Nga Azem Parllaku/
Prej gati tre dekadash Shqipëria si shtet, e shqiptarët si popull ndodhen në kulmin e degjenerimit, korrupsionit dhe shthurjes historike. Politika për të arsyetuar grykësinë e vet, është shndërruar në gënjeshtër dhe prostitucion. Ajo nuk është “arti i së mundshmes”, siç e ka quajtur, Otto von Bismarck. Kur ai e tha këtë frazë të stërpërsëritur, nuk i shkonte mendja për të gënjyer, manipuluar, tradhtuar, apo mashtruar për t’ia arritur qëllimit. Me siguri, ka folur për mundësitë që në politikë gjithmonë janë të kufizuara, dhe si të tilla i obligojnë liderët të jenë të sinqertë me qytetarët, të jenë realistë në atë që e kërkojnë dhe propogandojnë.
Demagogë të regjur liderët politikë në Shqipëri, janë manipulues shembullorë të sovranitetit të popullit. Lidershipi është pjesërisht çështje karakteri, pjesërisht inteligjence, pjesërisht e organizimit dhe pjesërisht e asaj që, Makiaveli e quante “fat”, ndërveprimi misterioz i fatit dhe shansit.
Liderët politikë, të njejtët këta që shkelin çdo premtim para qytetrëve shqiptarë, kanë mundur të gjejnë mënyrën për të justifikuar veprimtarinë e tyre, si të kapur në flagrancë, duke manipuluar. Mashtrimet kanë arritur yjet në hapsirë, shkëlqejnë por nuk ndriçojnë. E megjithatë, mashtruesit politikë na qasen gjithnjë një hap para kohës. Ata e tërheqin kohën. Sipas tyre “populli ka gjithnjë të drejtë”. Por, parimi demokratik nuk e mbështet këtë absurditet.
Parimi demokratik është që populli është sovran edhe në të drejtën për të gabuar, përndryshe, ç’sovran do të ishte? E nëse populli ka të drejtë të gabojë, nuk do të thotë se është e lavdërueshme ta shtysh të gabojë. Shugurimi i prijësve shqiptarë të politikës, nuk ngjason aspak me vetëkurorëzimin e Napoleon Bonapartit. Napoleoni, i cili rrëmbeu kurorën perandorake nga duart e papës dhe e vendosi në kokën e vet, e konsideronte veten një protagonist dhe një interpretues të historisë, dhe e ktheu rizgjimin revolucionar të masave franceze në drejtimin e një rindërtimi madhështor të Europës.
E megjithëse Demokracia është modeli ku qytetari është i pari, përsëri në Shqipërinë e vitit 2017, në diskursin e debatit të çdoditshëm, blerja dhe vjedhja e votës, është e para në rendin e ditës. Edhe pse, duke qenë pasardhës të ilirëve, çdo i treti i të cilëve ishte poet i lindur, ende ne nuk kemi mundur të shkruajmë poezinë tonë. Ky është një mjerim i llojit të veçantë, një lloj filozofie e mbrapshtë. Mjaftojnë vetëm pak nga episodet e ditëve të fundit, për të kuptuar çfarë rëndësie i kushtojmë rëndësisë së shkrimit korrekt. Ne nuk nënshkruajmë korrekt as në fletën e votimit.
Ligjet që duhet të na mbrojnë nuk shkruhen siç duhet, historia jonë si popull nuk është shkruar me korrektësi. Qytetarët shqiptarë janë përjashtuar nga pjesëmarrja në krijimin e së vërtetës dhe janë shndërruar në një masë amorfe, të nënshtrueshme, ndërkaq që legjitimohet instanca supreme e së vërtetës. Koha na sfidon të gjithëve, të mirin dhe të ligun, teksa në fund gjithkush merr atë që meriton. Dikush merr përvojën e hidhur që është serum i duhur për jetën, dikush pi kupën e helmët.
Shkoza një lagje e Tiranës, këtë javë po vuan moskorrektësinë e shkrimit të ligjeve. Ajo ndodhet nën rrethim, ndërsa fadromat dhe eskavatorët e IKMT-së, vazhdojnë të shkatërrojnë banesat e më shumë se 150 familjeve. Pamjet që mbrrijnë në redaksitë e lajmeve, tregojnë përplasjen e policisë me banorët. Partia Socialiste në pushtet, u tërhoq nga diskutimi i dekretit të ligjit të mbetjeve në Kuvend dhe ka vendosur që t’a rishikojë ligjin. Eduard Shalsi u shpreh se, është koha që ligji për mbetjet të rishikohet edhe njëherë. Ai thotë se sqarimi për ligjin aktual nuk u kuptua si duhet, prandaj do të realizohet një debat cilësor me aktorët seriozë. Edhe ky është shembulli i një ligji të shkruar keq.
ZGJIDHJA kërkoi që importi i mbetjeve nga jashtë të ndalohet me Kushtetutë, sepse Rilindja është e pabesë. Duke komentuar vendimin e shumicës në Kuvend, që u tërhoq nga rikthimi i projektligjit të refuzuar nga ish-presidenti Bujar Nishani, partia e drejtuar nga Koço Kokëdhima deklaroi se vetëm kjo do t’i japë garancinë përfundimtare shqiptarëve se politikanët e paskrupullt nuk do të luajnë me jetën e popullit dhe fatet ekologjike të vendit, siç e duan interesat e tyre të ngushta dhe fitimet përrallore që nxjerr ekomafia. Tre dekada të Lirisë, prapë Prekë Cali mori dhenë. Për të flitet e dëgjohet kudo. Ndoshta kjo është epoka më e mirë e tij. Ndoshta edhe debati për Heroin tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, është një predhë e madhe mbi anijen tonë të brishtë.
Peza festoi 73-vjetorin e Konferencës dhe në një kënd Partia Komuniste kishte ngritur stendën e saj. Në të dallohej qartë portreti i Enver Hoxhës dhe i Nexhmije Xhuglini (Hoxha), ndërsa me të mëdha komunistët kishin shkruar: “Konferenca e Pezës, vepër e Partisë Komuniste të Shqipërisë dhe Enver Hoxhës”. Të jenë të gjitha këto rastësi? Kurrësesi Jo! Janë tradhti të përziera me servilizëm, madje të gjitha kanë ardhur nga katet më të larta të shtetit, mbasi duan të tjetërsojnë historinë, të zhbëjnë krenarinë kombëtare, mbasi krenarinë qytetare e kemi të shkërmoqur.
Shqipëria është shqyer copash prej zullumit dhe grabitjes të cilat janë bërë tashmë moral dhe dhimbje në zemer. Koha dhe historia e djeshme dhe e sotme po tregon se mbi këtë popull ku sundon injoranca, antiqytetaria , mungesa e theksuar e civilizimit dhe perçarja, janë shtuar mëkatet dhe ata që i bëjnë janë të njejtët, të vetëkurorëzuarit si udhëheqës të politikës. Ata nuk kanë lënë asnjë pikë referimi pa uzurpuar.
Një sjellje që ngjan me orbitën rrugaçe të një asteroidi. Shqiptarëve i’u grabitën paratë në firmat piramidale, u grabit Thesari i Shtetit, u vodhën miliona euro në Bankën Kombëtare, u tentua të shitet një pjesë e detit, u vodhën dhe u dogjën pyjet, tokat dhe çdo pasuri kombëtare. Askush nuk u ndëshkua! Në interes të popullit është që, çdo vepër penale të zbulohet dhe kryerësi i saj të dënohet. Nëse gjykatat e lirojnë fajtorin, atëherë gjykatësi duhet të gjykohet. Një fronti të gjerë opozitar dhe ndërtimin e një platforme gjithëpërfshirëse, kundër Qeverisë aktuale, që shtrihet nga ish të përndjekurit politikë, ish pronarët, të papunët, shoqëria civile, partitë politike, të majta apo të qendrës, të djathta apo super të majta, që nuk ndajnë dhe nuk duan të ndajnë pushtet me Kryeministrin aktual, thuhet se do të përbashkohen për Reformën Zgjedhore dhe shpëtimin e zgjedhjeve nga kërcënimi i përhershëm. Edhe sikur diçka e tillë të ndodhë, prapë shqiptarët janë skeptikë. Ata nuk po munden t’i besojnë këtij establishmenti, sepse shpërdorimet me pushtetin dhe zullumet e tre dekadave janë të ndjeshme dhe të dukshme mjaftueshëm.