– 98 vjetori i vdekjes së Ismail Qemalit u përkujtua sot në Vlorë, në një ceremoni të organizuar nga Bashkia e Vlorës. Në ceremoninë përkujtimore ishin të pranishëm deputetë, autoritete vendore si dhe veteranë të Luftës Antifashite Nacionalçlirimtare, të cilët kryen homazhe pranë varrit të Ismail Qemalit dhe statujës së Ushtarit të Panjohur.
Ata vlerësuan edhe njëherë figurën e Plakut të Urtë të Vlorës dhe kontributin e madh të tij si themelues i shtetit të parë shqiptar.
Sot mbushen 98 vjet nga dita e vdekjes së Ismail Qemalit, njeriu që më 1912 shpalli pavarësinë e Shqipërisë në qytetin e Vlorës.
Ismail Qemali vdiq në Peruxhia, në 24 janar 1919, ku ndodhej i ftuar nga qeveria italiane për të arritur një bashkëpunim mbi të ardhmen e Shqipërisë. I shoqëruar nga tre djem të tij: Et’hemi, Qazimi dhe Qamili dhe nga përfaqësues të Ministrisë së Jashtme italiane, më 8 shkurt 1919, trupi i Ismail Qemalit u dërgua me tren në Brindizi nga ku, në bordin e torpedinieres “Alpino”, u shoqërua në Vlorë.
Më 12 shkurt, në një ceremoni madhështore, trupi i tij, i vendosur mbi shtratin e topit dhe i mbështjellë me Flamurin Kombëtar, u shoqërua në Kaninë, ku u varros në oborrin e Teqesë, në varrezat e familjes Vlora.
Më 28 nëntor 1932, me rastin e 20-vjetorit të Pavarësisë, me kërkesën e popullit të Vlorës dhe me vendim të Qeverisë Mbretërore, trupi i tij u zhvendos në Vlorë, në lulishten e qytetit, në një varr monumental, vepër e skulptorit Odhise Paskali, aty ku më parë ishte shtëpia ku ai kishte lindur dhe nga ku Shpalli Pavarësinë e Shqipërisë./m.m/