Zhduken 28 dokumente top­-sekret nga kasaforta e Policisë

Aktualitet Lajme

Nga Nikoleta Kovaçi

Prej disa ditësh prokuroria ka nisur hetimet në lidhje me një referim që është kryer nga një drejtori e posaçme në Ministrinë e Brendshme. Në të bëhej fjalë për zhdukjen e disa dokumenteve që janë klasifikuar si sekret. Prokuroria mbrëmë tha për “Shekulli” se hetimi ka nisur para se historia të bëhej publike, ndërkohë që hetimet janë shtrirë në një sërë drejtimesh. Burimet zyrtarisht bënë të ditur se nuk është i qartë momenti i konstatimit të zhdukjes se dokumenteve, por bëhet me dije se referimi është kryer pasi është bërë ndryshimi i ministrave. As policia dhe as prokuroria nuk bëjnë me dije se të çfarë kategorie ishin këto dokumente të cilat kanë rezultuar të zhdukura, ndonëse të dhënat në lidhje me punën hetimore janë krejt të pakta, për shkak të klasifikimit të veçantë që iu ka bërë aktit. Dokumentet, të cilat janë të shumta mësohet se janë korrespondencë me Shërbimet tona sekrete dhe me partnerët ndërkombëtar!. Në fakt, alarmi për zhdukjen e dokumenteve e dha ish­kryeministri Sali Berisha, dy ditë më parë, ndërsa ditën e djeshme Prokuroria e Përgjithshme pranoi nisjen e hetimeve, por nga ana e Ministrisë së Brendshme nuk ka pasur asnjë reagim zyrtar në lidhje me çka përfaqësonin këto dokumente dhe se në çfarë kohe dyshohet se ka ndodhur zhdukja, nëse vërtetë ka ndodhur diçka e tillë. Berisha denoncoi në FB se në këtë skandal janë përfshirë kreu i Krimeve të Rënda, Ardian Cipa dhe ishMinistri i Brendshëm, Saimir Tahiri, por sipas kallëzimit të SHBÇA ende nuk ka një emër konkret të personit përgjegjës.

Të dhëna për zhdukjen

Nga kasaforta sekrete e Policisë së Shtetit sipas të dhënave janë zhdukur dokumente sekrete. Është Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm pranë Ministrisë së Brendshme që ka bërë një kallëzim në Prokurori për këtë rast. Prokuroria e Tiranës thotë se prej më shumë se 10 ditësh janë duke kryer hetimet për zhdukjen e dokumenteve nga kjo kasafortë, e cila ka qenë në varësi të drejtuesve më të lartë të Policisë së Shtetit ndërsa Prokuroria sqaroi se hetimet po kryhen pa emra konkret për zyrtarë të policisë të përfshirë në këtë skandal, të zbuluar nga kontrolli i brendshëm në polici dhe procedimi është regjistruar me akuzën e “shpërdorimit të detyrës e nxjerrjes së sekretit shtetëror”. Dyshohet se janë 28 dokumente sekrete, midis tyre shkresa zyrtare të komunikimeve të Policisë me Shërbimin Informativ Shtetëror, Prokurorinë dhe partnerët ndërkombëtar, janë zhdukur nga kasaforta pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë. Zhdukja e tyre është pikasur nga Shërbimi i Brendshëm i Çështjeve dhe Ankesave në fundit të muajit mars nga ku më pas është bërë kallëzim në Prokurorinë e Tiranës e cila ka nisur hetimet. Zhdukja e dokumenteve sekrete nga kasaforta e Policisë së Shtetit konfirmohet zyrtarisht dhe nga Kontrolli i Brendshëm i Çështjeve dhe ankesave në Policinë e Shtetit i cili konstatimin se mungonin mbi 28 raporte të konsideruar sekret e ka kallëzuar në Prokurori. Sipas Prokurorisë së Tiranës e cila ka nisur zyrtarisht hetimet ky konstatim rezulton se është bërë nga SHBÇA në fund të muajit mars dhe rasti është referuar menjëherë në Prokurorinë e Tiranës. Dhe pse ende nuk ka një datë zyrtare të zbulimit të zhdukjes së raporteve dhe Prokuroria deklaron se prej 10 ditësh kryen hetime, kjo ngjarje përkon me fund marsin kur ishministri Tahiri i dorëzoi detyrën ministrit të ri. Hetimet për këtë ngjarje po kryhen nga drejtuesi i prokurorisë së Tiranës Petrit Fusha, ndërsa oficerët e policisë gjyqësore kanë sekuestruar procedurën e administrimit të kasafortës.

Hetimet

Referuar të dhënave konkrete që vijnë nga burime jo zyrtare mësohet se hetimet janë përqendruar tek praktikat që ndiqen për mbajtjen e materialeve të rëndësisë së veçantë. Kasaforta në të cilën pretendohet se kanë qenë dokumentet mësohet se mbahen materiale me informacione që shkëmbehen me partnerët ndërkombëtar dhe institucione si Shërbimi Informative Shtetëror dhe Prokuroria e Përgjithshme. Ngjarja është referuar në prokurori me akuzën e shpërdorimit të detyrës dhe nxjerrjes së sekretit hetimor ndërsa ende nuk ka një person konkret të hetuar. Hetimet janë përqendruar edhe tek proceduara e ruajtjes dhe nxjerrjes së raporteve nga kasaforta e policisë dhe personave që kishin akces me kodet e kësaj zyre­kasafortë. Hetimet pritet që shpejt të hedhin dritë mbi gjithçka ka ndodhur, ndonëse asnjë emër konkret nuk është marrë nën hetim. /Shekulli/