Në mbledhjen e kryesisë së Partisë Socialiste, Edi Rama caktoi emrat e rinj që do të drejtojnë në muajt e fundit para zgjedhjeve Ministrinë e Brendshme, të Shëndetësisë, Mirëqenies Sociale dhe Çështjeve Vendore.
Në vend të Saimir Tahirit vjen kryetari i Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafaj. Ilir Beqaj zëvëndësohet nga ish-drejtoresha e QSUT, Ogerta Manastirliu, te Ministria e Shëndetësisë. Në vend të Blendi Klosit te Ministria e Mirëqenies Sociale shkon deputja e Partisë Socialiste, Olta Xhaçka, ndërsa deputeti tjetër Eduard Shalsi zëvëndëson Blendi Çuçin te Çështjet Vendore.
Largimin e ministrave që drejtojnë 5 qarqe, kryeministri Edi Rama një ditë më parë e justifikoi me domosdoshmërinë që udhëheqësit e fushatës së qershorit, siç tha ai, të furnizohen me energji të reja.
Tahiri, të cilin Rama e quajti një ministër kampion, drejton Tiranën, ndërsa Klosi, Beqaj dhe Çuçi janë në krye për Beratin, Kukësin, Dibrën dhe Gjirokastrën, që nxjerrin gjithsej 21 deputetë.
Në kabinetin Rama janë edhe 5 ministra të tjerë që drejtojnë fushatat në qarqe, por që nuk u prekën nga një vendim i tillë.