. Nëse deri dje ky sektor është rritur me ritme të larta, tashmë kjo nuk do të ndodhë më…

Diego Pisa, është menaxheri për Shqipërinë i një prej kompanive të mëdha të shërbimit call center, Teleperformance. Një kompani ndërkombëtare e cila ka seli në 62 shtete, përfshi këtu edhe vende si Shqipëria, Rumania etj.
I pyetur nga “Monitor”, nga Italia, Pisa komenton ligjin e delokalizimit të shërbimit call center që u miratua në vendin e tij e shprehet se ky është një ligj i shkruar keq, që godet delokalizimin e këtyre kompanive, duke e konsideruar si shkakun e të gjitha të këqijave, por në vend që ta ndalojë e inkurajon më tej fenomenin ‘dumping” dhe do krijojë konfuzion.
I pyetur nëse në këto kushte kompania e tij do të largohet nga Shqipëria, thotë se një gjë e tillë nuk do të ndodhë. “Ne jemi një kompani ndërkombëtare e cila ka seli në 62 vende dhe kemi planet tona të biznesit. Ne nuk kemi ndërmend të largohemi nga Shqipëria”.
Në lidhje me rregullat e ashpra që parashikon ligji i ri sa i përket ndalimit të lehtësive fiskale z. Pisa thotë se ata nuk kanë përfituar asnjë lehtësi nga shteti italian.
Natyrisht, thotë ai, miratimi i ligjit do të sjellë probleme për këtë sektor në Shqipëri. Të gjitha shoqëritë e shërbimit call center do të duhet të hapin seli në vendet e BE-së për të mos pasur probleme. “Në Shqipëri, sektori do të vihet në vështirësi të mëdha. Nuk do të ketë më asnjë nismë për të hapur kompani të reja. Nëse deri dje ky sektor është rritur me ritme të larta, tashmë kjo nuk do të ndodhë më”, përfundon z.Pisa.
Por, një tjetër element që ligji thekson e që vihet në dukje edhe nga ekspertët italianë është se ai synon që të luftojë fenomenin e garës së uljes së çmimeve, duke përcaktuar se shoqëritë që vendosin të shfrytëzojnë shërbimet e një call center, duhet të zgjedhin ofertën më të mirë, në raport me koston e personelit.
Ky parim është i kuptueshëm, thonë ekspertët, por zbatimi i tij në praktikë do të jetë i vështirë, duke qenë se kosto e personelit është një variabël qe shpesh varet nga volumi i punës(shërbimit të ofruar), gjë e cila nuk mund të dihet paraprakisht. Për këtë arsye nuk do të jetë e thjeshtë të përcaktohet ndikimi efektiv i kostos së personelit mbi ofertën e përgjithshme./monitor/