Shifra e frikshme/ Zbulohet pasuria e Edi Ramës

Aktualitet

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka një pasuri të pabesueshme, e cila është raportuar të jetë rreth 200 milionë euro, të investuara në kompani “offshore” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ky fakt është përmendur edhe në një raport konfidencial të Misionit të OSBE-së. Ky raport, pavarësisht se nuk përbënte një qëndrim zyrtar të OSBE-së, nuk është mohuar asnjëherë nga hartuesit e tij.

Raporti, i përpiluar nga njësia për çështje politike dhe publike e OSBE, flet për lidhje të politikanëve me krimin e organizuar, për përfitime të tyre nga të ardhura të investuara në kompani të ndryshme apo nga biznese që i drejtojnë familjarët e tyre.

Të dhënat u referohen informacioneve konfidenciale, ato të publikuara në media apo kabllogramet e ambasadës amerikane, të publikuara nga Wikileaks.

Pikërisht në këtë dokument, për herë të parë një raport ndërkombëtar përmend shifra mbi pasurinë e një politikani dhe shtetari të lartë shqiptar. Dhe ai është pikërisht Kryeministri Edi Rama, i cili, sipas tyre, ka fshehur në SHBA dhe vende të tjera përmes të vëllait, Olsi Ramës, të paktën 200 milionë euro pasuri.

Sipas këtij raporti, kjo shumë e frikshme është krijuar nëpërmjet ryshfetit me lejet e ndërtimit në Bashkinë e Tiranës, të cilën Rama e ka drejtuar plot 12 vite.

“Edi Rama (PS): Kryetar i PS, Kryetar i Bashkisë së Tiranës 2000 – 2011 dhe tani Kryeministër. Është folur shumë në lidhje me dyshimet për përfitimin e një tarife për lejet e ndërtimit, me rreth 10 – 20 % të vlerës së ndërtesave. Shumë i kujdesshëm për të operuar nëpërmjet personave të tretë, ai ka mohuar vazhdimisht çdo përfshirje në korrupsion apo krime. Pasuria e tij përflitet të jetë rreth 200 milionë euro, të investuara në kompani “offshore” përmes vëllait të tij, Olsit, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, shkruhet e zeza në të bardhë në këtë raport.

Dokumenti sekret i OSBE për politikanët shqiptarë mesa duket ka trazuar ujërat edhe jashtë kufijve. Dhe pika që ka bërë më shumë bujë është ajo për pasurinë e Kryeministrit shqiptar Edi Rama.

Mediat greke e kanë cilësuar si “të pabesueshme” pasurinë e Kryeministrit Rama.

“Për herë të parë, raporti referohet në mënyrë specifike mbi pasurinë e Kryeministrit Rama, të cilën e ka fshehur në SHBA nëpërmjet vëllait të tij Olsi Rama. Në raport janë përfshirë edhe akuzat e lejeve abuzive të ndërtimit kur ai ishte kryetar i Bashkisë së Tiranës”, shkruan gazeta greke iEfimerida./360grade.al