Drejtuesit e G7-s, të mbledhur sot në Taormina, në Itali kanë gjetur gjuhën e përbashkët për terrorizmin pas atentatit të përgjakshëm që goditi Britaninë e Madhe, por nuk kanë avancuar mbi çështjen e klimës.
Në përfundim të ditës së parë të takimeve plenare dhe bilaterale, anëtarët e G7-s (SHBA, Britani e Madhe, Francë, Gjermani, Japoni, Kanada, Itali) miratuan një deklaratë kundër terrorizmit duke u kërkuar aktorëve në internet të mobilizohen më shumë në luftën kundër përmbajtjeve terroriste.
Ata iu përgjigjën gjithashtu një kërkese të kryeministres britanike, Theresa May, vendi i të cilës u godit të dielën në mbrëmje nga një atentat në dalje të një salle koncertesh në Mançester, që shkaktoi të paktën 22 të vdekur, prej të cilëve shumë fëmijë dhe u mor përsipër nga grupi xhihadist i Shtetit Islamik.
“Ky është një hap i rëndësishëm. Duhet që kompanitë e internetit të njohin përgjegjësitë e tyre kundrejt shoqërisë”, deklaroi May në një konferencë shtypi.
G7 u angazhua gjithahtu për të zbatuar një qasje kolektive për të luftuar kundër rrezikut të shfaqur nga luftëtarët e huaj të rikthyer nga zonat e luftës.
Ndërkohë, një prej çështjeve më të ndjeshme në rendin e ditës së G7-s, lufta kundër ngrohjes klimatike mbetet për momentin e bllokuar, pranoi presidenti i Këshillit italian, Paolo Gentiloni.
“Administrata amerikane ka një reflektim të brendshëm për çështjen, ndërkohë që vendet e tjera kanë vepruar. Ne, nga ana jonë, kemi rikonfirmuar angazhimin tonë të plotë për marrëveshjen e Parisit mbi klimën”, konfirmoi Gentiloni në një deklaratë të shkurtër për shtypin.
“Diskutimet për këtë çështje do të vazhdojnë nesër. Evropianët do të përpiqen të bindin presidentin Trump për rëndësinë e kësaj marrëveshjeje”, theksoi një burim diplomatik francez./atsh/