Raporti alarmant, Shqipëria vendi i dytë për numrin më të lartë të aplikimeve për azil nga minorenët
Pavarësisht se vetëm 8% e aplikantëve janë pranuar, shqiptarët që kërkojnë azil janë më të shumtë se vendet në luftë. Si po i “braktisin” prindërit fëmijët e tyre për t’i siguruar një jetë më të mirë dhe për sa kohë do të vazhdojë moskokëçarja e qeverisë
Alarmante, Shqipëria e dyta në botë për numrin më të lartë të aplikimeve për azil nga minorenët e pashoqëruar
Agimi, fermer nga Lushnja, pak muaj më parë nisi djalin e mitur 14 vjeç për të kërkuar azil në Francë. Djali u shoqërua rrugës nga e ëma dhe kur mbërriti në Francë u paraqit vetëm, si fëmijë që vinte nga prindër të divorcuar. Agimi thotë se tashmë djali ka filluar shkollë dhe po mëson gjuhën. Teksa vetë arrin të sigurojë me vështirësi jetesën nga ferma në Lushnjë, Agimi shton se ndonëse e rrezikshme, kjo ishte zgjidhja e vetme, që ai pa për të ardhmen e djalit të tij dhe nuk do të ngurronte të dërgonte as tjetrin.
Të dhënat e publikuara nga Eurostat bëjnë se në vitin 2018, numri i aplikimeve të minorenëve të pashoqëruar nga Shqipëria për azil në një nga vendet e Bashkimit Evropian ishte 475, duke përbërë rreth 2.5% të totalit të aplikimeve nga e gjithë bota. Në krahasim me një vit më parë, numri i aplikimeve ka rënë me 10%, por pesha ndaj totalit ishte më e ulët në 2017-n (1.6%), për shkak se në vitin 2018 kanë rënë aplikimet në përgjithësi. Pjesa më e madhe e aplikimeve të të miturve shqiptarë janë bërë në Mbretërinë e Bashkuar (285), në Gjermani (40), në Suedi (35), Holanda (30), Belgjikë (25) Francë dhe Itali nga 15. Në vlerë absolute, Shqipëria ka numrin më të lartë të aplikimeve të minorenëve në Ballkan.
Vetëm në 2018-n, në total numri i aplikimeve nga vendet e tjera të Ballkanit ishte 50, nga të cilët 20 nga Kosova, 15 nga Serbia, 10 nga Maqedonia e veriut dhe 5 nga Bosnjë Hercegovina. Në raport me popullsinë totale, Shqipëria renditet e dyta në botë, pas Eritresë, me 17 aplikime për 100 mijë banorë. Eritrea ka nivelin më të lartë të aplikimeve të minorënëve në botë me 43 për 100 mijë banorë.
Pas Shqipërisë renditet Guinea me 9.8 aplikime për 100 mijë banorë, Afganistani me 9, Siria me 7.4 dhe Iraku me 2.9. Në total, po sipas Eurostat, gjatë 5 viteve të fundit kanë aplikuar për azil në vendet e BE-së, 3630 minorenë të pashoqëruar nga Shqipëria. Numri më i lartë i tyre ishte në 2015-n, me 1065 minorenë./Monitor