Frontex: Rritet numri i hyrjes së emigrantëve nga Turqia në BE

Emigracioni

Numri i migrantëve nga Turqia që hyjnë në Evropë u rrit ndjeshëm gjatë vitit të kaluar, tha të premten kreu i agjencisë kufitare të Bashkimit Evropian (FRONTEX), Fabrice Leggeri.

“Në vitin 2019 më shumë se 82.000 migrantë u përpoqën të hyjnë pa autorizim në Evropë, një rritje prej 46% krahasuar me një vit më parë”, tha Leggeri.

Kjo rritje, sipas tij, ishte pasojë kryesisht për shkak të situatës në Siri, por edhe paqëndrueshmërisë në Afganistan dhe ndryshimit të politikave ndaj shtetasve afganë nga ana e autoriteteve iraniane dhe pakistaneze.

Migrantët nga Turqia kryesisht hyjnë në territorin e Greqisë, vend ky anëtar i Bashkimit Evropian (BE).

Leggeri nuk pranoi të fajësojë rojet bregdetare turke, duke thënë se ata po “punojnë mirë” në kapjen e migrantëve që largohen nga Turqia.

BE-ja u pajtua në vitin 2016 t’i jepte Turqisë deri në 6 miliardë euro për të përballuar fluksin e sirianëve, si dhe për të bindur qeverinë në Ankara të ndalë migrantët që nisen për në Greqi.

Por, që nga vera e vitit 2019, ishujt lindorë të Greqisë janë përballur me mbipopullim të kampeve të refugjatëve.

Frontex tha se vitin e kaluar, numri i migrantëve ishte më i larti, që nga hyrja në fuqi e marrëveshjes BE-Turqi.

Presidenti turk, Reccep Tayip Erdogan, ka thënë se vendi i tij nuk mund të marrë përsipër i vetëm barrën e pritjes së 3.6 milionë refugjatëve sirianë dhe në të kaluarën ka kërcënuar se do të “hap portat” për migrantët që të shkojnë drejt Evropës.