Për mbylljen e Bienales Mediterranea 18 që u mbajt këtë vit për herë të parë në Shqipëri, mes Tiranës dhe Durrësit, do të hapet një kantier të ri: Forumi Re-Birth në Tiranë, një projekt i Cittadellarte – Fondacioni Pistoletto në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, i cili do të filloj nga data 26 – 28 maj.
Duke marrë shkas nga tema e Bienales që e konsideron ‘shtëpinë’, si një proces që sjell së bashku historinë, konfliktin, ëndrrën dhe dështimin, projekti synon t’ i kushtojë vëmendje mekanizmave të dështimit dhe të riparimit të cilat bëjnë reale mënyrën e bashkëjetesës.
“Sot ‘shtëpia’ që jetohet në Shqipëri përbëhet nga kontekste që kanë dinamikën e pushtetit që nganjëherë dëmtojnë dhe pengojnë, por dhe nga kontekste të tjera që prodhojnë bujarisht zgjidhje dhe vizione të së tashmes. Të mirëpresësh Forumin Rebirth në Tiranë për Mediterranea 18 është një mënyrë për të përjetuar një vizion artistik, duke punuar mbi potencialin që mund të dalë nga shkëmbimi i ideve që kanë rrënjët në forma të ndryshme”, thuhet në një njoftim të Ministrisë së Kulturës.
Për këtë, midis 17 Objektivave të Kombeve të Bashkuara, nga të cilat zhvillohet forumi Re- Birth, janë zgjedhur tre që konsiderohen urgjente për rritjen personale dhe kolektive të njerëzve që jetojnë në Shqipëri, përfshirë edhe ata që vendin e jetojnë, bashkëndajnë ose e punojnë në distancë.
Objektivi i 8-të ka si qëllim të “stimulojë rritjen ekonomike të qëndrueshme, punësim gjithëpërfshirës dhe të frytshëm, të plotë dhe produktiv si dhe të sigurojë punë të denjë për të gjithë”. “Në këtë kontekst, ne ballafaqohemi me situata të veçanta, që në këtë vend i kanë bërë ballë pasigurisë dhe paqëndrueshmërisë ekonomike shqiptare duke përdorur një strukturë sociale. Si mund të gjejmë zgjidhje për të dëgjuar shoqërinë civile në lidhje me vendimet që kanë të bëjnë me ndryshimin e qyteteve tona dhe ambientit në të cilin jetojmë? Kësaj pyetje i përgjigjemi duke pasur parasysh objektivin 11 që nënkupton: ‘Ndërtimin e qyteteve dhe vendbanimeve njerëzore përfshirëse, të sigurta, afatgjata dhe të qëndrueshme”, vijon njoftimi për shtyp.
Për Shqipërinë kuptimi i drejtësisë, sot më shumë se kurrë kalon nëpër një fazë delikate dhe komplekse. “Në kontekstin tonë, ne duam të nxjerrim në pah se si paqja dhe drejtësia nisin me mundësinë e një qasjeje gjithëpërfshirëse në art dhe kulturë, në mënyrë që të lejohet zhvillimi i individëve dhe i komuniteteve që janë të lira për të imagjinuar dhe të afta për të mbrojtur të drejtat e tyre. Për këto arsye, ne kemi vendosur të prezantojmë qëllimin 16: ‘Krijimi i shoqërive paqësore dhe gjithëpërfshirëse për një zhvillim të qëndrueshëm, duke siguruar që të gjithë të kenë qasje në drejtësi, krijimi i institucioneve efikase, kompetente dhe përfshirëse në të gjitha nivelet”, citohet më tej.
Këtë herë, arti shkon përtej kritikës dhe provokimeve, përveç këtyre do të ketë qëllim të “riciklojnë” alternativa të reja. Në këtë mënyrë do të gjendet shtëpia tek gabimet gjatë procesit, gjatë periudhës së pritjes për riparim, tek pasiguria e përpjekjes. Forumi Re-Birth në Tiranë është një projekt special i Mediterranea 18, Bienalja e Artistëve të Rinj nga Europa dhe dhe Mesdheu – BJCEM, dhe realizohet në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës së Shqipërisë, me mbështetjen e Regione Puglia dhe të Institutit Italian të Kulturës./atsh/