Nga Irma Kurti /
Skandal në Rozzano të provincës së Milanos: këshilltari për sigurinë dhe policinë lokale boton “kalendarin e gjuetisë” së jokomunitarëve dhe quan si kafshë këdo që nuk është italian.
Këto ditë ka ngjallur jo pak polemika në shtypin italian veprimi i këshilltarit për sigurinë dhe policinë lokale në Rozzano, Marco Andrea Ercoli. Në një chat privat mes politikanësh ai botoi këtë postim: Nuk është e rëndësishme nëse z. Ercoli përfaqëson forcën politike të PD apo të Lega Nord. Habia dhe zhgënjimi më i madh vijnë nga fakti se të tilla nofka, thirrje fyese, denigruese, destabilizuese, që përligjin dhunën e violencën vijnë nga një funksionar, nga një përfaqësues i interesave të popullit, nga ai që duhet të përcjellë mesazhe paqeje dhe dashurie, ai që duhet të tregojë me shembullin e vet se si mund të bashkëjetohet në harmoni midis etnive të ndryshme në një vend demokratik si Italia që vazhdon të jetojë në një klimë të nxehtë temperaturash dhe debatesh për emigracionin. Në emër të komunitetit shqiptar në Rozzano, Skënder Zeneli, duke shprehur indinjatën për këtë gjest të papërgjegjshëm, thotë: “Pak ditë më parë në një takim me kryetaren e bashkisë kërkuam dorëheqjen e këtij eksponenti, por për fat të keq veprimi i tij u minimizua dhe u justifikua. Jemi të vendosur ta vazhdojmë protestën tonë edhe në bashkëpunim me komunitetet e tjera të huaja që jetojnë në Itali”./Shqiptari i Italisë