Trishtim shqiptar i përshkallëzuar në kufinjtë depresionit

Korrupsion Kryesore

Nga KOLEC TRABOINI

Qytetarët shqiptarë në përditshmëri dëgjojnë lajme që ua shkallojnë trurin. Lajme që të krijojnë sindromën e njerëzve që jetojnë jo në Evropë, por nëpër fiset e xhunglave të Afrikës ku ca janë me fatin e luanit e të tjerët të presë, të viktimës së përjetshme.

Kësisoj ata që kanë arritur të zënë një vend në bazë të lidhjeve fisnore, klanore, politike, tarafit e interesave mafioze ndjehen të plotfuqishëm, ndërkohë që të tjerët në fat të zi e me shpresë të vdekur sa  nuk u mbetet tjetër; o ikja nga sytë këmbët prej këtij vendi të vet mallkuar ose të bëjnë vetëvrasje si i vetmi shpëtim i sigurt prej kësaj katrahure ku kurrkush nuk e ka sigurinë e të nesërmes.

Rrugë tjetër nuk ka në këtë trishtim shqiptar i përshkallëzuar në kufinjtë e depresionit. Edhe shpresa se ndërrimi i qeverisjes do të lëvizte ujin e qelbur në pushtet e administratë, u flashk në katër vjet hallakatje, sepse sikush mendoi e punoi për të rregulluar të vetët, pra familjen, rrethin, fisin.

Lexova një shkrim dhe mu nxinë sytë, të gjithë fëmijët e deputetëve të dy krahëve të politikës, pozitë e opozitë  ishin punësuar e me rroga të majme, të gjithë vëllezërit e motrat e deputetëve, ministrave, funksionarëve të lartë janë të punësuar në vendet më të mira, qoshe të ngrohta e të sigurta duke përfshirë edhe Bankën e Shtetit.

Ndërkohë ata që për 8 vjet i pat mbajtur qeveria e shkuar në papunësi pse të kualifikuar, vazhduan të jenë po ashtu të papunë, sepse edhe kur bëhet ndonjë konkurs, gjejnë një shkak a sajojnë një të tillë, që të vendoset ai që duan, ai për të cilin kanë bërë kompromis pas kuintave të dy palët.  

Ata kanë qenë e mbeten zotër të këtij vendi pavarësisht rotacionit të pushtetit. Kaq shumë është konsoliduar mendimi se pushtetet ndërrohen, por ne të tarafit e miqësive jemi po këta, se armiq jemi në foltore të parlamentit por në interesa jemi aleatë, sa nuk jam çuditur aspak kur pasi e shkarkuan drejtoreshën e një Arkivi (e njohur kjo si pjesë e strukturës politike që populli me verdiktin e vet e qorrollepsi në 2013), doli në median vizive ku denoncoi me ashpërsi shkarkimin e saj e foli kundër qeverisë si abuzive dhe e korruptuar, kur kjo qeveri i kish apo jo një apo dy vjet në funksion. Dhe e dini çfarë ndodhi?

Në pseudo konkursin që u zhvillua për administratën e Parlamentit, në sektorin shtypit, doli fituese pa konkurim, pra u emërua, pikërisht ish-drejtoresha e Arkivit. Pas kësaj ajo nuk u pa me në TV të kritikojë qeverinë Rama 1 e as mos prisni të kritikojë qeverisjen Rama 2, veç nëse e heqin nga puna. Atëherë po, vë ulërimat për korrupsionin qeveritar e për të shkretin popull që përdoret si mashë për të nxjerrë gështenjat e politikës nga zjarri..

Po të hoqën bëju gjëmën, kështu funksionon këtu në Shqipëri. Këtë më së shumti e aplikojnë gazetat që i hedhin vickla qeverisë vetëm kur ajo nuk jep para. Toga e politikaneve të PD, që kanë dalë si opozitë brenda opozitës në qark të mbyllur, u bënë të gjallë vetëm kur nuk i vunë në listat elektorale të deputetëve dhe kjo i ndërseu duke u shfaqur si luftëtarë te shquar për demokraci. Hajde ç’vete. Po ku ishin më parë? A do të flisnin po të ishin në listat e deputetëve të parlamentit të ri?

Ata që kishin qenë squk-squll nëpër vite mbi kolltukë, me rroga të majme, me makina të shtrenjta që nuk  i motivonin dot me rrogat e veta, por mund të bënin çdo gjë sepse ishin nën sqetullën e  kryetar-kryeparit të partisë që bën sikur ka ikur po aty është si hija e Zeusit. E paparë. Jemi kundër Bashës por jemi për Berishën, thonë. A thua Luli mbahet me forcat e veta e me në krye të vet në timon të partisë. Ore, sikur të mos e dojë Berisha, as pesë minuta nuk mbahet në këmbë Lulëzim Basha. Prandaj të duken të pabesueshme këto argumente kundërshtore ndaj Bashës ndërkohë që i thur lavde Berishës.

Këto qëndrime të dyanshme tregojnë mirëfilli së ky grupim është pa ideale, por i prekur interesash te ngushta e që gjithë shpresën e kanë që Berisha t’i thotë Lulit, hapi rrugën këtyre mocionistëve se janë besnikët e mi. Po nuk ka për ta thënë Berisha këtë as sot e as mot. I duhen kuaj të rinj për karron e vjetër partiake që tundet e shkundet si mos o zot. Aq më tepër që ka përpara vetingun dritherues, i cili është një mekanizëm që diçka do të hajë. Pa kurban nuk del kjo vjeshtë. Ja pra ku janë kurbanët e vjeshtës, këta pa imunitet e të braktisur.

Këtë skemë të funksionimit të politikës shqiptare, që sakrifikon të tjerët për të shpëtuar veten, e dinë edhe çiliminjtë e të mos e dijë ta zëmë opozitari në katror Ridvan Bode që qendron shpatull në shpatull me Arben Imamin, dosjet e të cilëve i ka mbyllur kryeprokurori( që paguhet për ti hapur), e  që  tashmë nuk do të mund më të mbrojë asnjë politikan a funksionar që e ka ngjyer gishtin në mjaltin e pushtetit. Në kampin e pushtetarëve ndodhi ndryshe.

Ata që votuan për ndryshimin dhe shpresën, katër vite hëngrën veten me dhëmbë tek vazhdonin të rrinin të papunë e pa asnjë të ardhur dhe shohin, për ironi të kohës mizore ku i ka sjellë rasti të jetojnë, që të emërohen nëpër funksione e zyra po ata që deri më dje bënin ligjin e Maliqin me pushtetin tjetër. Thonë i miklon qeveria për të dobësuar gjoja kundërshtarët, po askush nuk e beson sepse plani shkon me stilin mafioz: ”Hajdutë-kundërshtarë por vëllezër”.

Mishin ja hanë njeri-tjetrit por kockën ja ruajnë. Për katër vjet a më thoni se cilin prej pecogrosove të qeverisë së mëparshme e vuri qeverisja e Rilindjes në bankën e të akuzuarve. Gjeti një minoritar krapuliq, një farë Spiro Ksera e me këtë u mjaftua. Po ky Spirua në krahasim me bosat e mëdhenj të milionave ishte jo Spiro Dija por Spiro Mosdija. Se Ksero, ne greqisht i thonë të dish. Në këtë rastin e qeverisjeve tona është në kuptimin të dish të vjedhësh.

Shumat e vogla për të cilat u akuzua Spiro Ksera tregojnë se ai nuk paska ditur të vjedhë. Këta që tashmë kanë shumicën në parlament mesa duket kanë menduar se më mirë t’i japin privilegj e t’i mbyllin gojën ndonjë mercenari sesa ta lëmë të flasë e të prish punë në Media në mënyrë të përnatshme. Mbase me kësisoj zgjidhjesh e kanë mirë për veten e tyre politikanët në pushtet që duan të jenë larg sherrit,  por për ata që me votën e vet i sollën në pushtet kurrsesi nuk kanë menduar e nuk mendojnë gjatë. Ka një të vërtetë publike tashmë, kudo ka nisur të shfaqet zhgënjimi. Janë 400 mijë vetë të ikur nga Shqipëria në vitet 2013-2017. Ja çfarë thotë për këtë kardinali i Këlnit, Gjermani, Rainer Maria Woelki që vizitoi Shkodrën: “E shikoj si problem të Shqipërisë pasi në 2013-n kanë qenë 3.2 milion banorë dhe ndërkohë janë 2.8 milionë tani.

E shoh të rëndësishme për të qëndruar këtu dhe për ta zhvilluar vendin. Dhe mendoj se Shqipëria e ka fuqinë për të ecur përpara. Vetëm strukturat sociale duhet të jenë ato të duhurat, që nuk bën të mundur vetëm mirëqenien e një grupi por të të gjithëve”. E megjithatë, populli në këto zgjedhje të qershorit që shkoi u kap pas mendimit se kjo qeverisje që kemi vërtetë na takson, na le pa punë, na vjedh, na ropat, na ka vënë në ikje nga sytë këmbët, por le ta zgjedhim edhe një herë se mbase është ngopur e na vjedh më pak.  

Por nuk ka asnjë garanci që kjo masë njerëzish që përbëjnë qindra e mijëra të jenë edhe më tej besnikë të verbër të shpresës së thyer. Këtë e vërteton ulja e madhe e elektoratit të PD. Nga disfata në disfatë deri në shthurje. Partitë nuk duhet të mendojnë se njerëzit janë budallenj dhe se votojnë për sytë e bukur të ndonjë politikani a ndonjë deputeti,  që mjerisht vazhdojnë të zgjidhen me listë si në kohën e diktaturës.

Asnjë ndryshim nuk ka. Jetojmë në një demokraci të dhunuar e shthurur që ta kufizon lirinë e zgjedhjes. Mjerisht qeverisjet ndërrohen e gjërat mbetën po aty ku ishin. Hyjmë e dalim nëpër zyra e shohim të njëjtët fytyra. Me pak makiazh pink a blu sigurisht. Dhe po ato janë. Po ai mall i skaduar. Po ato lëvere të vjetra, ato pisanjozë xhepshpuar që me të hipur në kolltuk si deputet a nëpunës shteti u bënë milionerë. Lajmet thonë: Zbulohet një deputet me 56 shtëpi, 18 i ka blerë brenda vitit, deputeti tjetër gazetar me hap krenar shkon të blejë bankën,( kinse harron thënien e Indro Montanelli-t “..Një gazetar i pasur është një gazetar që qelb erë.”. Të tjerët nga brekëgrisur apo trafikanët u bënë pronarë televizionesh. U bënë e çfarë nuk u bënë. E i mjeri njeri i gjendur pa rrugëdalje nuk ka më se ta ushqej shpresën e vet. Dy vetëvrasje më 18 gusht 2017 në qytetin e Tiranës ditën që u dha lajmi për 56 shtëpitë e deputetit. Një i ri vret në mes të ditës nënën e babain e vet.

Diagnoza steriotip me porosi të qeveritarëve që duan të mbrojnë fasadën është “depresion”. Një mashtrim i madh ky. Sepse nuk zbulon rrënjët e depresionit kolektiv e të ankthshëm që ka mbërthyer shqiptarët. Po e vërteta është ndryshe. Në depresion të thelle është tërë sistemi, është tërë populli që ecën kuturu e marramendshëm si i droguar, e pak e nga pak po kthehet në një popull endacak dhe i huaj në shtëpinë e vet.  Sepse, nëse duam ti hyjmë të vërtetës në themel, shpresa tashmë për shqiptarët  është bërë një kurvë që shalohet me të parin bandit politik a shtetar të korruptuar që i del në rrugë.