Varfëri ekstreme, atje ku jeton një 15-vjeçare

Aktualitet Kryesore

 

varferia ekstreme ne elbasan

Nuk jemi në prehistori. Por në fshatin Pashtresh të njësisë administrative Gjinar, Elbasan

Kristaq Muça po jeton ditët më të errëta të jetës së tij. Dhe bashkë me atë të njëjtin ferr edhe e bija.

15 vite më parë u largua për një jetë më të mirë në Durrës. Punoi, por aq ishin mundësitë. Siguronte para sa për të paguar qiranë e për të mbajtur frymën gjallë.

Por erdhi një kohë që nuk po gjente më punë. Mbeti në katër rrugëve në qytetin bregdetar. Vendosi të kthehet në vendlindje në shtëpinë gërmadhë.

Bashkë me atë erdhi edhe e bija 15 vjeçe për të mos e lënë të vetëm të atin. Bashkëshortja nuk u kthye. Ajo qëndroi në Durrës duke e braktisur të shoqin.

Nuk gjetën asgjë në banesë. As dyer, as dritare, as drita, çatia e shembur dhe muret janë çarë. Nuk gjen asgjë në magje për të ngrënë. Atyre i afruan ndihma sa për të mbajtur frymën banorët e fshatit. Por edhe ata janë të varfër dhe kanë hallet e tyre.

Nuk ka me se të punojë tokën, nuk ka mbështetje financiare, nuk mund të blejë një thes me miell. Por vajza kurrsesi nuk e braktis babanë.

Ata nuk kanë asnjë shpresë. Ndonëse dimri po troket nuk dihet nëse deri në pranverë do ia dalin mbanë…infoelbasani.al