B.SH : Shifrat e frikshme, familjet konsumojnë më pak se 20 mijë lekë në muaj…

Aktualitet

Familjet e shtresës normale dhe të mesme, që konsumojnë mbi 20 mijë lekë në muaj po vijnë në ulje, ndërkohë që po rriten ato që konsiderohen si të varfra, që konsumojnë më pak se 20 mijë lekë në muaj.

Konstatimi është bërë nga Banka e Shqipërisë në një vrojtim të fundit për shpenzime e familjeve.

Brenda të njëjtit kampion që intervistoi Banka e Shqipërisë këtë vit u vu re një rënie e numrit të familjeve që konsumojnë nga 20-50 mijë lekë në muaj.

Sipas grafikut më poshtë shihet se ky grup familjesh përben shtresën e mesme dhe grupimin më të madh të njësive familjare në vend. Përgjatë gjysmës së parë të vitit 2019 Banka në të gjithë vendin vuri re një tkurrje të familjeve më të ardhura të larta dhe rritje të familjeve me të ardhura më pak se 20 mijë lekë.

Rreth 50.4% e të përgjigjurve vijojnë të deklarojnë shpenzime mujore në nivelin ’20-50 mijë lekë’, dhe kjo peshë ka rënë me 2 pikë përqindje krahasuar me 6-mujorin e kaluar.

Nga ana tjetër, pesha e familjeve që deklarojnë shpenzime në nivele të larta (mbi 50 mijë lekë në muaj) ka shënuar rënie të lehtë në terma 6-mujorë dhe në terma vjetorë. Prirja e kundërt vihet re në rastin e dy grupeve me nivelet më të ulëta të shpenzimeve me më shumë se 4%.

Gjatë 6-mujorit në analizë, struktura e shpërndarjes së familjeve sipas nivelit të të ardhurave, duket se është zhvendosur pak drejt niveleve të ulëta krahasuar me 6-mujorin e kaluar.

Kështu, pjesa më e madhe e familjeve (rreth 53% e tyre) vijon të mbetet në nivelin ‘17-50 mijë lekë’.

Nga ana tjetër, rreth 11% e tyre deklarojnë të ardhura të ulëta mujore “deri në 17 mijë lekë” (në rritje me 1 pikë përqindje krahasuar me 6-mujorin e dytë të vitit 2018), 27% deklarojnë të ardhura mujore ‘50-100 mijë lekë’ dhe 7% deklarojnë të ardhura në nivelin “100-200 mijë lekë”.

Banka e Shqipërisë e formuloi indeksin e shpenzimeve si shumë e peshuar e frekuencave në % të përgjigjeve me koeficientët e përcaktuar për çdo interval si në vijim: ‘deri në 10 mijë lekë’ me 0.2; ‘10-20 mijë lekë’ me 0.4; ‘20-50 mijë lekë me 0.6’; ‘50-100 mijë lekë me 0.8’ dhe ‘mbi 100 mijë lekë’ me 1. Vlerat e marra për çdo vit janë kthyer në indeks me bazë vitin 2010 =100.

Rritja e vlerës së indeksit nënkupton rritje të nivelit të shpenzimeve të domosdoshme.