Presidenti rus, Vladimir Putin, mbërriti në Stamboll një ditë përpara ceremonisë së inagurimit të gazsjellësit Rrjedha Turke, tha shërbimi i lajmeve Kremlin.
Presidenti turk Reccep Tayyip Erdogan, i cili ka kohë që kërkon të kthejë vendin e tij në një qendër energjetike, pritet të qëndrojë së bashku me Putinin në ceremoninë e inaugurimit.
Rrjedha Truke është një projekt që është zhvilluar në pesë vitet e kaluara dhe ka një kosto prej afro 8 miliardë dollarë.
Gazsjellësi do të transportojë gaz rus në Turqi, me gjysmën e vëllimit që rrjedh më tej në Ballkan dhe Evropën Qendrore, përfshirë Bullgarinë, Serbinë dhe Hungarinë.
Projekti është pjesë e qëllimit afatgjatë të Rusisë për të zvogëluar ose përfunduar tranzitin e gazit përmes Ukrainës.
Putin udhëtoi në Turqi nga Siria kur zhvilloi bisedime me presidentin sirian Bashar al-Asad.
Në ceremoninë në Stamboll, do të marrë pjesë edhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka njoftuar kabineti i tij.
Gjatë vizitës, Vuçiç do të takohet me presidentin turk Erdogan, atë rus Putin dhe kryeministrin bullgar Boyko Borisov.
Ky tubacion është pasardhësi i projektit të tubacionit Rrjedha Jugore, ndërtimi i të cilit u braktis nga Rusia në dhjetor të vitit 2014 sepse nuk mund të respektonte rregullat e Bashkimit Evropian, sipas të cilave një kompani nuk mund të zotërojë si gazin ashtu edhe tubacionin.
Tubacioni i ri i gazit ka ngritur shqetësime në Komunitetin e Energjisë pasi Agjensia e Energjisë e Serbisë lëshoi një vendim përfundimtar më 5 mars 2019, duke përjashtuar tubacionin e ri nga rregullat e BE-së dhe duke mos përmbushur të gjitha kushtet e përcaktuara nga Komuniteti i Energjisë si një organ rregullator evropian./Top Channel