Hera e fundit që shqiptarët renditeshin të parët në Bashkimin Europian, për numrin e kombësive të kapura me qëndrim të paligjshëm, në një prej vendeve të unionit, ka qenë viti 2010. Por, ja që shqiptarët janë ngjitur sërish në vend të parë, në vitin 2017.
Këtë e thonë shifrat zyrtare të Eurostat, që tregojnë se, gjatë vitit të kaluar, në Bashkimin Europian, 40.025 shqiptarë u kapën pa dokumente të rregullta qëndrimi. Kjo shifër është më e larta ndër vendet e origjinës, madje edhe më shumë se sirianët, afganët, apo irakenët.
Ndërkohë, që nga viti 2008 deri në 2017, janë 415.900 mijë shqiptarët e kapur, pjesa dërrmuese e të cilëve në vitet 2008-2009. Shqiptarët të cilëve iu është dhënë urdhër për t`u larguar nga vendi ndërkohë, janë më pak në numër, dhe jo më të parët në listë. Sipas Eurostat, kjo shifër fiksohet në 31 mijë, për vitin 2017, nga pak më shumë se 35 mijë të vitit të kaluar, kur shqiptarët ishin të parët në listë. Për sa i përket numrit të atyre që janë kthyer në vendet e tyre të origjinës, nuk ka asnjë dyshim, shqiptarët janë të parët.
Kjo për faktin se, refugjatët në vendet në konflikt e kanë të pamundur të kthehen në shtetet e tyre, ndërkohë që, Shqipëria klasifikohet si një vend i sigurt origjine. Në vitin 2017, kanë qenë 31 mijë shqiptarët e riatdhesuar, dhe në 2016, 43 mijë. Shifrat e publikuar nga Eurostat, tregon edhe një herë problemin e madh social, më të cilën përballet Shqipëria, këto vitet e fundit. Identifikimi i Shqipërisë si një vend jo i sigurt origjine, nga ana e emigrantëve shqiptarë, tregon se, kemi të bëjmë me një humbje shprese nga ana e të rinjve të këtij vendi.