Dialog me opozitën për zgjidhjen e ngërçit, ripërsëriti LSI me anë të kreut të grupit kuvendor Luan Rama, i cili u shpreh se, politika duhet t’i largohet marrëzisë dhe t’i thërrasi arsyes për të realizuar zgjedhje të lira dhe të ndershme ku qytetarët të kenë mundësi të zgjedhin dhe jo vetëm të votojnë. “Për të realizuar më në fund Shqipëria, pas 27 vitesh një sagë problematike dhe shqetësuese me zgjedhje gjithnjë të kontestuara, zgjedhje sipas standarteve, të lira, të barabarta, transparente dhe ku secili aktor politik në garë të ketë mundësi të konkurojë dhe të shpalosi alternativën e vet” sugjeroi zoti Rama.
Ndërkohë zoti Rama dha edhe një përgjigje teksa u pyet për regjistrimin e koalicionit në KQZ, ku afati i fundit është dita e mërkurë. “Zgjedhjet janë të parat dhe ne jemi të angazhuar dhe ftojmë të gjitha partitë politike në mënyrë të veçantë aktorët parlamentarë, të ngrihen në nivelin e përgjegjësive që kërkon ky moment i rëndësishëm për fatet e vendit” tha zoti Rama. “Të gjitha të tjerat në kohën e duhur do t’jua bëjmë të njohura me shumë seriozitet” shtoi ai.