Romët, të përjashtuarit e mëdhenj nga skema ndihmuese e qeverisë “antiCOVID-19″

Aktualitet

Nga Manjola LUMANI /

Sipas të dhënave të raportuara nga studime të ndryshme, pandemia e COVID-19 po thellon edhe më tepër varfërinë, pabarazinë dhe vulnerabilitetin e familjeve dhe fëmijëve në mbarë botën.

Skemat e mbrojtjes sociale konsiderohen si ndërhyrjet më efektive në luftën kundër varfërisë dhe vulnerabilitetit, nga që vlerësohen si thelbësore për krijimin e një ambienti sa më mbrojtës për familjet e fëmijët.

Megjithatë, kriza e shkaktuar nga Covid-19 zbuloi në shumë raste edhe pamundësinë e sistemeve të mbrojtjes sociale për të siguruar ndihmën e duhur. Si rrjedhojë, në situata të tilla, për shkak të strukturës së sistemeve të mbrojtjes sociale, një numër i konsiderueshëm familjesh rrezikojnë të mbeten pa mbrojtje. Lejet e zakonshme dhe sigurimet shoqërore vlejnë vetëm për të punësuarit zyrtarisht, çka praktikisht i përjashtoi nga skema fermerët, popullsitë e zonave rurale, të punësuarit informalë dhe grupet vulnerabël. Midis këtyre, pjesëtarët e komunitetit romë rezultojnë të jenë  të përjashtuarit e mëdhenj, një e vërtetë kjo që, përkundër zyrtarëve që këtë fakt e pohojnë zëulët nën arsyetimin e mosqënies së romëve të punësuar me rregulla, pra me sigurime shoqërore, e konfirmon  zëlartë Arben Kosturi, drejtori ekzekutiv i Rrjetit të Organizatave Rome dhe Egjiptiane.

Sipas këtij të fundit: Komuniteti rom është më i pafavorizuari, jo vetëm në mospërfitimin e ndihmës së luftës…

Por le ta lemë pak këtë komunitet “humbës të kësaj ndihme” dhe të shohim strategjinë zyrtare të qeverisë dhe katëgoritë që e përfituan atë.

Nëpërmjet dy vendimeve, përkatësisht atij me Nr. 254, dt. 27 mars 2020 dhe Nr. 305, dt. 16 prill 2020 Qeveria përcaktoi kategoritë përfituese të “pagës së luftës”, kriteret dhe procedurat që duhej të ndiqeshin për të përfituar paketat e njohura tashmë si 26 mijë dhe 40 mijë lekëshe.

Po ashtu, për të përballuar krizën e shkaktuar nga vala e parë e “Covid-19”, që përkon me izolimin total të vendit, qeveria njoftoi dyfishimin e shumës së parave kesh të asistencës sociale dhe zgjerimin e grupit të personave që përfitonin nga kjo skemë.  Ndërkohë, pas shpalljes së Situatës së Jashtëzakonshme, u krijua një Komitet Ndërministror i kryesuar nga Ministria e Mbrojtjes për të organizuar dhe shpërndarë ushqime e të mira të tjera material për rreth 600,000 individë të identifikuar si vulnerable, nga pushteti lokal.

Në këtë përcaktim kategorish  Qeveria “harroi” të bënte pjesë të skemës së përfitimit të kësaj page grupet që i sigurojnë të ardhurat përmes punës informale, siç është shitja e rrobave të përdorura apo mbledhja e materialeve të riciklueshme, që janë mjerisht dy profesionet e ushtruara prej shumicës dërmuese të komunitetit rom.

Për këtë “harresë”, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi i rekomandoi Qeverisë, fill pak javë pas daljes së  VKM-së së parë të fundmarsit, të zgjeronte listën e përfituesve, duke përfshirë edhe kategoritë e pafavorizuara të shoqërisë. Gjë që nuk ndodhi as me VKM e dytë të 16 prillit 2020, ku u njoftua zgjerimi i mbështetjes për të gjithë punonjësit e kompanive të prekur drejtpërdrejt nga mbyllja e bizneseve, të mbeturit papunë, punonjësit e sektorit të turizmit etj.  Edhe kësaj here Qeveria përjashtoi nga skema e përfitimit komunitetin rom, edhe pse premtoi se punëtorët në të zezë do të paguheshin e madje edhe do të shpërbleheshin nëse do të denonconin punëdhënësin.

“Ata që punojnë në të zezë duhet të kenë kurajon që të denoncojnë. Ne po bëjmë gati edhe një shpërblim financiar për ata që do të thonë se unë kam punuar në të zezë në filan kompani dhe sot nuk kam asnjë të ardhur, sepse jo se nuk kam punuar por s’më ka regjistruar pronari. Brenda 24 orëve ne do të kemi këtë ofertë të re për të gjithë ata që kanë punuar në të zezë. Do t’u japim një shpërblim financiar dhe do të marrin përsipër që ne ta ndjekim deri në fund punën e tyre “– do të deklaronte kryeministri Rama gjatë takimit të përditshëm me qytetarët në facebook më 14 prill 2020.

Por edhe këtë radhë, premtimi nuk u mbajt. Ndërkohë, u përfol edhe për një paketë të tretë ndihme, ku do të përfshiheshin ata persona që punojnë në të zezë dhe që nuk marrin as ndihmë ekonomike, por realisht edhe kjo nuk ndodhi, duke lenë me “gisht në gojë” pjesëtarët e komunitetit rom, varfëria kronike e të cilëve e vendos atë në ballë të grupeve të margjinalizuara, nga kriza e pandemisë “COVID-19” që vijon t’i rrezikojë ata seriozisht në çdo pikëpamje.

Në konkretizim të fakteve, drejtori Ekzekutiv i Rrjetit të Organizatave Rome dhe Egjiptiane, Arben Kosturi, vlerëson:

Romet nuk janë në marrëdhenie zyrtare pune, po ashtu edhe komuniteteti egjiptian dhe për këtë arsye këto dy komunite janë më të prekurit nga situata e pandemisë, por edhe për shkak të varfërisë, përkrahjes sociale shumë modeste, problemeve shëndetësore, problemeve sociale, që prekin sidomos fëmijët, të shkaktuara nga divorcet e prindërve etj.

Në këtë pandemi situata e dy komuniteteve arriti në ekstrem. Për këtë arsye, ne në bashkëpunim me rrjetin e organizatave rome e egjiptiane iu drejtuam zv.ministres, znj. Merita Xhafaj drejtore e Politikave të Programeve të Zhvillimit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, së cilës i kërkuam bashkëpunim për të ndihmuar familjet e varfëra për t’u shpërndarë ndihma ushqimore. Megjithatë, këto ndihma nuk ishin të mjaftueshme, pasi ne në bashkëpunim me Bashkinë shpërndamë ndihma vetëm për 700 familje të komunitetit rom e egjiptian, por vetëm në Korçë jetojnë 20 mijë romë e egjiptianë.

Në Shqipëri, sipas të dhënave të fundit (edhe pse numri i vërtetë i tyre nuk është llogaritur asnjëherë saktësisht, madje as në censusin e fundit), numërohen rreth 80 deri në 130 mijë romë e egjiptianë.

Sipas të dhënave të Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) niveli i varfërisë së këtyre komuniteteve është 78% në krahasim me normën e vendit me 22%.

Në këtë situatë, kur këtij komuniteti nuk u sigurohen as kushtet bazike për të vijuar mbijetësën, duket qartë se romët janë grupi i goditur më fort nga pandemia, por dhe nga harresa e shtetit. Për më tepër, duke mos ditur nivelin e vdekjeve dhe sëmundjeve të rënda brenda këtij komuniteti, impakti i vërtetë i pandemisë mbi këtë grup mbetet ende i pazbuluar dhe si i tillë rrezikon jo vetëm ata, por të gjithë shoqërinë. Jeta e tyre ishte mjaftueshëm e vështirë edhe para përhapjes së COVID-19, por që prej marsit 2020, kushtet e tyre të jetesës u vështirësuan edhe më tepër. / Arberianews.net

Redaktoi: Xhovan SHYTI