Edmond Dosti, ish-sulmuesi dhe golashënuesi i njohur i Partizanit, fitues i titullit të fundit kampion me “demat” në sezonin 1992-1993, mbetet një nga kritikët më të mëdhenj të situatave që ndodhin në klubin kryeqytetas. Ai asnjëherë nuk është pajtuar me dështimin, si dhe publikisht ka parashtruar ide si mund të kalohet ku ngërç që ka pushtuar gjatë Partizanin.
Pas humbjes së thellë në Gjirokastër, Dosti, i cili jeton në Austri, ka shpërthyer me një status në profilin e tij në “Facebook” si më poshtë: “Turp, Turp, Turp!
Të gjithë personave përgjegjës u bëj thirrje që të reflektojnë dhe të mos e përdorin Partizanin për biznes apo të mos bëjnë biznes me Partizanin. Duke parë që situata nuk po ndryshon, ku në vend të progresit ka vetëm regres, është mirë që këta persona lojtarë nëse kanë burrëri, të japin dorëheqjen dhe vendin t’ua lënë kompetentëve dhe atyre që e duan Partizanin si ekip legjendar dhe jo burim biznesi.
Përjetë me ty Partizon, deri ne vdekje! Partizoni është i yni, i të gjithë tifozëve që nuk e kanë lënë për as edhe një moment vetëm!”
PËR GAZETËN- Ndërsa në prononcimin e tij për “Panorama Sport”, ish-sulmuesi sërish prek atë që ndodhi ndaj Luftëtarit, por jep edhe mendimin e tij se çfarë duhet të bëjë Starova pas rikthimit në detyrë nga drejtuesit. “E kam shprehur prej kohësh për “Panorama Sport” se ky sezon ka dështuar që në start për Partizanin, për vetë politikën dhe drejtuesit që u zgjodhën. Por në Gjirokastër ndodhi turpi më i madh i historisë së Partizanit.
Të gjithë janë delenxhinj dhe shumë lojtarë nuk janë as për në Ligën e Dytë. Nuk di çfarë me thënë më shumë, pasi ajo ndeshje më ka bërë me dhimbje koke. Po më bëjnë që të mos i shikoj më, pasi vetëm sa lodh sytë. Mendoj se edhe tifozët duhet ta bojkotojnë futbollin shqiptar. Të mos shkojnë në stadium, pasi ata lojtarë nuk e meritojnë t’i mbështesësh. Dorëheqjen e Starovës e mirëkuptova, pasi i tillë ishte turpi i asaj ndeshje.
Rikthimi? Mendoj se tani është momenti që Starova, së pari, të vërë në vend dinjitetin e tij dhe të klubit duke larguar ata lojtarë që i ka sjellë vetë. Tani gjithçka duhet nisur nga fillimi dhe të mendojnë për sezonin e ri. Është mirë që edhe Starova dhe drejtuesit ta ndajnë mendjen dhe të mos vijojnë me ikje-ardhje. Është koha t’i rikthehet dinjiteti fanellës legjendare të Partizanit”, u shpreh Edmond Dosti për “Panorama Sport”.